Një rrëfim për politikat rreth LGBTI/ ‘55 shades of gay’ si provokim artistik, regjisorja: Teatri ka obligim të bëhet zë i pakicës

0
329

Çdo shfaqje e ndaluar, çdo shfaqje që pamundësohet të jepet, çdo sulm mbi teatrin, janë në të vërtetë pengesë për shoqërinë që të emancipohet e zhvillohet normalisht

 

Një çift gay kërkon të martohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo kërkesë për kurorëzim në një shoqëri homofobe vjen nëpërmjet shfaqjes premierë ‘55 shades of gay’. Një shfaqje e guximshme, shkruar nga Jeton Neziraj, por që vjen në teatër nga regjisorja Blerta Neziraj. ‘55 shades of gay’ një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë, vjen e interpretuar artistikisht bukur nga një kastë e 5 aktorëve kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia. Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet prej Tristan Halilajt, Bujar Ahmetit, Shengyl Ismailit, Semira Latifit dhe Alketa Sylajt. “55 shades of gay” mund të përshkruhet nga kjo trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim] dhe pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’? Për këtë pyetje, por jo vetëm, regjisorja Blerta Neziraj për gazetën ‘Standard’ ka folur më shumë rreth kësaj shfaqje.

 Intervistoi: Irini Meçe

Do të sillni në Teatrin e Kosovës ‘55 shades of gay’ një rrëfim për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. A mund të na  tregoni disa  detaje më shumë se si do të vijë kjo vepër para publikut?

Shfaqjet që realizoj unë kryesisht janë të atij teatri që mund të definohet si “politik”.Temat janë politike, por edhe mënyra sesi trajtohen në skenë është politike. Në këtë kontinuitet e shoh edhe shfaqjen e radhës që po realizojmë tani, ‘55 shades of gay.’ Natyrisht, bëhet fjalë për një temë tabu, në Kosovë dhe në regjion e më gjerë, por ky është edhe një farë roli që ka teatri, pra ‘emancipues’ shoqëror. Sepse disa kode e rregulla që shumica e shoqërisë i ka vu mbi ne, shpesh nuk jan kompatibile dhe të pranueshme për grupe më të vogla, më të pafuqishme shoqërore. Dhe teatri natyrisht ka obligim të bëhet zë i pakicës, i të pafuqishmit. Teatri që merr anën e shumicës, pushtetit, të fuqishmit, është teatër propagandistik dhe ai shndërrohet në paçavure pa vlerë.

Teksti i ’55 shades of gay’ është shkruar nga Jeton Neziraj. Por si ka lindur e gjithë ideja për ta kthyer në një shfaqje teatri, çka ju ka ngamuar ju?

Titulli i shfaqjes është referencë e filmit ‘50 shades of gay’, por nuk ka shumë lidhje me filmit. Këtu kemi një trajtim krejtësisht tjetër, shumë më politik do të thoja dhe natyrisht, problemet që shtrojmë ne këtu janë të ndryshme nga ato të filmit. Ka 6 vite tanimë që i vendos në skenë tekstet e Jetonit, dhe fati është që lidhja jonë bashkëshortore na e mundëson një afri mbi diskutimin e dramës para se ajo te përfundojë, pra, deri sa shkruhet. Por natyrisht, dramat e reja që dalin për herë të parë para publikut, janë gjithmonë sfiduese dhe ato kërkojnë angazhim shumë të madh. Këtu duhet shtuar edhe presioni që vie prej shfaqjeve të shkuara dhe ‘suksesit’ që ato kan pasur… Sepse, natyrisht, synimi është gjithmonë që shfaqja e radhës të jetë më e mirë se ajo e fundit. Shpresoj që publiku do të vij t’a shoh shfaqjen – dhe me sa e kam parë, interesimi është shumë i madh. Biletat për premierën nesër janë rezervuar thuaja tërësisht. Dhe natyrisht, shpresoj që shfaqja të pritet mirë nga publiku dhe që ajo të pranohet e shihet si një akt artistik, para së gjithash. Ose, nëse duam: si një provokim artistik për një çështje të rëndësishme.

Trajtohet një histori mbi komunitetin e LGBT-së, i cili përtej shqetësimeve të tij si komunitet, ka qenë shpesh pre e abuzimeve sidomos për fonde. Bazoheni mbi raste konkrete?

Unë jo, ndoshta Jetoni kur e ka shkruar ka pasur parasysh ndonjë rast konkret, por unë, në shfaqje këtë element nuk e kam të theksuar në “nivelin e të veçantës”. Ne edhe në atë shpjegimin publik për shfaqjen kemi thënë se bëhet fjalë për një shfaqje që ka një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt”. Në këtë drejtim, çështjen e komunitetit LGBTI e kemi trajtuar nga disa perspektiva, por natyrisht, theksi është mbi homofobinë e një pjese të madhe të shoqërisë dhe nga fakti që komuniteti LGBTI është i papranuar, i shtypur dhe i mohuar në shoqëritë në emancipim e sipër të Ballkanit.

