Ish i dënuar për pengmarrje lëvizte i lirë nëpër Tiranë, ja çfarë bëri kur pa se e ndiqte policia

0

 

Një ish-i dënuar për pengmarrje e tentativë vrasje, që i shpëtoi një atentati 9 vjet më parë, është vënë në pranga gjatë një operacioni të Komisariatit nr.6 të Tiranës.
Loading...

Bashkë me të është arrestuar edhe shoku i tij, me të cilin po lëviznin në autostradë me një makinë të blinduar, tip “Audi A8”. Dy “të fortët”, u arrestuan pas një informacioni të siguruar në rrugë operative, se lëviznin me armë pa leje. Menjëherë u organizua operacioni i koduar “Revolveri”, për kapjen e tyre mbrëmjen e së enjtes.

Burime zyrtare të Policisë thanë se u arrestua Roland Domi, 44 vjeç, një person mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare, madje edhe atë italiane, i skeduar disa herë dhe i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Bashkë me të, në të njëjtën makinë dhe i armatosur, u arrestua edhe shoku i tij, Almir Ismaili, 41 vjeç, shkruan Panorama.

Në momentin që efektivët e Komisariatit nr.6 u bënë shenjë për të ndaluar makinën, dy të dyshuarit hodhën armët që kishin me vete, duke tentuar t’i fshihnin. Megjithatë, Policia arriti të sekuestronte dy pistoletat e tyre, njërën të markës “Smith & Wesson” e një tjetër “TT”.

Dy të ndaluarit thanë se armët i kishin për vetëmbrojtje, por justifikimi nuk i shpëtoi nga prangat asnjërin prej tyre.

Personat e arrestuar

Almir Ismaili, njëri nga personat e arrestuar nga Policia për armëmbajtje pa leje, është një emër i paskeduar më parë për ndonjë vepër penale. Por shoku i tij, i arrestuari tjetër Roland (Taulant) Domi, njihet së paku prej 14 vitesh, si një person problematik, madje i konsideruar i rrezikshëm, jo vetëm nga Policia Shqiptare, por edhe ajo italiane.

Në Shqipëria ai ka qenë edhe i dëmtuar edhe i dyshuar në tri raste. Në maj të vitit 2017, kur kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer nga Italia, ai i shpëtoi një atentati pasi kishte darkuar në një lokal në zonën e “Ali Demit”, në Tiranë, bashkë me shokun e tij dhe po bëheshin gati të hipnin në makinë për t’u larguar.

Në atë kohë 36 vjeç, Roland Domi mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri, por arriti të mbijetonte. Madje edhe vendosi të hakmerrej ndaj personit që deshi ta vriste, duke e marrë peng.

Policia arriti të lironte pengun, shtetasin Elvis Gurra, i cili tashmë ndodhet në burg, pikërisht për atentatin ndaj Domit, të cilin ky i fundit, përveçse i hoqi lirinë, tentoi edhe ta vriste. Më vonë, pasi ishte liruar nga burgu për këtë ngjarje, Roland Domi u arrestua sërish në vitin 2012, në autostradë, pasi u kap me një armë pa leje. Për këtë rast ai qëndroi vetëm pak kohë pas hekurave, pasi u mor i mirëqenë fakti se armën e mbante për vetëmbrojtje.

Ndërsa arrestimit një vit më vonë, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, që e kërkonte për krijim të organizatave kriminale, Domi arriti t’i shpëtonte falë një procedure të vonuar, që Gjykata e cilësoi si mosrespektim të afateve ligjore.

Loading...

Lini nje pergjigje