Riorganizim pas zgjedhjeve, Kryemadhi: LSI u sulmua për t’i dhënë pushtet të plotë oligarkisë dhe malavitës

0
121

Lëvizja Socialiste për Integrim nis nga sot riorganizimin e strukturave të saj pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në mbledhjen e kryesisë së LSI-së, kryetarja e saj Monika Kryemadhi tha se riorganizimi do të nisë me analizimin e rezultateve në çdo qark. Ajo tha se LSI kaloi me sukses një sprovë, atë të 25 qershorit ku u targetua në mënyrë kriminale për t’i dhënë pushtet të plotë oligarkisë dhe malavitës në institucione.

 

 

“Menduam që sot të mbledhim Kryesinë e madhe duke pasur parasysh që kemi nisur një sezon të ri politik me rastin e konstituimit të Kuvendit të ri më datën 9 shtator, i cili nis edhe filimin e legjislaturës së re për 4 vitet në vijim. Është detyra e kësaj kryesie për të udhëhequr dhe angazhuar të gjitha forumet drejtuese të LSI-së në të gjithë vendin dhe për të përmbushur me sukses rolin e LSI-së si një forcë opozitare në një moment mjaft kritik për demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Është detyra dhe përgjegjësia jonë që t’i japim një dimension të ri veprimit dhe mendimit opozitar në vend dhe ne tashmë i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë më së miri këtë punë.
Sot LSI është më e fortë se asnjëherë pasi kaloi me sukses një sprovë të jashtëzakonshme të 25 qershorit ku u targetua në mënyrë kriminale për t’i dhënë pushtet të plotë oligarkisë dhe malavitës për kapjen e institucioneve të shtetit. LSI edhe pse konkurroi e vetme dhe u sulmua tregoi konsolidim dhe rritje”, theksoi Kryemadhi.

Ajo deklaroi më tej se LSI ka sot mundësitë të jetë një opozitë profesionale dhe luftarake përballë maxhorancës që sipas saj është pakicë.

“Sot kemi potencialet për të qenë një opozitë përfaqësues, profesionale por dhe luftarake dhe me integretit përballë një pseudomaxhorance të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit që në fakt është pakica dhe jo shumica. Maxhorancë që del nga zgjedhje që janë më të deformuarat që nga zgjedhjet e 26 majit 1996. Ne jo vetëm do të bëhemi zëri i qytetarëve por do t’i bashkohemi halleve dhe protestave. Ndaj sot nisim këtë riorganizim të ri”, tha ajo.

Kryemadhi u shpreh se ky proces do të shoqërohet me hapjen ndaj cilido që kërkon të përfshihet në këtë aksion që synon zgjimin e shumicës dhe shqiptarëve. “Do ta fillojmë riorganizmin me analizimin e rezultateve në çdo qark”, paralajmëroi Kryetarja e LSI-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here