“Dështimi qeverisës dhe triumfi elektoral i Edi Ramës”

0

Nga: Elton Abilekja

Loading...

Pas heqjes së kuriozitetit për qeverinë e re, pas fjalimit dy orësh të Ramës për shtyllat e qeverisjes, është e qartë se mandati i ri do t’i bëjë shqiptarët më të varfër, por edhe më të kënaqur. Në 2021, bilanci ekonomik i familjeve do të jetë negativ, por njësoj si këtë vit ata do të jenë më të kënaqur. Nga 2013 deri në 2017, Edi Rama qeverisi për të pasurit, më saktë për të pasurit politikisht korrektë.

Ata që, ishin apo jo me Berishën më parë, e kuptuan që llogaria kalonte nga qeveria e re. Ata përfituan leje ndërtimi edhe aty ku nuk lejohej, ata i zhvilluan më tepër bizneset e lojërave të fatit, megjithëse u kapën më shkelje të rënda, morën koncesionet multimiliardëshe që garantonin të ardhura të majme të paktën për 10 vjet, përfituan nga prokurimet pa tender të më shumë se gjysmë miliardi eurosh. Të tjerët, të mesmit dhe të varfrit, u goditën shpejt e shpejt, me dy paketat fiskale të 2014 dhe 2015 dhe u dërguan për emigrim.

U bastisën nëpër bizneset apo shtëpitë e tyre dhe u përdorin si shembull i veprimit të shtetit. Paratë u mblodhën në pak duar, ekonomia lëngoi, shoqëria u polarizua, të varfërit u shtuan, por përsëri votuesit ishin më të kënaqur. Rama kishte menduar edhe për ditën e gjykimit. Shqiptarët gjendeshin mes mjerimit, mundimit dhe harrimit në 2013. Ai nuk ua hoqi mundimin, ua shtoi mjerimin, por u luftoi harrimin. Rilindja urbane, shkoi në çdo qendër qyteti apo qyteze.

Sipas stilit të Rilindjes, miliona metër kub beton u derdh nëpër qendrat e zonave të harruara, për të dhënë shenjën se qeveria është aty. Rilindja Urbanishte një shpenzim kolosal për Buxhetin, një shpenzim që e varfëroi më shumë vendin, një investim që nuk do të kthehet kurrë financiarisht. Si investim politik, bashkë me 130 mijë tapitë e legalizimeve, arriti ta luftojë harrimin dhe ndikoi ndjeshëm në zgjedhjet e 25 qershorit.

Sot shqiptarët janë të mundur nga mjerimi dhe mundimi. Nga mjerimi se nuk kanë punë, nuk kanë shpresë për punë, nuk kanë para, dyert e emigrimit po mbyllen cdo ditë e më shumë, janë të kapur në carkun e keqqeverisjes dhe nuk dalin dot, korrupsionii madh i sfidon me miliardat që shkojnë në pak duar. Nga mundimi se nuk afrohen dot në zyrat e shtetit për të kërkuar shërbim. Sportelet janë të shtrenjta, ryshfeti bën ligjin, korrupsioni i vogël për një certifikatë lindjeje dhe i mesmi për një certifikatë prone, rëndojnë më shumë se ligji. Policë dhe inspektorë me uniforma shumëngjyrëshe kalojnë nga dyqani, makina, me libra gjobash në duar.

Deri në 14 shtator, kur qeveria e re të marrë votëbesimin. Kryeministri e premtoi të dielën. Platforma e qeverisë së tij ishte të shkatërronte mundimin. Nuk do të ketë më inspektorë shumëngjyrësh që vënë gjoba, nuk do të ketë më vuajtje nëpër sportelet e shtetit, nuk do të ketë më ryshfet për të marrë një certifikatë.

Mundimi do të marrë fund brenda këtij mandati. Po mjerimi? Rama nuk e tha, por e la të kuptohet se mjerimi do të shtohet. E la të kuptohet me emërimin e të njëjtëve ministra që ideuan dhe firmosën PPP-të e famshme, që prokuruan pa tender 500 milionë euro, që larguan investitorët e huaj me “indulgjencat” personale. E la të kuptohet kur premtoi që do të vazhdojë me metodën koncesionare që favorizon biznesin e madh, kur premtoi zgjerimin e projektit 1 miliard, që nuk është gjë tjetër veç vazhdimit të investimeve jorentabël, pa projekt dhe pa tender. Është një borxh i kamufluar që humbet në korrupsionin e madh, shton borxhin e shqiptarëve, por rrit edhe taksat për mirëmbajtjen. E latë kuptohet se varfëria do shtohet, kur nuk tha asnjë fjalë për biznesin e vogël dhe të mesëm që punëson shqiptarët, apo për paratë e pista që shkatërrojnë financat dhe delegjitimojnë ekonominë.

Varfëria do të rritet, shoqëria do të polarizohet më shumë, por njerëzit do të jenë të kënaqur. Në fund të mandatit, nuk do të votojnë për gjërat që nuk i kuptojnë, nuk do të votojnë kundër burimit të mjerimit, por pro asgjësuesit të mundimit. Do të jenë më të varfër, më të pashpresë, por më të kënaqur.

Loading...

Lini nje pergjigje