Akti heroik i djemve pushues/ Beteja për 50 minuta me detin e tërbuar, si u shpëtua me kanoe turisti polak

0

Nga Gëzim Saliu 

Shiu me rrebesh i një nate më parë kishte shkretuar thuajse të tërë bregun e detit në Jug të vendit, dhe nga një fakt i tillë nuk kishte shpëtuar as Himara dhe përkatësisht zona e Drimadhës. Por rrezet e para të diellit të dala rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm i dhanë shpresë për disa orë plazh pushuesve jo të paktë në këtë zonë, që kanë zgjedhur shtatorin si muajin e pushimit veror.

Megjithëse shumicës së shqiptarëve ende ju duket habi se si mund të zhvillohen pushimet në shtator, janë jo të pakta eksperiencat që kanë vërtetuar se edhe muaji i cilësuar si nismëtar i vjeshtës, përbën një kohë të këndshme për të kaluar ditët më të rëndësishme të shlodhjes, pas një viti të ngjedhur me aktivitete, punë apo mësime.

Mes pushuesve që ju gëzuan çeljes së kohës ishte edhe i riu polak Mateo, i cili kishte zgjedhur Shqipërinë dhe përkatësisht jugun e vendit për të kaluar disa ditë pushimi ndryshe. Për njëri të apasionuar pas serfit, deti me dallgë të forta, përbën shansin më të mirë për të kaluar disa momente të këndshme e plot adrenalinë. E në fakt dallgët e shumta të favorizuara nga era e fortë e kishin kthyer detin në Himarë në një vorbull uji që kur gurgullonte në breg të shtinte frikën.

Betejë me detin

Ishte mesditë kur Mateo vendosi të futej në ujë dhe me një guxim ndoshta të tepruar kaloi përtej bregut fillestar, duke synuar kapjen e dallgëve të mëdha në brezin e dytë.  Vetëm pas pak minutash, pushuesit që ndodheshin buzë detit, vunë re një njeri që po përpëlitej mbi dallgët në

det. Ishte i riu polak, i cili po gjendej në vështirësi serioze. Shenjat me dorë të Mateos nxitën më shumë njerëz në breg të detit, të cilët menjëherë nisën të kontaktonin me organet përkatëse. Dikush u përpoq të shkonte pranë kullës së vrojtimit për të lajmëruar rojen bregdetare. Por kjo tentativë rezultoi e dështuar, pasi tek kulla gjendeshin vetëm kollonat e drurit dhe një mushama e vendosur në vendin e vrojtuesit. Me sa kuptuam nga vendasit në zonë, roja bregdetare kishte ditë që s’ishte parë në vendin e tij dhe kjo e gjitha mbështetej mbi arsyetimin: “sezoni veror mbaroi”. Po kush nga autoritetet e shtetit mban përgjegjësi për qytetarët që përzgjedhin muajin shtator për të pushuar? Apo këta të fundit duhet me detyrim t’i bashkohen shumicës dhe të pushojnë vetëm në muajt korrik e gusht?!

Një vendim i Këshillit të Ministrave, i vitit 2016 përcakton qëndrimin e një vrojtuesi mbi një kullë 3 metra të lartë për çdo 250 metra plazh. Sipas vendimit, vrojtuesit punësohen nga bizneset që shfrytëzojnë plazhet, por është pushteti vendor që e kontrollon zbatueshmërinë e këtij rregulli. Megjithatë në të gjitha plazhet e vendit është vënë re se edhe gjatë kulmit të sezonit veror, kullat e vrojtimit kanë qëndruar bosh.

Ndërkaq qytetarët e pranishëm konaktuan me policinë dhe në këtë rast të paktën përgjigja erdhi. U njoftua se ndihma do të vinte përmes një anije e cila më parë ishte e angazhuar në një tjetër aksion në Sarandë apo Ksamil. Sigurisht në këtë rast, përgjegjësia është dytësore tek forcat policore, pasi parësore në këtë proces janë vrojtuesit nga kullat. Por megjithatë, mbetet fakt se nëse në rastin e Mateos do të pritej ndihma nga policia, me shumë mundësi do të ishte tepër vonë për t’i shpëtuar jetën.

I riu polak dukej në vështirësi tepër të mëdha. Kishin kaluar thuajse 20 minuta nga koha kur e kishin parë të përpëlitej në det dhe ende asnjë ndihmë nuk i kishte ardhur. Qytetarët e shumtë të mbledhur në bregdet komunikonin mes tyre me shqetësim për të mundësuar zgjidhjen. “Duhet të futemi, ai po mbytet”, thërriti me forcë një burrë rreth të 50 dhjetave. Por tek të pranishmit ishin të freskëta ngjarjet e ndodhura këtë verë në det, ku qytetarët e futur në ujë për të shpëtuar personin që po mbytej, kishin humbur jetën e tyre në përpjekje e sipër për të dalë nga uji. Frika ekzistonte tek të gjithë, ndërkohë ankthi sa vinte e shtohej. “ Po ku dreqin janë këta rojet, as policia nuk erdhi”, tha me dëshpërim një grua.

