15 objektet e rralla të varrit të faraonit Tutankhamoni

0
630

Tutankhamoni mund të jetë faraoni më i famshëm i Egjiptit të lashtë, por ai ishte vetëm një adoleshent kur vdiq në vitin 1323 p.e.s. Ai mbretëroi vetëm 9 vjet, megjithatë konsiderohej një gjysmë-perëndi, si të gjithë faraonët dhe u bë i njohur thjesht si pasojë e një loje fati. Ndërkohë që varret e faraonëve të tjerë në Luginën e Mbretërve ishin plaçkitur nga gjithfarë njerëzish që kaluan andej, varri i tij mbeti i fshehur nën një kamp punëtorësh ndërtuar jo shumë kohë pas vdekjes së tij. Kështu, thesaret e tij mbetën të fshehura deri në vitin 1922, kur arkeologu anglez Hauard Karter, gërmoi në tokë dhe gjeti një shkallë që të çonte te varri i paprekur i Tutankhamonit. Ai ishte i mbushur me objekte të çmuara që kishin për qëllim t’i shërbenin faraonit në jetën e përtejme. Karterit iu deshën tetë vjet të hiqte dhe katalogonte gjithë objektet që u gjetën aty brenda. Sot, vetëm një pjesë e tyre e vogël janë ekspozuar në Muzeun Egjiptian të Kairos. Ja, 15 më të çmuarat:

 

  1. Maska e varrit të Tuthankamonit

Kjo maskë është e famshme për një arsye. Ajo është gdhendur dhe pikturuar bukur, me linja e karakteristika sensuale dhe përfaqëson një version të idealizuar të djalit mbret. Thuhet se në fillim të 2015-ës, mjekra e maskës funebre, që ishte karakteristike për të gjithë faraonët, edhe ato femra, u thye aksidentalisht dhe është ngjitur me nxitim me ngjitës, gjë që ka dëmtuar sipërfaqen e saj. Më vonë, drejtori i Muzeut Egjiptian e mohoi një ndodhi të tillë.

  1. Statuja e Anubisit

Në varrin e Tutit u gjend edhe një statujë e Anubisit, perëndisë me kokë çakalli, e cila shërbente për të futur shpirtrat e të vdekurve në botën e përtejme. Ajo gjithashtu është e lidhur me procesin e mumifikimit dhe thuhet se mbronte varret.

  1. Nënkresa

Në një kohë kur edhe jastëkët janë bërë “inteligjentë”, kjo nënkresë nuk duket shumë e rehatshme, por mbase guri duket më i rehatshëm kur Shuja, perëndia e ajrit dhe erës, ngre lart kokën tuaj. Këto nënkresa ishin shumë popullore në varret egjiptiane, si një aksesor thelbësor për “banorët që flinin” aty.

  1. Qypat kanopikë

Në një arkë prej alabastri ndodhen 4 qypa kanopikë (qypa ku vendoseshin të brendshmet e mumjeve), të cilët kanë si kapak të gdhendur fytyrën e faraonit dhe janë vënë përballë njëri-tjetrit, shkruan standard.al Në to ndodhen organet e Tutankhamonit të vëna aty para procesit të mumifikimit. Egjiptianët e lashtë besonin se atij do t’i duheshin këto organe në jetën e përtejme.

  1. Erashka e faraonit

Egjipti është vend i nxehtë. Nëse ti je një gjysmëperëndi, erashka jote është e veçantë, e praruar, e zbukuruar me gdhendje dhe me emrin tënd të shkruar përsipër.

  1. Loja e Senetit

Kush thotë se faraonit nuk i pëlqen të luajë një lojë të mirë tavoline? Në kohën kur loja e Senetit u varros bashkë me Tuthankamonin, ajo kishte 1800 vjet luhej në Egjiptin e lashtë dhe lidhej me jetën e përtejme. Loja ishte shumë popullore në të gjitha shtresat e popullsisë. Rregullat e luajtjes së saj kanë humbur me kalimin e viteve.

