Rama “braktis” ministrat e rinj: Do jenë vetëm deputetë në rast se …

0
173

ryeministri Rama në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, të publikuar sot, e enjte 31 gusht 2017 tregon për marrëdhënien e tij me ministrat teknikë të Partisë Demokratike.

Ministrat e qeverisë “Rama 2” nuk do ta dorëzojnë mandatin e deputetit dhe si rrjedhojë, nuk ka deputetë të listës që do t’i zëvendësojnë ata.

 

 

Kryeministri Rama zbulon se është tërhequr nga praktika e lënies dhe “zhveshjes” së ministrave të tij nga mandati i deputetit dhe jep arsyet pse ka vendosur që ata të jenë edhe ministra dhe deputetë.

“Nuk do ta ndjekim këtë praktikë, jo pse nuk funksionoi në mandatin e parë, por sepse na duhet të kemi një kompaktësi të plotë dhe ministrat duhet të kenë një lidhje shumë më të fortë me grupin parlamentar se mandatin e parë”- thote Rama.

Në intervistë, kreu i qeverisë tregon se çfarë do të bëhet me ata që prisnin të hynin në parlament, për shkak të lënies së mandatit nga ministrat.

I pyetur për mungesën e një komunikimi personal të tij me ministrat teknikë të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë vlerëson punën e tyre, veçanërisht zv.Kryeministren Ledina Mandija për seriozitetin, për integritetin e saj në raport me detyrën që kreu.

Riemërimi i ministrave të tij në kabinetin e ri qeveritar, për Kryeministrin Rama ka kaluar përmes një analize dhe matjeje të punës së tyre, ndërsa shprehet se ata do të duhet t’i dalin për zot kësaj detyre, përndryshe ata nuk do të jenë më ministra, por vetëm deputetë.

Në marrëveshjen e 18 majit me zotin Basha, ju ratë dakord që në Qeveri të përfshiheshin dhe ministra të PD-së si kujdestarë të administratës për mospërfshirje në fushatën zgjedhore. Por ju nuk zhvilluat asnjë mbledhje qeverie me këta ministra, ishte kjo një shkelje nga ana juaj e marrëveshjes?

Jo, nuk është kështu. Ata kanë pasur të gjitha kompetencat, të gjithë autoritetin për të bërë detyrën e tyre. Ata ishin kujdestarë të zgjedhjeve, unë isha faktor në zgjedhje, kështu që e kam parë shumë më të arsyeshme që gjithë mbarëvajtja e punës së qeverisë t’ia delegoj zv.Kryeministres dhe deri në momentin e zgjedhjeve, kjo gjë ka funksionuar plotësisht.

Pas zgjedhjeve, sigurisht që nuk ka qenë më e nevojshme për të pasur me ta një marrëdhënie pune, sepse ata nuk ishin aty për të zbatuar programin politik dhe qeverisës të Partisë Socialiste.

Me thënë të drejtën, përveç disa ekseseve të pakuptueshme, të pashpjegueshme, të paarsyetueshme në Ministrinë e Arsimit, nga ana e titullares, të tjerët kanë qenë super korrektë në detyrën e tyre dhe nuk kanë lënë asnjë shteg për të mos i falënderuar dhe përshëndetur, sa i takon respektimit të marrëveshjes.

Ka pasur një vetëdije dhe një përgjegjshmëri vërtet për t’u respektuar nga të tjerët, ne na ka ecur çdo gjë mbarë me Ministrinë e Financave, por dhe me dikasteret e tjera. Zv.Kryeministrja mua më ka lënë një përshtypje jashtëzakonisht pozitive për seriozitetin, për integritetin në raport me detyrën.

Por ju raportin e Task-Forcës e cilësuat të njëanshëm, edhe atë nuk e pranuat si vijim të marrëveshjes..

E vërteta është që raporti duhet të dilte shumë kohë më përpara dhe raporti, për hir të së vërtetës, ka qenë gati, por nuk ka qenë politikisht i mjaftueshëm dhe i pëlqyeshëm dhe është dashur të mbingarkohet me dokrra të natyrës politike.