Gjithnjë e më shumë Mateon po e lëshonin forcat. Ndërkohë deti i tërbuar, që si për dreq e shtoi më shumë itensitetin e dallgëve, rriste edhe më shumë dyzimin e qytetarëve të pranishëm për t’u futur në ujë e për të shpëtuar të riun polak.  Megjithatë, disa djem të rinj, që dukeshin të “afërt” me detin e notin, vendosën të ndërmerrnin aktin e guximshëm. Ata afruan një kanoe ( tip varke e vogël me lopata) dhe vendosën të futeshin në detin e tërbuar. Dy prej tyre, të cilët shkuan mes detit për të shpëtuar Mateon, veshën jelek për të siguruar së paku ndejtjen sipër ujit, edhe nëse gjërat nuk shkonin si duhet.

Elkierd Deliu dhe Aldred Likursi ndërmorën një hap që shumë të tjerë nguruan ta bënin. Guxuan e madje guxuan fort. Pasi i hipën kanoes, e cila mori vrullin në det pasi u shty nga qytetarët e tjerë të pranishëm, dy djemtë nisën t’i jepnin me sa kishin fuqi lopatave. Deti ishte i egër dhe sado që ata përparonin, dallgët dukeshin sikur i kthenin sërish në bregdet. Ndërkohë Mateon po e lëshonin tërësisht forcat, pasi nga larg dukej i dorëzuar dhe i shtrirë mbi det.

Djemtë shtynë me sa forcë kishin dhe më në fund arritën  tek vendi ku ndodhej pushuesi polak. Kishin kaluar plot 40 minuta që nga koha kur ishte parë për herë të parë në vështirësi Mateo në det. Pasi i hodhën litarin, djemtë e tërhoqën me kanoe të riun polak deri në breg të detit. Mirëpo nuk ishte e thënë që peripecitë e kësaj dite të mbylleshin me kaq. Kanoeja nuk po përparonte më tej për të dalë nga uji pasi po pengohej fort nga dallgët gjigande. Kjo detyroi dy të rinjtë që të zbrisnin nga varka e ta shtynin me forcë atë drejt bregut. Këtu nuk mungoi ndihma e qytetarëve të tjerë të pranishëm, të cilët të lidhur së bashku njëri-pas tjetrit, tërhoqën me forcë litarin, duke bërë të mundur që kanoeja së bashkua me pushuesin polak të kapur pasj saj, të dilnin nga uji. Në këtë moment nuk munguan duartrokitjet e shumta të të pranishmve për gjestin heroik të dy djemve që së bashku me ndihmën finale të qytetarëve pushues, mundësuan shpëtimin e jetës së të riut Mateo.

Padyshim akti heroik i dy djemve dhe solidariteti i treguar nga qytetarët e tjerë të cilët të bashkuar njëri pas tjetrit mundësuan daljen ne breg të varkës, ngrenë lart vlerat njerëzore të humanitetit. Por nga ana tjetë, kjo ngjarje nxjerr në pah një problematikë të madhe që është ndeshur dendur përgjatë gjithë këtyre viteve në plazhet e vendit. Mungesa e  rojeve bregdetare në kullat vrojtuese padyshim është një ndër mangësitë kryesore të strukturave shtetërore në sektorin e turizmit. Po ashtu edhe autoritet e tjera përgjegjëse duhet të jenë shumë herë më të angazhuara në këtë procss për t’iu përgjigjur në kohë problematikave të shumta që shfaqen në bregdetin shqiptar, ku më parësoret janë ngjarjet që lidhen me jetën e individit. Rasti i djeshëm në bregdetin e Dhërmiut na dëshmoi edhe njëherë se shteti ynë mbetet i dobët. Nëse nuk do ishin djemtë heronj, me shumë mundësi i riu polak do ishte nga sot në listën e njerëzve që luftuan me detin por nuk shpëtuan. Megjithatë e keqja kaloi dhe ndoshta kohë më vonë, Mateo do ta kujtojë këtë eksperiencë të hidhur të jetës së tij buzë oxhakut të shtëpisë, me një gotë verë të kuqe në dorë, i rrethuar nga miqtë, të cilëve pa mëdyshje do t’u pohojë: “ Sot jam këtu me ju, falë dy djemve shqiptarë”.

*Rrëfimi për detajet e shkrimit të mësipërm u bë për gazetën “standard” nga një prej qytetarëve ( inicialet D. S) të pranishëm në ngjarjen e ndodhur dje në zonën e Drimadhës

 

Lini nje pergjigje