Në realizimin e kësaj shfaqje do ketë një kast aktorësh shqiptar por edhe bashkëpunime nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia. Na flisni më shumë rreth këtij bashkëpunimi?

Aktorët janë nga Kosova dhe ata gjatë krejt këtij procesi pune të provave intensive kanë qenë dhe akoma janë shumë të entuziazmuar me mënyrën e punës, e po ashtu dhe me temën të cilën e kemi përzgjedhur kësaj radhe. Nuk kanë absolutisht kurrfarë barriere në këtë drejtim. Ekipi i aktorëve kësaj radhe është e përbërë nga aktorë të rinj, përveç Shengyl Ismailit, me të cilin është projekti i katërt që jemi duke punuar se bashku.  Pjesa tjetër e bashkëpunëtorëve artistik janë profesionist me disa prej të cilëve po punoj për herë të parë, por që, e di që bashkëpunimi me ta do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Kam bashkëpunim shumë të mirë me ta dhe vërtetë jam me fat që i kam bashkëpunëtor në këtë shfaqje.

Në këto lloj shfaqjesh, kurioziteti më i madh qëndron nëse mes protagonistëve që interpretojnë çiftin gay a do të ketë intimitet apo do të qëndrojnë mes kornizave të një marrëdhënie normale?

Ka skena eksplicite natyrisht që nuk janë të përshtatshme për publikun nën 18 vjet. Megjithatë, publiku besoj prej titullit e ka të qartë se cfarë pret nga kjo shfaqje dhe unë e di që ata të cilët nuk duan që në skenë të shohin momente eksplicite seksi e dhune, nuk do të vinë dhe nuk kanë pse të vinë ta shohin shfaqjen.  Para së gjithash, të shtoj që të mos keqkuptohem se ne dëshirojmë që tema që ne po trajtojmë të komunikoj dhe të pritet mirë nga publiku. Dhe, natyrisht, ta bëj publikun të mendoj rreth problemeve që shtron shfaqje. Pra, çfarëdo dialogu e debati që mund të prodhoj kjo shfaqje (dhe cilado shfaqje tjetër), konsideroj që është i dobishëm, sepse, debati, në mos për asgjë tjetër, ka rol senzibilizues. Në këtë drejtim, konsideroj që çështjet që kanë të bëjnë me homofobinë, me margjinalizimin dhe dhunën ndaj komunitetit LGBTI janë gjëra për të cilat duhet të jemi të gatshëm, në mos për asgjë, atëherë së paku të diskutojmë në mënyrë të lirë.

Por, synimet e një shfaqjeje është vështirë të reduktohen vetëm në “senzibilizim”, sepse ajo përjcellë te publiku shumë më shumë sesa kaq. Para së gjithash, edhe argëtim. Dhe, më duhet të them se ‘55 shades of gay’, para së gjithash, është një shfaqje argëtuese. Super argëtuese.

Sipas jush sa të hapur jemi ne si shoqëri për t’i pranuar tema të tilla, aq më tepër në teatër? 

Nuk guxoj të jap konstatime tani për tani. Mendoj që edhe në të kaluarën ka pasur shfaqje teatri të cilat kanë trajtuar tema të rëndësishme dhe të ‘tabuizuara’, megjithatë, është dëshmuar që publiku ka qenë i gatshëm t’i pranoj mirë. Prandaj, nuk kisha dashur të lëshohem në komente pa e parë sesi do të pritet e pranohet shfaqja. Deri tani, publikisht kemi marr vetëm lëvdata për këtë shfaqje, por ngelet të shihet se çfarë komente do të marrim pasi ajo të shfaqet.

A është e mundur që Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Ndoshta, një variant më i butë sesa ‘revolucioni’! Pra, ai variant i ndryshimit ku komunitetit LGBTI nuk do t’i duhej të jetoj në frikë nga dhuna dhe përçmimi i shumicës homofobe. Pra, këtë e besoj që mund dhe duhet të ndodhë.

Një shfaqje e guximshme me një performancë argëtuese politike dhe provokuese. Sa mendoni ju se do të ngjallë reagime dhe si mund ta presë publiku?

Në këtë faze para premierës vështirë të parashikohet kjo gjë. Nuk do të duhej, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për një shfaqje teatri, megjithatë, nuk i dihet asnjëherë, duke pasur parasysh kontekstin, por edhe duke pasur parasysh shfaqjet tjera që kemi realizuar ne në Qendrën Multimedia, për të cilat, gjithmonë ka pasur reagime nga më të ndryshmet. Çdo shfaqje e ndaluar, çdo shfaqje që pamundësohet të jepet, çdo sulm mbi teatrin, janë në të vërtetë pengesë për shoqërinë që të emancipohet e zhvillohet normalisht.

Shfaqja

“55 shades of gay”

Është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë. Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here