Deputeti i LSI-së -Ramës: Administrata juaj i futi gishtat në sy dhe thonjtë në fyt punëdhënësve, emigranti ndihet i huaj në vendin e tij

0
218

Fjala e plotë e depputetit Viktor Tuashaj në Kuvend

I nderuar drejtues i seancës

Të nderuar kolegë deputetë

 

Më lejoni së pari të uroj gjithsecilin prej Jush “punë të mbarë” në legjislaturën e re. Unë shpresoj dhe besoj se me vullnet të përbashkët do të mund të përmbushim detyrimet tona ndaj zgjedhësve. Janë detyrime që burojnë, jo thjeshtë nga premtimet elektorale.

 

Mbi të gjitha, janë detyrime që rrjedhin nga nevojat që kanë qytetarët, elektorati që na ka besuar me votën e tij përfaqësimin në Parlamentin e Shqipërisë.

 

Ne dje dëgjuam prezantimin e planit qeverisës nga Kryeministri në detyrë. Thelbi i fjalës së tij ishte ristrukturimi i qeverisë, një kabinet i vogël që synon të realizojë një program të madh.

 

***

Sot është radha jonë të paraqesim këndvështrimin tonë për mënyrën se si duhet të funksionojë më së miri qeverisja e vendit. Besoj se të gjithë tashmë e kanë të qartë se Lëvizja Socialiste për Integrim është një opozitë konstruktive, e cila ka dhe do të paraqesë platforma e projekte për forcimin e shtetit ligjor, rimëkëmbjen e ekonomisë, zhvillimin infrastrukturor e rural të vendit. Pra, ne do të dimë që të shpalosim alternativën tonë, e cila është dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

 

Kryeministri në detyrë kërkon votën e deputetëve për të qeverisur 4 vitet e ardhshme. Kjo është një e drejtë e tij, të cilën e mbështet në argumentat themelorë të programit elektoral.

 

Unë personalisht do ta kisha votuar qeverinë e tij, nëse ai do të kishte qenë në opozitë dhe sot konstatonte se shteti ka shumë probleme në funksionim.

 

Por, ai vjen pas një mandati qeverisës dhe problemet që i prezanton tani për zgjidhje, mund t’i kishte dhënë drejtim më parë.

 

Kryeministri i mandatuar paraqitet para Parlamentit me një paketë reformash drastike ne qeveri dhe administratën publike.

 

Në parim, do të isha plotësisht dakord për një qeveri në proporcion me numrin e banorëve të vendit, operative dhe mirëfunksionale. Por ajo që më shqetëson realisht është koha e humbur, paratë e shpenzuara duke bërë prova, dhe, më thelbësorja, prishja e traditës.

 

Qeveria dhe institucionet nuk janë thjeshtë të shtetit. Ato janë të qytetarëve. Në këtë kuptim, sfidoj çdo parlamentar apo edhe anëtar të kabinetit qeveritar nëse ai e di vendin, funksionet dhe kompetencat e institucioneve publike shqiptare.

 

Imagjinoni publikun, popullin e thjeshtë apo biznesin se sa sorollatje ka patur dhe do të ketë në marrjen e shërbimeve me aq shpesh sa kanë ndryshuar qeveria dhe institucionet e këtij shteti.

 

Bota ka institucione shekullore dhe, mirëfunksionimi I tyre nuk varet nga ndryshimi I varësisë, vendit apo aq me keq të kompetencave. Ne duhet ti japim fund këtyre ndryshimeve si fundin e një tranzicioni pafund, që shtetasit shqiptarë të mësojnë njëherë e mirë se kush është qeveria, institucionet e shtetit dhe funksionet e kompetencat e tyre.

 

Asgjë nuk e ka penguar qeverinë e kaluar për ta filluar reformën laboratorike transformuese qeveritare e administrative që na propozohet të realizohet në një muaj.

 

Strukturistët e sotëm sillen sot në Parlament sikur kanë zbuluar “levën e Arkimedit”. kur në mandatin e kaluar harxhuan pa fund energji, kohë dhe fonde për krijimin e strukturave, superstrukturave dhe pjesëve të copëzuara të pushtetit.

Pra, ishin po këta strukturistë që sot na tregojnë zgjidhjen, që dje shkaktuan amullinë institucionale. Dhe tani, Parlamentit dhe publikut i prezantohet zgjidhja strukturore.

 

Në fakt, nëse do të jetë funksionale, pasi unë kam shumë dyshime mbi këtë gjë, nuk do të jetë gjë tjetër veçse korrigjim i gabimit të bërë po prej tyre.

 

Lëvizja Socialiste për Integrim, që në krijimin e saj, ka prezantuar një qasje sa më pranë qytetarëve. Edhe në katër vitet e shkuara, LSI-ja ka ofruar alternativa për reformimin e administratës, por edhe për zgjidhjen e problemeve madhore të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Por u lodhëm duke dëgjuar historinë e timonit dhe përralla të tjera te lidhura me të.

 

Këshillat e LSI-së për shumë ligje, ju i quajtët “duar në timon”.

