FOTOT/ Ish-burri vrasës i gjyqtares del në gjyq, ja sjellja e tij. Familjarët qëndrojnë jashtë

0
198

Fadil Kasemi, ish-bashkëshorti i gjyqtares së ndierë Fildeze Hafizi, ka dalë paraditen e së dielës para togave të zeza të gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku po zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj tij. Raportohet se ai ka qenë mjaft i qetë në nisje të seancës. Teksa ka dhënë gjeneralitetet, ai ka pranuar krimin, por edhe këtë herë nuk ka folur, s’ka dhënë asnjë detaj më shumë rreth motivit të krimit. Mësohet se familjarët e tij kanë qenë jashtë gjykatës, dhe nuk janë futur në seancë.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon arrest me burg pa afat ndaj Kasemit, i akuzuar për vrasjen e gjyqtares katër ditë më parë.

Burimet zyrtare thanë se organi i akuzës ka dërguar mesditën e djeshme në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi”.

 

Dy akuzat e para që janë ngritur ndaj të arrestuarit lidhen me vrasjen e gjyqtares, ndërsa akuza e “rrëmbimit të personit” ka të bëjë me tentativën e largimit të autorit nga vendi i krimit.

VRASJA

Bazuar në hetimet paraprake të deritanishme, grupi i hetimit theksoi se më datë 31.08.2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, shtetasja Fildes Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohë- sisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria “S…” dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë. Pasi ajo ka hipur në makinën ‘Benz’, me targa AA 880 OS, në këtë kohë është afruar ishbashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë, dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildese Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

RRËMBIMI I PERSONIT

Prokuroria thekson se, më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon Mercedes-Benz, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi, duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

DËSHMIA

Autori i vrasjes së gjyqtares mësohet se nuk ka folur para hetuesve në lidhje me krimin. “I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes”, kanë bërë me dije burimet nga hetimi i çështjes.

Sipas tyre, në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon të caktohet ndaj shtetasit Fadil Kasemi masa e sigurimit “arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”; “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “rrëmbim ose mbajtja peng e personit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here