Kejdi Mehmetaj ‘ultimatum’ Ramës: Ulu e shkruaj një program, në të kundërt…

0

Fjala e deputetes Kejdi Mehmetaj në Kuvend

Z.Drejtues i Seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Nga kjo foltore, në këtë legjislaturë të re, dua tu drejtohem të gjithë atyre të rinjve në të rinjve te cilet në 25 qershor në kushte të presionit të administratës, të presionit të Policisë së Shtetit, të presionit të bandave të krimit dhe nën lajkatimin e parave, shprehën të bindur vullnetin e tyre të palëkundur dhe nuk hoqën dorë për asnjë moment nga ëndrra për një Shqipëri më të mirë. Unë isha aty bashkë me ju dhe jam e bindur se bashkë do të ndërmarrim çdo aksion këtu në Parlament e jashtë tij, për të bërë më të mirën e më të drejtën.

 

U njohëm me programin që na u dorëzua dy ditë më parë, me pak faqe dhe ndoshta me më pak informacion se ato që shpërndaheshin për tu lexuar nga qytetarët në fushatën elektorale tregon se çdo të bëjë kjo qeveri në të ardhmen. Asgjë. Dhe të jemi të sinqertë, unë nuk prisja më shumë. Ç’mund të presësh më shumë nga një qeverie e dalë nga një proces zgjedhor, që vrau demokracinë në këtë vend dhe na ktheu pas në kohën kur komandoheshim nga banda dhe nga krimi. Çfarë tjetër përveç arrogancës mund të presësh nga një qeveri që votat i bleu duke përdorur paratë e drogës, aq shumë sa edhe sot tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk është stabilizuar kursi i këmbimit të euros. Si mund të marrësh seriozisht këtë qeverisje apo edhe këtë kryeministër që shtetin e konsiderojnë tepsi dhe administratën e shfrytëzojnë për tendera dhe për të marrë vota?! Sa seriozitet mund të pritet kur në asnjë moment gjatë fushatës nuk u thanë sikur edhe pesë fjali të bilancit të punës katër vjeçare që kaluam. Aspak, përkundrazi të jepet në dorë një broshurë plot të pavërteta, e në fakt nuk e di përse kërkojmë kaq shumë edhe ne, kur puna e tyre është në fakt të llogarisin rrjedhjen e votave në parlament dhe se si kalojnë deputetët nga njëri grup në grupin tjetër. Apo ndoshta pas premtimeve të pambajtura në 4-vjeçarin e kaluar vendosën që të jenë më të thjeshtë, që në fund të 4 vjeçarit të na thonë asgjë nuk premtuam, prandaj asgjë nuk bëmë. U preka shumë gjatë prezantimit të programit nga fjalimi, i cili ishte me nota të theksuara nacionaliste, plot pathos për Skënderbeun, për gjuhën Shqipe, por sa keq që nuk gjeta aty, qoftë edhe pak fjali që të thonë se çdo ndodh me Shqipërinë dhe me shqiptarët nesër, si do të menaxhohet ky shtet, si do të shpërndahen të ardhurat, cilat janë objektivat madhor të kësaj qeverie në këto katër vite që vijnë. Përveçëse këto përgjigje nuk i mora gjatë prezantimit të programit më keq ndjeva arrogancë dhe paqartësi në seancën e pyetjeve, dhe për të shoqëruar paqartësinë na u ofruan edhe një tufë të pavërtetash të tjera. U tha dje se në katër vjeçarin e kaluar është rritur investimi në arsim, ndërkohë që krahasuar qoftë edhe me katër vite me parë buxheti për arsimin është ulur me disa pikë, dhe këtë besoj se e keni pranuar dhe gjatë diskutimeve të viteve të mëparshme. U fol për arritje, për cilësi dhe për standard në arsim, por siç e tha edhe një prej kolegëve të mia më parë, UNICEF në raportin e tij më të fundit qartazi tregon problemet e thella me të cilat po kalon arsimi në vend. Duket qartazi nga ai raport se të gjitha ndërhyrjet që janë bërë në sistemin arsimor kanë qenë të fragmentarizuara dhe shpesh në interesa të ngushtë klientelistë, të cilat kanë sjellë vetëm kaos dhe humbje të cilësisë në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Po citoj raportin: rreth 15.000 fëmijë të moshës shkollore janë jashtë saj, rreth 64.000 të rritur janë analfabetë, fëmijët romë kanë ngelur shumë pas në arritjet e tyre shkollore, gjysma e shkollave nuk kanë mjedise bazë të përshtatshme, 1 në çdo 4 mësues nuk është i kualifikuar, rezultatet e PISA-s për fëmijët me arsim të mesëm janë më të ulëtat në vendet e OECD-së, ndërkohë që shpenzimet për arsimin, edhe pse kjo shifër nuk është e vërtetë, përbëjnë 2.9% të prodhimit të brendshëm bruto kundrejt një mesatare 4.5% të vendeve të Bashkimit Europian, dhe po sjell në kujtesën tuaj se në vitin 2013 edhe në Shqipëri ishte më shumë se sa 3.14%. Nuk u fol dot dje asnjë fjali e plotë për  arsimin profesional, ku rreth 70% e maturantëve të shkollave profesionale sot janë në mes të katër rrugëve, e mirë që janë në mes të katër rrugëve, por nuk dijnë as në cilën ministri të drejtohen, se nuk ka asnjë institucion që I merr përsipër, kjo mbas ligjit që u miratua jo më shumë se një vit më parë. Duhej të flitej pak më shumë dje edhe për kaosin ku janë futur universitetet, por mbas asaj reforme të famshme dhe mbas atij ligji të famshëm klientelist për arsimin e lartë, asgjë nuk ka mbetur për tu thënë. Dje ishte numri më I ulët I nxënësve të ulur në bankat e shkollës në 20 vitet e fundit, e dhënë kjo e marrë nga INSTAT, dhe kjo fare thjesht, si rrjedhojë e familjeve që largohen çdo ditë nga Shqipëria. GALLUP në sondazhin më të fundit, e rendit Shqipërinë në vendin e dytë pas Siera Leones, për numër të banorëve që duan të largohen. 56% e shqiptarëve duan të ikin. Mirë në Sierra Leone ka luftë, po nga Shqipëria pse duan të ikin më shumë se gjysma e banorëve? Pse duan të ikin të rinjtë? Pse duan të ikin intelektualët? Pse nuk u tha qoftë edhe një rresht, pse nuk ishte shkruar në atë 25-faqësh se si tua kthejmë shpresën shqiptarëve që të mos ikin nga Shqipëria, por të rrinë këtu në vendin e tyre? Nuk dinte dje stafi I kryeministrit si tu përllogariste minimumi jetik, sepse duhej që në një lloj forme që të reflektohej informaliteti, po çtë bëjmë sot që informaliteti nuk është më thjesht vende pune të qytetarëve që punojnë në të zezë, por plantacione të tëra hashashi që kanë kthyer përmbys ekonominë shqiptare. Mirë që e kanë kthyer përmbys ekonominë, por në të njëjtën kohë kanë sjellë dhe modelin më të keq për të rinjtë shqiptarë.