Sugjerimet e LSI-së për shumë vendimmarrje të rëndësishme, ju sërish i quajtët “duar në timon”.

 

LSI-ja propozoi kërkesa për financimin e sektorëve prioritarë, mbi të gjithë në bujqësi. Synimi ynë ishte që të afroheshim, më së paku, me bujqësinë e vendeve të rajonit. Ju sërish i konsideruat “duar në tepsi”. Kërkuam caktimin e fondeve për të përfunduar rrugët e lënë rrugëve. Ju i quajtët të padrejta këto kërkesa.

 

Do të kisha qenë shumë i kënaqur nëse LSI në legjislaturën që sapo kaloi, do të kishte votuar kundër ligjit për taksën progresive. Sot ekspertët e FMN-së janë të shqetësuar për amullinë dhe pasigurinë që ka shkaktuar ky ligj. Dhe pikërisht për të mos vënë duart në timonin e karrocës së qeverisjes, edhe pse artikuluam pafund argumente se nuk duhej, e votuam. U votuan edhe shumë ligje të tjera me justifikimin se jemi në maxhorancë dhe nuk na shkon të dalim kundër.

 

E pra historia e timonit jo vetëm nuk ka ekzistuar por përkundrazi, për sa mundësi dhe hapësirë kishim ti vendosnim duart në atë timon, shpëtonim karrocën e qeverisjes nga gremina ku shpesh herë drejtohej.

 

Por të jeni të sigurt se do e ndjeni në këtë qeverisje vakumin e mungesës së këshillave, sugjerimeve dhe kërkesave për një qeverisje çdo ditë e më të mirë.

 

Edhe pse ishte shpesh kundër, LSI-ja votoi bashkë me ju. Bashkoi votat e saj vetëm e vetëm për të dëshmuar se ishim në një aleancë politike, e cila shkonte përtej ligjeve të veçanta. Ishte një aleancë që duhej të miratonte reformat e mëdha, ato që do të ndihmonin Shqipërinë për t’u integruar sa më shpejt në Bashkimin Europian.

 

Të nderuar kolegë,

Unë do të kisha votuar këtë qeveri të vogël, që na prezantoi këtë mega-program, nëse ajo do të ishte tërësisht legjitime, e dalë nga vota e lirë e qytetarëve.

 

Por, vota nuk ishte e lirë. Terrori, shantazhi, dhuna fizike, presionet si dhe pazari haptas për blerjen e votave, shoqëruan çdo ditë fushatën. Të thuash sot se zgjedhjet ishin me standarde evropiane, biles më të mirat që Shqipëria ka parë ndonjëherë, është si të fshihesh pas gishtit.

 

Si mund të jenë zgjedhje me standarde nën presionin e kriminelëve me armë, dhe të shtënave te tyre, si mund ti quash me te mirat qe Shqipëria ka parë ndonjëherë kur paratë e hashashit ndotën ndërgjegjen e shumë familjeve të varfra shqiptare, të cilat të lodhura nga qeveria e terrorit dhe e burgut, u zgjuan nga gjumi nën klithmat për një Shqipëri europiane, dhe morën atë çfarë i ofruan.

 

Nuk kishte çmim për votën mjafton që ajo të garantohej. Biles edhe me çmimin e jetës së ndonjërit nëse bëhej pengesë për arritjen e qëllimit.

 

Marrëveshja e 17 Majit menduam se do të ishte shtrati i qetësimit të shpirtrave të politikanëve për një standard të ri paqeje politike, që do ti jepte mundësinë zgjedhësit shqiptar të gjykonte programet politike elektorale qeverisëse apo edhe vlerat e kandidatëve përfaqësues. Por, nuk ishte e thënë.

 

Pakti i errët dendësoi akoma më tepër errësirën për të ndërtuar pazarin e tregtimit të votës. Jepu sa të duan, në çdo kohë, ditën e natën, me çdo mjet, publik e privat, në çdo mënyrë, me dëshirë, për shkak të nevojës së atyre që shiteshin, apo me presion e shantazh, dhe, në krye të gjithë kësaj sipërmarrjeje ishin institucionet e shtetit, madje edhe ato që ligji i konsideron si të depolitizuara, vetëm e vetëm për të siguruar pushtetin.

 

Kryeministri bëri thirrje për të peshuar mirë gjërat e rënda dhe të mëdha të këtij shteti, të cilat duhet të na bashkojnë. Padyshim që kjo thirrje qëndron. Po, a e përfshin Kryeministri në radhën e gjërave të rënda dhe të mëdha të këtij shteti, edhe këtë çmenduri elektorale? Këtë çmenduri që lejoi të futen paratë e drogës dhe të krimit të organizuar në Parlament?

 

Kjo është një pyetje që askush nuk mund t’i përgjigjet i vetëm. Për sa më takon mua, por besoj se edhe kolegët e mi të LSI-së, jemi të gatshëm të votojmë çdo nismë që synon ndarjen përfundimtare të drogës nga Parlamenti.

