Tiranë/ Veliaj: Fushatë sensibilizuese në shkolla për përballimin e emergjencave civile

0
118

Emergjencat që shoqëruan këtë vit Tiranën, qoftë gjatë dimrit të acartë dhe me reshje, ashtu gjatë verës së nxehtë dhe me vatra zjarresh, sollën në pah se përballimi i situatave të tilla, përveç përkushtimit dhe punës së bashkisë dhe institucioneve të tjera, bashkëpunimi dhe kontributi i qytetarëve mbetet i domosdoshëm. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me institucionet arsimore, do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit për ofrimin e ndihmës në çdo lloj emergjence, por edhe bashkëpunimin me institucionet e specializuara.

 

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa vizitoi ambientet e stacionit të shërbimit të emergjencës mjekësore “ERA”, theksoi se krahas punës së përditshme që bëjnë qendra të tilla emergjencash, janë të nevojshme edhe nismat për edukimin e qytetarëve në dhënien e ndihmës së shpejtë, por edhe për të bashkëpunuar me shërbime të tilla, qofshin këto mjekësore, zjarrfikëse etj. “Bashkë me shërbimin ‘ERA’ dhe zjarrfikëset e Tiranës do të vijojmë fushatën tonë të ndërgjegjësimit, të edukimit dhe informimit, sidomos me nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare, sepse besoj që një brez i ri më i ndërgjegjshëm, që respekton më shumë jetën, është më i përgatitur të përballet me emergjencat”, theksoi Veliaj.

Ai falënderoi qendrën “ERA” për ndihmën që jep në Tiranë në përballimin e emergjencave të ndryshme dhe theksoi se ky është një model që duhet ndjekur. “Më vjen mirë që për herë të parë kemi një model tjetër të të bërit të gjërave, ku nuk vëmë gishtin se çfarë nuk funksionon, por japim një kontribut. Dikush mund të thotë se nuk është perfekt, por kjo është një mënyrë se si mund të ngremë një model që bashkëpunon me strukturat shtetërore. Ndaj i jam një mijë herë mirënjohës shërbimit ‘ERA’ për ato një mijë jetë që shpëtohen çdo vit në Tiranë, falë ndërhyrjes tuaj në bashkëpunim me urgjencat publike”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shprehu besimin se kjo eksperiencë e parë në këtë fushë do të shërbejë që edhe si një frymëzim për shërbimin publik, që ai të shtrihet edhe në një territor më të gjerë në Tiranë. “Mezi pres ta shikoj se si kjo punë të mund të kthehet në një fenomen ngjitës edhe për shërbimin publik, jo vetëm në Tiranë që ka ecur përpara, por edhe në hapësira të tjera. Mezi pres gjithashtu që ky bashkëpunim, i cili ka filluar në aksin nga Sheshi Skënderbej drejt Kombinatit, duke përfshirë Rr. e Kavajës, akset kryesore rreth 21 Dhjetorit, një pjesë të Unazës deri në autostradë, të shtrihet në më shumë territore të vendit”, shtoi kreu i bashkisë.

Veliaj theksoi Bashkia e Tiranës nga ana e saj ka ndërmarrë një sërë hapash për të disiplinuar qytetarët gjatë lëvizjes në akset dhe kryqëzimet kryesore, si dhe ka marrë masa që në rrugët e reja të ketë alternativa kalimi për të shmangur çdo mundësi që sjell rrezikun e jetës. “Në të gjitha akset kryesore kemi filluar të vendosim kangjella për të diktuar vendet ku kalohet rruga. Kështu shmangim shumë prej aksidenteve që janë të shmangshme, por që shkaktohen kur qytetarët kalojnë autostradën në mënyrë të papërgjegjshme. Jemi kujdesur gjithashtu që edhe në investimet e reja, jo vetëm të vëmë këto kangjella, por ashtu si në autostradën e re në drejtim të Lundrës dhe në Unazën e Madhe të Tiranës, të kemi mjaftueshëm mbikalime, ku qytetarët të kenë një alternativë të sigurt për të kaluar rrugën pa marrë risqe të panevojshme që rezultojnë fatale në qytetin tonë”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
thumbnail_Veliaj ne qendren e emergjencave (2)

thumbnail_Veliaj ne qendren e emergjencave (3)

thumbnail_Veliaj ne qendren e emergjencave (5)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here