Atë që i forti është ai që mbizotëron, ai që me pare mund të blesh çdo gjë, atë se krimi të bën të ecësh në jetë. Dhe akoma më keq, ky fenomen, çdo ditë e më shumë, po rrit konsumin e lëndëve narkotike në moshat e reja. Studime janë këto, i gjeni aty, gjithandej, qoftë dhe në internet. Nuk e di nëse e ndihmoj dot qeverinë unë duke i kthyer nga metra katrorë në centimetra katrorë gjithë sheshet urbane që na janë rindërtuar apo rikonstruktuar në këto katër vite. Mbase ato zerot në fund u duken edhe më mirë, mbase po ti hymë një aritmetike të thjeshtë do të na duhet të ulemi sërish edhe për atë qeveri që dje nuk dinte të bënte ndryshimin nga vlera 1 euro nga vlera e njëqind lekëve, ti themi se shqiptarët sot duan të hanë bukë, dhe jo gurët që janë shtruar shesheve në gjithë Shqipërinë. Në broshurën 25 faqëshe dhe fjalët që u mbajtën deri më tani nuk u tha asnjë fjali e qartë se si do të hapen vende të reja pune, por qartazi shpjegohet se çfarë i ka mbetur ende Shqipërisë pa iu dhënë me koncesion. E se si do t’ia shtojmë borxhin këtij vendi por tani me një skemë të re, akoma dhe më moderne, atë të Partneritetit Publik Privat. Lexova një paragraf në broshurë, më bëri përshtypje, kishte një titull të madh dhe të bukur, rinia. Por brenda fatkeqësisht kishte vetëm fjali klishe, rinia nuk ka nevojë për fjali klishe, nuk ka nevojë as për batutat që bëhen këtu mbrapa për të rinjtë dhe nga të rinjtë por kanë nevojë për punë, për mbështetje për një qeveri që mendon për ta. Nuk e kuptova se çfarë legjislacioni do të përmirësonte qeveria në emër të të rinjve, atë të vullnetarizmit, që ka dy vite që ka groposur në sirtarët e ministrisë dhe për të cilën nuk u kujtua asnjëherë. Një qeveri eksperimentale është kjo, po po, sepse nuk ka emër tjetër që m,und ti vendoset një qeverie që arsimin profesional ja jep ministrit të financave. Jam kurioze çdo bëjë më parë ministri Ahmetaj, tatimet dhe doganat, buxhetin e shtetit, do menaxhojë borxhin publik, apo do përgatisë kurrikulat e shkollave profesionale. E në fund meqenëse dje qeveria ishte e hapur për të pritur sugjerime, them që bashkërisht dhe meqenëse këtu kemi shumë deputetë të rinj që jam e sigurt do të jen shumë mendje hapur, ti japim kohë edhe me kryetarin e ri të Parlamentit, kësaj qeverie edhe një javë, po e bëj propozim këtë që të ulet të shkruajë një program qeverisës që të ishte sado pak dinjitoz, jo për ne, jo për këtë sallë, por për ata qytetarë që kanë varur një shpresë të fundit. E në të kundërt, nëse nuk e bëjnë dot këtë dhe minimalisht mos të jenë kaq arrogantë, e kanë vetë në dorë, tek e fundit tepsinë e ndryshkur atë që ndryshkën këto katër vite, e kanë të gjithën për vete. Në s’dalin të tjerat, e kanë dhe një koncesion gati për oligarkët e skrapit që mezi i presin jashtë sallës së këtij parlamenti.

Lini nje pergjigje