 

Unë jam skeptik dhe nuk arrij të besoj se kjo qeveri, e kapur siç është, do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

 

Ajo vuri në lëvizje mekanizmin okult për të deformuar votat. Ky mekanizëm sot e në të ardhmen do t’u kërkojë përfitimet, pikërisht atyre për të cilët u investua në blerjen e votave.

 

Me kujtohet një bisedë me Ju z. Kryeministër, për historinë e një kryebashkiaku në një vend të varfër.

 

Në atë vend, kudo sundonte apatia, papunësia, varfëria, pasiguria dhe çdo gjë ishte zymte dhe e vdekur. Kryetari i Bashkisë së atij qyteti, pasi pyeti këshillin e të urtëve, vendosi që punën ta niste me restaurimin dhe lyerjen e një monumenti të harruar në qendër të qytetit.

 

Ishte hapi i parë i gjallërimit të shpresës dhe filizi i një entuziazmi të ri në atë qytet, që shumë shpejt u kthye në një simbol gjenerimi energjish pozitive dhe optimizmi.

 

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se nuk ka gjë më të mirë se sa të nxitësh energjinë e popullit tënd për të krijuar e punuar, duke gjykuar bashkë me qytetarët dhe duke u rritur e pjekur në gjykim së bashku me ata për të ardhmen e përbashkët.

 

Por, ky entuziazëm erdhi shpejt duke u venitur, ra në kufijtë e optimizmit. Por edhe ai sot është venitur.

 

Ju mendoni se Shqipërinë e ndërton një njeri i vetëm, apo me një grusht ministrash e drejtorësh të përzgjedhur me, apo pa kujdes, mjaftueshëm për të zëvendësuar kundërshtarët, apo edhe me disa projekte qofshin ato ambicioze.

 

Në fakt, ju nuk duhet të harroni se vendin e ndërton energjia pozitive e pashtershme e njerëzve të thjeshtë. E ndërton entuziazmi i përditshëm i tyre, e ndërton bashkimi i kujdesshëm i këtyre forcave dhe energjive me shpresën se çdo minutë, çdo orë apo çdo ditë që vjen, do të jetë më e mirë për të gjithë.

 

E kuptoj shumë mirë se sa e vështirë është që ta realizosh, por ju, jo vetëm që nuk bëtë përpjekje, por përkundrazi , e zëvendësuat atë me mënyrën arrogante të të bërit të gjerave, dhe c ‘është më keqja ua transmetuat atë edhe bashkëpunëtorëve dhe vartësve tuaj.

 

Kjo qasje solli frikë për çdo gjë, pasiguri kudo, pakënaqësi tek qytetarët.

Sot, juve ju ndihmuan dëgjesa për të kuptuar se ku është Shqipëria reale se sa poshtë ka rënë optimizmi i saj dhe se sa të pakënaqur janë shtresat e ndryshme shoqërore.

 

– I pakënaqur, i frikësuar dhe i pasigurt është emigranti, i cili është më i huaj në Shqipëri se sa në vendin ku ka emigruar;

– I pakënaqur është punëdhënësi, të cilit administrata juaj, siç themi në nga anët tona “i futi gishtat në sy dhe thonjtë në fyt”, duke e rropatur me burokraci pafund, duke e tmerruar me kontrolle inspektoratesh e task – forcash pa kriter dhe pa frut, apo duke e gjobitur për arsyen se familjarët mbështesin njëri-tjetrin në biznesin e vogël;

 

– Të pakënaqur janë punëmarrësit, policët, ushtarakët, mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët dhe çdo punonjës tjetër i administratës që, në amullinë dhe pasigurinë e ligjit të taksës progresive, nuk e di se sa të ardhura do t’i mbeten për ilaçe, qira banese, pagese dritash e uji, librat e shkollës dhe taksën e studentit,

 

– Të pakënaqur janë të rejat dhe rinjtë, studentët dhe nxënësit, të cilët përballen me mungesën e punësimit dhe të një të ardhme të sigurt në Shqipëri. Rruga e vetme për ta është vetëm emigrimi.

 

– Po pensionisti, ai që me punën e tij ndërtoi një shoqëri më të mirë dhe më të harmonishme se sa po e ndërtojmë ne sot a është i kënaqur?

 

– Imagjinoni sot të papunët. Sikur vetëm për këtë kategori shoqërore të mendonim në këtë sallë, do të na duheshin vite që të gjenim zgjidhjet më të mira.

 

Do rendisja pa fund fakte dhe arsye për skepticizmin tonë, por mjaftojnë këto për të kuptuar, gjykuar dhe vendosur.

 

Qeveritarëve i shërbyen më së miri takimet me popullin, që, pas 4 viteve që qeverisët, të kuptonit se ku ishte populli dhe cilat ishin shqetësimet e tij.

Ndoshta ato takime të drejtpërdrejta mund t’ju kenë ulur me këmbë në tokë, për të kuptuar se ku duhet të synojë qeverisja e vendit.

 

Duhet eliminuar arroganca dhe të rritet fryma e bashkëpunimit, për të shfrytëzuar të gjitha energjitë pozitive të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, duke i bashkuar të gjitha këto me shpresën se ky vend mund dhe duhet të bëhet.

 

Ju faleminderit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here