Akademia e Shkencave/ Fuga: Reflektoni, kam humbur përfundimisht besimin te kryesia

0
194

Nga media informohem se sot në mbledhjen e asamblesë të Akademisë të Shkencave, jam votuar edhe unë për të qenë pjesë e komisionit reformator të saj.

Unë i falenderoj thellësisht kolegët akademikë për besimin që treguan te unë. Dhe iu shpreh atyre besimin dhe bindjen time se brenda asamblesë ka potenciale intelektuale që po të ishin orientuar si duhet bashkarisht, nuk do të kishim arritur në këtë krizë të rëndë në funksionimin e agjencisë që publiku na ka besuar.

Përtej kësaj, dhe në vazhdim të qendrimeve të mia, jam i detyruar të deklaroj sa më poshtë:

1. Unë nuk do të marr pjesë në asnjë komision reformator pa u plotësuar disa parakushte reformimi. Këto janë dorëheqja e të gjithë kryesisë të Akademisë të Shkencave, e cila e ka penguar reformimin e saj, auditimi shkencor dhe financiar i veprimtarisë të Akademisë, transparenca e figurës të akademikut si edhe konsultimi paraprak i sekretarit të Akademisë me përfaqësuesit e pushtetit publik dhe përpunuesit e politikave publike për shkencën.

Pa këto kushte, komisioni reformator jo vetëm futet në qorrsokak, por edhe e vendos pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv përpara faktit të kryer dhe nuk prodhon bashkëpunim e sinergjitë e nevojshme. Vetëm duke u plotësuar kënaqshëm të paktën disa nga këto kërkesa, unë besoj se një komision reformator mund të kishte kuptim.

Unë shoh se kryesia vazhdon ta fusi asamblenë një hulli jo efikase dhe ta mbajë brenda farsës. Në vend që reformimi i Akademisë të Shkencave të bëhet në bashkëpunim me komunitetin e universitarëve dhe shkencëtarëve të agjencive universitare dhe shkencore publike dhe private, komisioni, me një përjashtim të një zonje të nominuar me emër qysh më parë nga kryesia, vetëm me akademikë, shpreh edhe njëherë mbylljen e Akademisë të Shkencave në vetvete, izolimin e saj nga shoqëria, dhe ku me mekanizmin e verbër të votës në mjedise të mbyllur si kështjella përherë i ka cuar zërat reformatorë në pakicë duke i censuruar.

Marrja pjesë në atë komision reformator edhe e dy ose tre anëtarëve nderi të Akademisë të Shkencave, pavarësisht respektit etik që iu detyrohem atyre, dhe që tashmë në letrën e tyre drejtuar kryeministrit Edi Rama, e kanë shprehur bindjen e tyre për modelin që përkrahin, e bën angazhimin e tyre të bazuar në koncepte të parafabrikuara, të nxjerra jashtë dialogimit, pra mbi baza të paragjykuara. Kjo e kompromenton krejt lirinë e debateve në Komision duke e çuar drejt shumicave të paravendosura.

Unë nuk kam më besim te kryesia e Akademisë të Shkencave pas dhjetë vitesh përpjekjesh nga ana ime për të evituar që gjendja të arrinte deri këtu.

2. Meqë jam paraqitur në publik si kritikues i stagnacionit të Akademisë të Shkencave, në respekt të publikut, si edhe për t’i dhënë përgjigje ndonjë zëri të keqkuptuar, deklaroj, për të mos patur konflikt interesi, se unë nuk do të ndërmarr asnjë iniciativë kandidimi për vendin e kryetarit të Akademisë të Shkencave në zgjedhjet që mund të organizohen fill pas ndonjë një dorëheqje të pritshme të kryesisë aktuale. Por mbetem kurdoherë i gatshëm nga ana tjetër të marr përsipër cdo angazhim që asambleja do të më ngarkonte për t’a reformuar kolektivisht me kolegë të tjerë shpejt dhe saktë Akademinë e Shkencave sipas një modeli efikas dhe të dobishëm.

3. Njoftoj publikun se kur i kam kërkuar kryeministrit Edi Rama që në rast mosreformimi të vërtetë, jo farsë, të Akademisë të Shkencave, Atij i del detyrimi t’a rishikojë bashkë me ligjëvënësit faktin e financimit të një agjencie publike si Akademia e Shkencave, pra in extremis edhe ndërprerjen fatkeqe të financimeve publike për të, sigurisht, nënkuptoj që brenda kësaj mase të fundit dhe të padëshiruar do të përfshihej edhe ndërprerja e pagës sime mujore si anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave.

4. Duke i bërë thirrje kolegëve akademikë që të ndërmarrin hapat e duhura dhe kryesisë që ta rishikojë vendimin e vet dhe të bëhet pjesë e shëndetshme dhe aktive si anëtarë të asamblesë në reformimin e saj, deklaroj se një proces farsë reformimi dhe jashtë bindjeve të mia dhe në konflikt të hapur me to do të më çonte në fund të tij në kohën e gjykuar më të përshtatshme deri në dhënien e dorëheqjes edhe nga statusi i akademikut si forma e fundit e denoncimit të kalbëzimit të atij institucioni.

5. Nëse anëtarët e komisionit të krijuar sot në përputhje me bindjet e vazhdojnë megjithatë aktivitetin e tyre, i cili sipas meje, nën përgjegjësinë e tyre, nënshkruan fundin e Akademisë të Shkencave, unë do t’i drejtohem në mënyrë të pavarur, si akademik, si kërkues shkencor dhe si qytetar, kryeministrit Edi Rama, duke i paraqitur atij si edhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit, përgjegjës për politikat publike, propozimet e mia për një model alternativ të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe brenda tij edhe për modelin e Akademisë të Shkencave.

Me shpresë se kolegët akademikë, sidomos ata brenda komisionit të krijuar sot në mënyrë krejt të gabuar, do të dinë të reflektojnë dhe të mos marrin përsipër nënshkrimin e fundit të Akademisë të Shkencave, falenderoj edhe një herë publikun, mediat si edhe të gjithë miqtë e rrjeteve sociale, universitarët, shkencëtarët që militojnë për një Shqipëri të përparuar dhe dinamike edhe në kërkimin shkencor!

Me respekt,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë të Shkencave

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here