Flet kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi: “Ju tregoj përse kampi veror i LRI-së është kthyer në trend”

0
140

Një nga ngjarjet më të bukura të verës, që me shumë mundësi ju ka rastisur ta hasni kudo në rrjete sociale, është kampi që organizon LRI (Lëvizja Rinore për Integrim), që siç do thoshin kryetarja aktuale e LSI-së Monika Kryemadhi dhe presidenti Ilir Meta, është motori më i fuqishëm që kjo forcë politike ka.

Dhe ashtu vërtet! Mjaft të klikosh në profilet në rrjete sociale të aktivistëve të rinj dhe menjëherë të kap zilia të jesh mes tyre, sepse çdo vit e më tepër ata e rrisin dozën e qejfit dhe organizimeve të mira që bëjnë në kampin veror në Jalë, aktivitet që është kthyer në traditë dhe këtë vit shënjoi përvjetorin e nëntë.

Por duke qenë tejet kuriozë, si ne ashtu me siguri edhe ju si lexues, ne të Blitz.al i kemi realizuar një intervistë vajzës që qëndron në krye të këtij organizimi dhe të LRI-së, Floida Kërpaçit, e cila gjithashtu do të jetë edhe një përfaqësuese e denjë e LSI-së këtë vit në parlament sepse ajo e fitoi këtë mundësi gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit.

Pas përfundimit të një rrugëtimi shumë të këndshëm veror së bashku me  800 të rinj, të cilët i janë bashkuar argëtimit në kamp, Floida ka treguar për Blitz.al se në fakt, përveç qejfit, muzikës dhe humorit që nuk është kursyer në kampin e këtij viti, LRI ka bërë të mundur ngritjen e një akademie të vërtetë politike për të rinjtë, fakt që sigurisht e bën të ndihet shumë krenare e në këtë intervistë na ka rrëfyer të gjithëve se cila është “receta” që

“receta” që e ka kthyer kampin veror të LRI-së në një trend në Shqipëri.

 

1 – Kampingu i LRI-së në Jalë është kthyer tashmë në një trend dhe një shembull organizimi edhe për grupet e tjera të të rinjve. Çfarë ju bën juve kaq të veçantë?

-Kampingu veror i Lëvizjes Rinore për Integrim në bregdetin e mrekullueshëm të Jalës nuk mungoi as këtë vit. Tashmë është bërë një traditë e shkëlqyer e LRI-së dhe është një aktivitet i shumëpritur gjatë gjithë vitit nga anëtarët e forumit, veçanërisht nga ata që sapo kanë hedhur hapat e parë në angazhimin e tyre politik. Edhe pse të gjithë vinin pas një fushate zgjedhore shumë intensive, energjia e tyre nuk ishte shuar aspak, madje vumë re një energji të shtuar të çdo të riu dhe të reje nga e gjithë Shqipëria për të kontribuar me ide dhe punë konkrete. Krahas trajnimeve apo momenteve të kaluara së bashku, aktiviteteve social-kulturore, kemi rënë dakord për një axhendë të gjerë e të zellshme organizative e politike, për të qenë akoma dhe më pranë rinisë shqiptare në të gjitha problematikat që ajo has dhe të punojmë gjithmonë e më shumë për rritjen e përfaqësimit të tyre. E veçanta e Lëvizjes Rinore për Integrim është se ne jemi një forum rinor aktiv gjatë gjithë kohës në shërbim të rinisë shqiptare. Ndërkohë që fatkeqësisht vëmë re se partitë e tjera kanë përdorur rininë. Ne, falë edhe hapësirave të krijuara nga LSI, kemi arritur të krijojmë një frymë mes të rinjve që zhvillon aftësitë personale, që i bën të rinjtë më të vëmendshëm ndaj aktualitetit politik në Shqipëri e rrjedhimisht më aktivë për të mbrojtur interesat e rinisë shqiptare e të ardhmes së vendit. Ndaj dhe radhët tona janë shtuar e shtohen dita-ditës, sepse gjithmonë e më shumë të rinjtë duan të jenë pjesëmarrës në drejtimin që do të ecë vendi, që të mos jenë të detyruar të emigrojnë, por të ndërtojnë një të ardhme më të mirë këtu, në vendin e tyre. Lëvizja Rinore për Integrim beson e punon që Shqipëria të jetë e të rinjve, kjo është e veçanta me të tjerët që Shqipërinë e duan për përfitime personale.

2 – Duke qenë se ky ka qenë viti i 9-të i organizimit të përvitshëm të kampingut, pati ndonjë risi për të shënjuar këtë përvjetor?

-Unë jam ndierë shumë mirë për rolin që morën vajzat e Lëvizjes Rinore për Integrim gjatë këtij kampingu, gjatë trajnimeve apo debateve të zellshme që zhvilluam. Jo se vitet e tjera nuk kanë qenë, por ndryshimi i drejtimit të partisë, ku në krye është një grua, ka dhënë një efekt të jashtëzakonshëm.

