E pa zakontë, në këtë vend të botës nuk mund të përdorësh krem për zbardhjen e fytyrës

0

Një fenomen i çuditshëm ka prekur vajzat e reja me lëkurë të zezë: Ato kanë dëshirë ta çngjyrosin lëkurën duke përdorur kremëra me bazë hidrokinoni (përbërës i kremërave të bukurisë). Shkaku i kësaj dëshire është i thjeshtë: Mediatizimi i bukurisë së lëkurës së bardhë. Kështu, lëkura e bardhë konsiderohet edhe si një shenjë e jashtme e suksesit shoqëror. Sipas një shpjegimi më të thellë të ofruar nga gazetari frango-senegalez, Serzh Bil, në librin e tij “Zbardhuani lëkurën gjithë këtyre zezakëve” (2010), zezakët kanë një ndjenjë inferiorieti karahasuar me njerëzit e bardhë, si pasojë e kolonizimit dhe skllavërisë. Një nënshtrim psikologjik që u është imponuar afrikanëve dhe që u kushton shtrenjtë atyre, qoftë në nivelin financiar, qoftë në dëmtimet që i shkaktojnë lëkurës dhe shëndetit të tyre. Janë të shumta vendet afrikane që e njohin këtë fenomen: në vend të parë Senegali, por edhe Mali, Kameruni, Gana, Nigeria, Bregu i Fildishtë. Në çdo vend, çngjyrosja ka një emër ndryshe: Xessal në Senegal, Bojo në Benin, Tchoko në Kongo, emra që tingëllojnë si kode që vetëm popullata lokale duket se i kupton dhe që tregojnë aspektin tabu të këtij fenomeni.
Prillin e shkuar, qeveria e Bregut të Fildishtë nxori një ligj që ndalonte përdorimin e produkteve të çngjyrosjes: Kremërat që kishin brenda zhivë apo derivatet e saj, kortikoide apo hidrokinon përtej nivelit 2%, janë të ndaluara sipas një dekreti të votuar nga këshilli i ministrave. Hidrokinoni, përbërësi kryesor zbardhues, është zbuluar në vitet ‘60, ndërkohë që deri atëherë përdorej për të zhvilluar fotografitë, shkruan standard.al. Përtej përqendrimit 2% ai ka një efekt zbardhues dhe shkakton një shtim të ndjeshmërisë ndaj diellit. Ky produkt mund të shkaktojë gjithashtu edhe reaksione të forta alergjike dhe ka një efekt kancerogjen. Nisur nga këto cilësi helmuese, ministrja e shëndetësisë e Bregut të Fildishtë paralajmëron për rrezikun e përdorimit të këtyre kremrave. Për fat të keq, as ligjet e as fjalimet nuk duket se e pakësojnë dëshirën e këtyre grave për të çngjyrosur lëkurën e tyre. Katër muaj pas vendosjes së ligjit, sallonet e bukurisë në vend vazhdojnë të propozojnë kremra zbardhuese, kudo shihen afishe reklamash që lavdërojnë meritat e këtyre produkteve dhe që shfaqin manekine me lëkurë të zbardhur. Gjobat e vendosura nga qeveria janë të rënda (shkojnë nga 76-534 euro), por ato ende nuk kanë filluar të aplikohen. A është zgjidhje vendosja e ligjeve dhe taksimi i këtyre produkteve, ndërkohë që shumica e konsumatorëve këmbëngulin në dëshirën e tyre për zbardhjen e lëkurës me çdo kusht? Mbase Bregu i Fildishtë dhe vendet e tjera afrikane të prekura nga ky fenomen duhet të zhvillojnë fushata sensibilizimi dhe informimi për të zgjuar ndërgjegjen e njerëzve dhe larguar këtë mentalitet që i shtyn afrikanët të luftojnë kundër lëkurës së tyre të zezë. Tani për tani, kjo duket si zgjidhja e vetme./standard.al

Lini nje pergjigje