  1. Koka e leopardit

Në skulpturë duket i adhurueshëm, por është i egër në jetën reale. Leopardi ishte sjellë nga Afrika e jugut dhe admirohej shumë nga mbretërit egjiptianë. Hieroglifi i kokës së leopardit përdorej së bashku me fjalët që kishin lidhje me fuqinë.

  1. Shkopinjtë

Shkopinjtë në formë bumerangu, të gjetur në varrin e faraonit, besohej se do të përdoreshin prej tij për të gjuajtur zogj në botën e përtejme.

  1. Statuja e Ptahut, perëndisë së krijimit

Ptahu njihet edhe me emrat “fytyra e bukur”, “perëndia e së vërtetës”, “zoti i drejtësisë” dhe “zoti i përjetësisë”. Perëndia me kapuç blu ishte perëndia e krijimit dhe ajo mbrojtëse e arkitektëve dhe artizanëve, me një fjalë, e njerëzve që ndërtuan varrin e Tutit dhe gjithçka brenda tij.

  1. Varësja brumbull

Brumbulli ka qenë një nga kafshët më popullore në Egjiptin e lashtë, prandaj ne i gjejmë zbukurimet në formë brumbulli gjithandej. Këtu brumbulli simbolizon perëndinë e diellit që lind, Kheprit, me kokë brumbulli dhe me krahët e Horusit, perëndisë së qiellit.

  1. Kaloshina mbretërore

Kaloshina e Tutit u zbërthye para se të vihej në varr, por më pas u ribashkua për t’u ekspozuar në Muzeun Egjiptian të Kairos. Kohët e fundit, disa studiues supozuan se Tuti kishte vdekur si pasojë e një rënieje nga kaloshina, por ka më shumë gjasa që një aksident apo sëmundje të jetë shkaku i vdekjes së tij.

  1. Statuja e Tutit fëmijë

Tiparet e Tutit në këtë statujë janë të pazakonta, për shkaqe gjenetike. Babai i tij ishte faraoni Akenaten, i cili shkaktoi skandal në Egjiptin e lashtë, pasi u përpoq të vinte kultin e Atenit, një perëndie të vetme në kohën kur egjiptianët u besonin shumë perëndive. Në familje ishte e zakonshme forma e stërgjatur e kafkës, një anomali e shkaktuar nga martesa brenda për brenda familjes. Nëna dhe babai i Tutit ishin gjithashtu vëlla e motër.

  1. Pikturë ornamentale për luftën

Një arsye klasike pse mbretërit mbetën në histori është se shkaktonin shumë vrasje, nëse jo në jetën reale, të paktën në pikturat në dru. Këtu Tuti tregohet në kaloshinën e tij duke u drejtuar shigjetën ushtarëve armiq, mbase sirianë. Koka e armikut poshtë kalit të tij nuk është gjë e pazakontë. Një tjetër imazh makabër tregon Tutin duke marrë duart e prera të armiqve të tij.

  1. Vazot e parfumit

Vazot prej alabastri, të gjetura në varrin e Tutit e të mbushura me aroma të shtrenjta “kishin ende shenjat e gishtërinjve të hajdutëve në to”, sipas Karterit. Vazoja në figurë tregon perëndeshën barkalece, me gjinj të mëdhenj, Hapi, e cila është edhe ajo e pjellorisë, pasi ishte përgjegjëse për përmbytjet vjetore të Nilit që i bënin pjellore tokat rreth tij.

  1. Vetë Tuti

Kohët e fundit, analiza e mumjes së Tutit, së bashku me ato të familjes së tij të famshme, na ka zbuluar shumë detaje për jetët e tyre. Tuti duket të ketë qenë i dobët dhe i ligësht, me një defekt në këmbë (të kthyer nga brenda) dhe i sëmurë nga malarja. Ai, së bashku me gjysmëmotrën e tij ngjizën dy bebe, dy vajza, të cilat vdiqën që në barkun e nënës dhe nuk arritën kurrë të shihnin dritën e diellit./standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here