Alarmi, kredia për ndërmarrjet e mëdha ulet me 15 për qind

0

–   Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit, kredia për korporatat ka rënë me 15%, në vlerat më të ulëta që prej vitit 2011

Loading...

Ervin Kaduku

Pa dyshim që edhe nga maja e super-ministrisë së Ekonomi-Financave, super-ministri Arben Ahmetaj do të vijojë të trumbetojë sukseset e arritura nga qeveria Rama në drejtim të konsolidimit dhe lulëzimit të ekonomisë. Por kjo është një diçka që e sheh vetëm ai dhe shefi i tij. Shenjat, ndërkohë, janë tejet negative. Një prej tyre tregon se kredia që japin bankat për biznesin e madh po shfaq rënie edhe gjatë vitit 2017. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit, portofoli i kredisë për biznesin kishte vlerën e 189 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, kredia për korporatat ka rënë me 15%, ndërkohë që është në vlerat më të ulëta që prej vitit 2011. Tkurrja drastike e portofolit në këtë segment të tregut është njëkohësisht rezultat i shtrëngimit të ndjeshëm të kreditimit nga bankat, por, edhe e një procesi të vazhdueshëm të pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura.

 

Për shkak të përqendrimit të lartë të kreditimit në segmentin e korporatave pas vitit 2005, rrjedhimisht shumica e volumeve të kredive problematike erdhën në këtë segment. Pas ndryshimeve rregullative të vendosura nga Banka e Shqipërisë, u detyruan të nxjerrin jashtë bilanceve kreditë e regjistruara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Kjo ka fshirë nga bilancet e bankave vlera të mëdha të kredive të humbura korporatave. Nga ana tjetër, dështimi i shumë korporatave të rëndësishme në ekonomi ka bërë që tashmë bankat të tregohen shumë të kujdesshme për dhënien e kredive të reja në këtë segment.

 

Kredia për biznesin e madh natyrshëm ka vlera më të larta, duke iu krijuar bankave ekspozime të mëdha tek klientë të veçantë. Ngërçi i kreditimit të korporatave është ndër shkaqet kryesore pse totali i kredisë për ekonominë nuk po rritet. Bizneset e vogla dhe individët iu mundësojnë bankave shpërndarjen e nevojshme të rrezikut kreditor, por, nga ana tjetër, te klientët më të vegjël është i vështirë gjenerimi i volumeve të mëdha të kredisë.

 

 

 

Kredia

 

Ndonëse ekonomia raportohet se ka një gjallërim dhe u rrit me gati 4% në tremujorin e parë të këtij viti, sistemi bankar nuk arrin të reflektojë këtë tendencë. Huaja për ekonominë, që është një tregues i financimeve që marrin bizneset për të investuar ose qarkulluar kapitalin dhe individët për të blerë pasuri të paluajtshme apo produkte konsumi, ka shënuar një rënie të fortë në muajin qershor.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 543.5 miliardë lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2016. Vetëm në qershor, stoku i huasë u reduktua me 955 milionë lekë, në raport me muajin e mëparshëm, pasi ishte reduktuar ndjeshëm edhe në janar dhe prill. Në krahasim me dhjetorin 2016, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.7%.

 

Me bazë vjetore (qershor 2017/qershor 2016), kredia e dhënë për ekonominë është reduktuar me 1.6%. Me bazë vjetore, e gjithë rënia është ndikuar nga tkurrja e stokut të huasë dhënë korporatave jo financiare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, stoku i të cilës ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë. Sistemi bankar është përfshirë në një proces të fshirjes së së kredive që janë më shumë se tre vjet vonesë, që kanë reduktuar kryesisht në valutë.

 

Kjo fshirje u reflektua dhe në uljen e treguesit të kredisë me probleme, që zbriti në 15.86% në muajin maj, larg nga niveli rekord i afër 25% që arriti në mesin e vitit 2014. Rritjen më të lartë në vlerë absolute vitin e fundit e ka shënuar kredia për individë, me rreth 8.8 miliardë lekë më shumë, apo zgjerim 8.7%, në raport me qershorin 2016. Banka e Shqipërisë njoftoi në vrojtimin e fundit se bankat vijuan të mbanin të shtrënguara standardet e kreditimit për bizneset, ndërsa i kanë liruar për individët. Këta të fundit kanë rezultuar kredimarrës më të mirë, teksa përqindja e kredive të tyre me probleme është gati tre herë më e ulët se e bizneseve.

Loading...

Lini nje pergjigje