Pronat dhe asetet kriminale të konfiskuara do t’u jepen OJF-ve

1
222

Pronat dhe asetet kriminale të konfiskuara apo sekuestruara në bazë të ligjit antimafia  do të vendosen në dispozicion të OJF-ve të angazhuara në çështjet sociale.Një projekt i Bashkimit Europian në bashkëshpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara synon vënien në eficensë të këtyre pronave për projekte në shërbim të komunitetit të viktimave të trafikut, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje, etj.

 

 

Projekti

 

Ky projekt i ri vjen nën emrin C.A.U.S.E (Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale) dhe mbështetet me grante nga Bashkimi Europian në Shqipëri në kuadër të Mbështetjes për Shoqërinë Civile – Nisma Qytetare dhe Ngritja e Kapaciteteve.

Partnerët Shqipëri, që është edhe autoriteti kontraktues i nën-grantimit, projektit dhe mbështetësit financiarë zhvilloi takimin informues me organizatat joqeveritare dhe aktorë të tjerë në Tiranë, lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë ky projekt.

Klotilda Tavani, drejtore programi në Partnerët Shqipëri, u shpreh se qëllimi i skemës së grantit është ngritja e një modeli të ripërdorimit efektiv të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke inkurajuar organizatat të prezantojnë modele të sipërmarrjeve sociale. “Nuk presim që projekti që do të propozoni të jetë një sipërmarrje që do t’ju sigurojë fitime, por që do t’ju ndihmojë në stabilitetin tuaj si OJF për të vijuar punën që keni nisur me këto grupe vulnerabël që ju mbështesni. Në momentin që do të shpalleni fitues do të duhet të nënshkruani dy kontrata. Njëra do të jetë me Partnerët Shqipëri dhe që lidhet me grantin, ndërsa tjetra me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara që edhe në këtë rast ne e kemi lehtësuar procedurën por duhet një kontratë me vete” u shpreh Tavani.

 

Kushtet e financimit dhe asetet në dispozicion

 

Organizatat jofitimprurëse që do të aplikojnë për të ngritur një sipërmarrje sociale kanë të drejtë të aplikojnë për një fond minimal prej 100 mijë euro dhe maksimumi 150 mijë euro. Në çdo rast, pavarësisht kërkesës, organizata duhet të financojë 5 për qind të fondit që ka kërkuar. Në buxhetet e tyre ato duhet të parashikojnë edhe fonde për rikonstruksionin e godinave pasi gjendja e tyre ka nevojë për ndërhyrje.

 

Artur Kala, kreu i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara u shpreh se institucioni që ai drejton është i përfshirë në 12 projekte të tjera por ky me sipërmarrjet sociale është më i fundit. Sipas tij, ka ende hapësira për zgjerim të bashkëpunimit, por si fazë e parë janë vënë në dispozicion tre prona të konfiskuara. Prona e parë është një njësi tregtare me sipërfaqe 138.6 m² në lagjen Apolonia në Fier. E dyta është truall me sipërfaqe 470 m² plus garazh 24 m² bashkë me një magazinë 48m2 mbi këtë truall në lagjen Çlirimi Lushnjë. Prona e tretë është një garazh me sipërfaqe 48.1 m² në Sarandë. Të gjithë OJF-të kanë afat për të aplikuar për këtë projekt deri më 3 nëntor.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Vleresime per nismen e shkelqyer me te vertete eshte nje gjetje e shkelqyer qe parate e konfiskuara te shkojne ne ndihme te familjeve ne nevoje, keto para jane nje ndihme shume e madhe per keto familje per ti nxjerre nga situata e veshtire qe ato ndodhen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here