Zoti Peleshi, në raportin e tij për ristrukturimin e disa agjencive, inspektorateve apo autoriteteve, e ndante vendin në katër rajone. Do të shkojmë në eliminimin e qarqeve dhe ndarjen e vendit në katër rajone?

Jo, jo. Qarqet janë të rëndësishme nga ana administrative, janë të rëndësishme edhe nga mënyra se si bashkojnë komunitete të afërta tradicionalisht me njëra-tjetrën, janë të rëndësishme të administrimit të disa komponentëve. Ne do të bëjmë një përmbysje të madhe të sistemit të emergjencave civile, që lë shumë për të dëshiruar, të inspektorateve, që lënë shumë për të dëshiruar, dhe një pjesë e rëndësishme e kompetencave dhe e autoritetit do t’u kalojë prefektëve të qarqeve.

Prefektët do të marrin rolin e një ministri të vogël të brendshëm në qarqe?

Prefektët duam t’i kemi shumë aktivë dhe shumë komplementarë me ministrin e Brendshëm dhe me Ministrinë e Brendshme, në raport me objektivat që ka kjo ministri, e cila nuk është thjesht ministria e Policisë, por ka dhe shumë komponentë të rëndësishëm brenda saj dhe Emergjencat Civile, është një prej tyre. Ndërkohë që Rajonet e Zhvillimit, janë rajone që do na ndihmojnë për të pasur një sens shumë më racional lidhur me investimet publike, lidhur me investimet e huaja, me shërbimet dhe lidhur me eficencën e marrëdhënieve të shtetit me qytetarët.

Një pjesë e ministrave rimorën detyrat e tyre në qeveri, por a pati një analizë apo një matje të punës së tyre, sepse për disa pati dhe një “…por…”?

“Por-i” lidhet me atë që kërkohet më shumë. E vërteta është se të gjithë ministrat, dhe këtë e them pa më të voglin dyshim, kanë përmbushur detyrat e tyre gjatë mandatit të parë. Por detyrat e mandatit të parë, janë detyra të mandatit të parë, detyrat e mandatit të dytë, janë detyra të mandatit të dytë. Detyrat e këtij mandati janë natyrisht më të mëdha dhe objektivat janë shumë më ambiciozë. Kështu që në këtë aspekt, ministrat duhet t’ia dalin vetë për zot përgjegjësisë që kanë marrë.

A do ta lenë ministrat aktualë mandatin e deputetit?

Jo, nuk do ta lenë, do të jenë dhe ministra dhe deputetë.

Nuk funksionoi kjo praktikë e mandatit që sapo mbyllët?

Nuk do ta ndjekim këtë praktikë, jo pse nuk funksionoi në mandatin e parë, por sepse na duhet të kemi një kompaktësi të plotë dhe ministrat duhet të kenë një lidhje shumë më të fortë me grupin parlamentar se mandatin e parë.

Edhe një votë e sigurt dhe e palëkundur në parlament?

Jo, nuk ka të bëjë me votën. Ka të bëjë me kompaktësinë me grupin dhe te krijimi i idesë së qartë, se jemi të gjithë në radhë të parë si deputetë të Partisë Socialiste, që kemi detyra si deputetë, dhe detyra e ministrit nuk është si detyra e deputetit, që është e dhënë dhe e palëvizshme për katër vjet.

Kjo nuk lidhet me precedentin e Lezhës, kur prurjet nga vendet e fundit të listës ishin më pak cilësore, për të mos thënë problematike?

Jo, sepse ne kemi prurje shumë më cilësore dhe kemi qenë shumë më të kujdesshëm edhe në pjesën e mëtejshme të listës. Natyrisht, mund të ketë ndonjë rast, ku për një arsye apo një tjetër, ne mund të hapim rrugë për të sjellë 1,2 apo 3 më tepër në parlament nga deputetët dhe kjo është thjesht si mund të paraqitet rasti. Ndërkohë që deputetët, të cilët potencialisht mund të hynin në parlament nga lënia e mandatit të ministrave, ne do t’i angazhojmë në nivelet e tjera, sepse janë vërtet njerëz të zgjedhur me kujdes e që mund t’i japin shumë qeverisjes.

 ARISTIR LUMEZI 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here