Timonieri me drejtim të paditur , “ushtarët” e ribesuar rilindas dhe Integrimi i lënë në harresë

0
164

Nga Gëzim Saliu–   Zyrtarizimi i qeverisë së re të kryeministrit Rama, si nga ana strukturore por sidomos nga përbërja e saj, la shumë pak të zhgënjyer. Ndoshta të zhgënjyerit më të mëdhenj mund të kenë qenë vetë socialistët dhe votuesist e zellshëm “ për të bërë shtet”, të cilët në kuadër të “koalicionit me qytetarët” prisnin sipas të gjitha gjasave një qeveri me emra përfaqësues dhe të “papërlyer”. Por në këtë pikë, kryeministri nuk zhgënjeu askënd që mendoi ndryshe, ( të cilët për hirë të së vërtetës ,duke marrë shkas edhe nga bojkoti madhor në 25 qershor, janë shumica madhore në vend), pasi në qeverinë e re “të mirëqënies, punës dhe shtetit” përfshiu plot 10 ministra nga “Rilindja 1”. Fatmir Xhafaj , Olgerta Manastirliu, Lindita Nikolla, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka. Mirela Kumbaro, Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Blendi Klosi dhe Niko Peleshi ishin pjesë e kabinetit “Rama1” dhe e gjejnë veten sërish tek “Rama2”. Të vetmet mungesa që u ndien fort nga Rilindja ishin “kampionët” e qeverisë, sic i thërriste Rama, Saimir Tahirin dhe Ilir Beqjen. Me gjasë, këto dy emra kanë qenë të vetmit të sakrifikuar nga kryeministri për ti dhënë sadopak ngjyrime reformatore kabinetit të ri, tentativë e cila duket vështirë për t’u përtypur kur mendon se në tryezën e vendimarrjeve ekzekutive do jenë të njejtët ministra që u akuzuan për koncensione, favorizime klienteliste dhe korrupsion.

 

Me këtë rikonfigurim të qeverisë si edhe me vazhdimin e praktikave të ndjekura edhe katër vjet më parë, si shembull takimi “konfidencial” me kabinetin në Vlorë, janë të pakta shanset që dallimet mes dy mandateve të jenë të forta, ashtu sic edhe pretendon vetë kreu i qeverisë. Ndonëse këtë herë ka i vetëm timonin e qeverisë dhe shfajësimet për ato që i quante “aleatët pengues të reformave” nuk do pijnë më ujë, kryeministri duket i apasionuar të ndjekë të njejtën rrugë që përshkroi në këto katër vite, të paktën starti duket i tillë.

 

Por përpos këtij zhgënjimi të paralajmëruar, ajo që duket më së shumti si “zonë në errësirë” është e ardhmja e vendit nën drejtimin e kësaj qeverie të ngjyrosur e tëra në të purpurt. Hapi i parë që la shumë dyshime në këtë cështje ishte mungesa e ministrisë së Integrimit në tërësinë e ministrive të prezantuara nga Rama dy ditë më parë në Asamblenë e PS-së. Madje kryeministri as nuk e përmendi fare “Integrimin”, duke mos artikuluar së paku se ajo ishte shkrirë me Ministrinë e Jashtme. U desh reagimi i ish-ministres Klajda Gjosha, e cila foli për harresë të prioritetit kryesor të shqiptarëve, që pala socialiste qeveritare të reagonte përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati duke theksuar se: “Integrimi do jetë pjesë e ministrisë së Jashtme”.

Kjo harresë socialiste për Integrimin Evropian, që në 27 vite por edhe në mandatin e kaluar ishte cilësuar si prioritet kryesor i qeverisë PS-LSI, vjen pikërisht në kohën kur në media e më gjerë po qarkullojnë tezat e një  konfederaten ballkanike e cila e çon edhe më larg anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndonëse besueshmëria e kësaj teze duket e vështirë, mbetet fakt se tanimë BE për vendet e Ballkanit, e sidomos ato me probleme serioze me korrupsionin, azilantët dhe mungesën e shtetit ligjor, përbën  një vendstacion të vështirë për t’u mbërritur. Shqipëria mbetet në rangun e vendeve që ka probleme të mëdha me këto tre komponentë dhe sidomos me azilkërkuesit, që arritën shifra rekord në vitet 2014-2015. Në këto kushte, mungesa e një ministrie Integrimi në kabinetin qeveritar e kthen edhe në më të errët të ardhmen e vendit në raport me aspiratat evropiane të Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here