Rektori i UT-së, Mynyr Koni: 1 javë kohë për raundin e dytë. Ja kush mund të aplikojë që nga 15 shtatori

0
Procesi i regjistrimeve në universitete ka arritur në fazën e tretë të raundit të parë, ku shumë studentë janë regjistruar në fakultete, ndërkohë që të tjerë janë ende në pritje. Deri më datë 2 shtator 2017, në Universitetin e Tiranës janë regjistruar 2281 studentë ose 41% e tyre që do të pranohen në programet e studimit që ofron Universiteti i Tiranës. Në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, rektori i këtij universiteti, prof. Dr. Mynyr Koni tregon se procesi i regjistrimit po vazhdon në mënyrë të qetë dhe ka një tendencë rritjeje graduale nga faza në fazë të raundit të parë. Sipas rektorit, procesi po vijon normalisht dhe janë marrë të gjitha masat përkatëse për mbarëvajtjen e tij. Të gjithë ata maturantë, që janë regjistruar në një program studimi në raundin e parë dhe që dëshirojnë të aplikojnë përsëri në raundin e dytë, duhet të çregjistrohen në datën 12 shtator nga programi që janë regjistruar. Ndërkohë, raundi i dytë i aplikimeve në QSHA, fillon në datën 15-12 shtator, duke u dhënë një mundësi të dytë kandidatëve për universitete

Sa është numri i aplikimeve këtë vit në Universitetin e Tiranës?

Loading...

Këtë vit në programet e studimit që ofron Universiteti i Tiranës ka pasur 85.307 aplikime, ndërsa të konvertuar si maturantë janë 18539 që kanë aplikuar në UT, kjo sepse një maturant ka të drejtë të aplikojë në disa programe. Kjo shifër përbën 72% të maturantëve, të cilët kanë aplikuar në të gjithë IAL publike dhe jopublike.

Cilat kanë qenë fakultetet dhe programet e studimit më të preferuara nga maturantët në UT?

Fakulteti i Shkencave Sociale ka pasur aplikimet më të larta me 25,379 aplikime, pas saj vjen Fakulteti i Ekonomisë me 20,416 aplikime e më tej Fakulteti i Shkencave të Natyrës me 13,180 aplikime etj. Duke iu referuar programeve të studimit, numrin më të madh të aplikimeve e ka pasur programi Administrim-Biznesi me 6987 aplikime, pas saj programi i studimit Drejtë- si me 6435 aplikime, e më tej në listën e rankimit vjen Psikologji dhe Punë Sociale me 5685 aplikime secila etj.

A ka programe që kanë pasur shumë aplikime në krahasim me kuotat e përcaktuara?

Ka edhe një të dhënë shumë interesante që duhet shpjeguar. Ne kemi analizuar interesin që kanë paraqitur maturantët në raport me kuotat e miratuara. Programi i studimit Punë Sociale ka 57 herë më shumë kërkesa në raport me kuotat. Pas saj vjen Ekonomiksi me 36 herë më shumë kërkesa sesa kuota e gazetaria me 34 herë etj.

Sa ka arritur numri i maturantëve që janë regjistruar në Universitetin e Tiranës deri në këtë fazë të raundit të parë?

Momentalisht jemi në fazën e tretë të raundit të parë në procesin e regjistrimeve. Në Universitetin e Tiranës numri total i të regjistruarve është 2281 studentë (41%), përkatësisht në Fakultetin e Drejtësisë 512 studentë (68%), në Fakultetin e Shkencave Sociale 110 studentë (19%), në Fakultetin e Shkencave të Natyrës 274 studentë (25%), në Fakultetin Ekonomik 553 studentë (43%, në Fakultetin HistoriFilologji 323 studentë(43%) dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë regjistruar 472 studentë (46%).

Si po vijon procesi i regjistrimeve? A ka hasur problematika?

Deri më tani vihet re se numri i regjistrimeve po vazhdon në mënyrë progresive, konstante, me tendencë rritjeje. Faza e dytë në raport me fazën e parë ka një rritje prej 37%, pra në fazën e parë janë regjistruar 732 studentë dhe në fazën e dytë janë regjistruar 978 studentë. Sot jemi në fazën e tretë dhe deri më tani po vihet re një rritje e regjistrimeve në raport me fazat e mëparshme. Kjo tregon që ka një interes gjithnjë e në rritje nga ana e studentëve për t’u bërë pjesë e Universitetit të Tiranës. Procesi ka vijuar normalisht dhe janë marrë të gjitha masat nga rektorati, fakultetet për mbarëvajtjen e tij.

Shumë maturantë pretendojnë se afati prej 48 orësh nuk është i mjaftueshëm për të bërë zgjedhjen e tyre. Cili është qëndrimi juaj?

Zgjedhja e studentit bëhet në momentin e aplikimit, kur ai plotëson formularin përkatës me 10 programet e studimit. Këtu studentit i jepet e drejta për të zgjedhur dhe sigurisht në momentin e plotësimit të formularit, ai e ka të qartë se çfarë programi i intereson për t’u regjistruar (natyrisht dhe në bazë të rezultateve të tij). Kjo është vendimmarrja e studentit kur aplikon. Me shpalljen e rezultateve vihen përballë preferenca e studentit me rezultatin, pikët. Afati 48-orësh është thjesht kohë për të ndjekur me kujdes procesin, në mënyrë që të shkojë në programin që i intereson.

A ka pasur ankimime nga maturantët?

Në bazë të udhëzimit nga MAS, të gjithë maturantët brenda datës 30 gusht kanë pasur mundësinë për ankimim. Tashmë ky proces është mbyllur dhe vlen të theksohet fakti që numri i kërkesave për ankimime ka qenë pothuajse zero. Kjo tregon për një punë të kujdesshme të departamenteve në vlerësimin e aplikantëve si dhe të drejtuesve të njësive kryesore, sipas kritereve të miratuar.

Kur fillon raundi i dytë i regjistrimeve dhe kush ka të drejtë të aplikojë sërish?

Më datën 12 shtator, të gjithë ata studentë që janë regjistruar në një program që nuk iu pëlqen, u lind e drejta e çregjistrimit. Pas kësaj, ai mund të aplikojë në raundin e dytë me programet e studimit që dëshiron. Raundi i dytë i regjistrimeve fillon në 15 shtator e përfundon më 22 shtator, në të cilin kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë dhe të gjithë ata që kanë aplikuar, por nuk janë shpallur fitues. Gjithashtu, në këtë raund mund të aplikojnë sërish të gjithë kandidatët që kanë kryer aplikimin, por nuk kanë arritur të regjistrohen si dhe ata që janë çregjistruar nga një program studimi.

A janë përcaktuar tarifat e studimit për ciklin e parë për vitin akademik 2017-2018?

Për vitin e ardhshëm, tarifat për ciklin e parë të studimeve ende nuk janë miratuar për shkak se jemi në pritje të vendimit të Këshillit të Ministrave, që do të përcaktojnë kufirin maksimal të tarifës së studimit. Kemi përcaktuar vetëm tarifën e regjistrimit në vlerën 1600 lekë të reja Ndërsa për ciklin e dytë të studimeve, tarifat janë miratuar me vendim të senatit dhe janë të njëjta me tarifat e vitit të shkuar.

Loading...

Lini nje pergjigje