Imazhi i kryetares së partisë, znj. Monika Kryemadhi, që përfaqëson modelin e një gruaje të fortë, e para në drejtimin e një partie të madhe në Shqipëri, ka inspiruar shumë prej vajzave të LRI-së që të jenë më të lirshme, me më shumë vetëbesim për të shprehur idetë e tyre e për t’u angazhuar edhe më shumë. Besoj se ky ndikim do të vazhdojë edhe gjatë muajve që do vijojnë e do shohim një shtim të vajzave në radhët e LRI-së dhe LSI-së.

Kam bindjen se modeli i saj do të ndikojë gjithashtu te gratë e vajzat e Shqipërisë për të kërkuar më shumë nga vetja, nga shoqëria e komuniteti ku jetojnë.

 

3 – Sa të rinj kanë marrë pjesë këtë vit në kampingun që keni organizuar? A shtohen pjesëmarrësit çdo vit dhe a janë të gjithë anëtarë të LRI-së apo ka edhe jo-simpatizantë të LSI-së që ju bashkohen për qejf?

-Kampingu veror nuk është një instrument për të tërhequr anëtarë të rinj, është një akademi politike dedikuar anëtarëve të LRI-së që kanë spikatur më shumë në angazhimin e tyre gjatë vitit. Kampi na shërben për të evidentuar elementët e rinj që do t’u besojmë më shumë përgjegjësi në të ardhmen. Këtë vit kemi pasur në kamp rreth 800 të rinj, me një balancë të përfaqësimit gjinor por edhe sipas grupmoshave.

4 – Mund të na tregosh disa nga aktivitetet më pikante të organizimit të këtij viti?

-Po e nis me trajnimet, ku të rinjtë janë bërë pjesë e diskutimeve për aktualitetin politik, integrimin europian, ekonominë, arsimin, sigurinë kombëtare, politikat ndërkombëtare, funksionimin e shtetit, bujqësinë etj. Mund të them që kanë qenë trajnime që kanë zgjatur me orë, pikante dhe problematike po aq sa situata në Shqipëri: ekonomi e dobët dhe shkatërruese për familjet tona, siguria e cila mungon, politika që çdo ditë ndikojnë negativisht në jetët tona, arsim që nuk të çon në të ardhmen që ke punuar, paga shumë të ulëta dhe mbi të gjitha një realitet ku mbi 56% duan të largohen. E për të vazhduar më tej me organizimet e darkës të cilat kanë qenë një ndërthurje e notave të humorit, promovimit të talenteve të reja, ideve fantastike të të rinjve të cilat na kanë habitur, por edhe na kanë dhënë shansin që duke hipur në skenë t’i njohim më shumë. Klajdi ishte një nga artistët e zbuluar këtë Jalë, i cili ideoi dhe realizoi emisionin e tij humoristik. Serenatat, vallet, këngët i shtuan harmoninë dhe gëzimin kampit tonë. E për të vazhduar me lojën politike, e cila këtë vit ishte shumë e zjarrtë, ndërmjet partive politike.

5 – Po për gatimin, pastrimin dhe çështje të këtij lloji keni persona të cilët i keni vendosur të kenë këtë funksion që më parë apo të gjithë bashkë merreni vesh me njëri-tjetrin dhe këto funksione përmbushen spontanisht?

-Një ndër qëllimet e kampit është rritja e bashkëpunimit dhe frymës së solidaritetit mes të rinjve me jetën në komunitet dhe shërbimi e përkujdesja ndaj njëri-tjetrit. Ndaj edhe çdo pjesëmarrës ka përgjegjësi për t’u angazhuar në punët e kampit, ku përfshihet edhe gatimi, pastrimi, sistemimi i çadrave etj. Që në fillimet e tij kjo skemë organizimi u ka mësuar mijëra të rinjve kulturën e punës në grup dhe të rëndësisë së përmbushjes deri në fund të përgjegjësisë së marrë. E rëndësishme në këtë model organizimi është që të rinjtë të kuptojnë sa i rëndësishëm është ky model, për të kuptuar se për shtëpinë tonë, për komunitetin, ashtu si dhe për Shqipërinë tonë duhet të kujdesemi, gjithsecili duhet të bëjë punën që i takon që të arrijmë të përmbushim synimet e mëdha.

6 – Kemi vënë re se edhe disa personazhe të njohura shqiptare mezi e presin kampingun e verës së LRI-së. Mund të na tregoni se cilët prej tyre kanë qenë të pranishëm?

-Prezenca e të ftuarve e bën kampin më interaktiv dhe më dinamik. Gjatë viteve në kamp kemi pasur kënaqësi të kemi mes nesh ambasadorë të nderuar, si ambasadori i Shteteve të Bashkuara, ai i Francës, i Austrisë apo Izraelit; figura të shquara si Rexhep Mejdani, Arta Dade, ekspertë të fushave të ndryshme si Ilir Kulla, Koço Danaj e njerëz nga bota e medias, si Blendi Fevziu, Desada Metaj, Olti Curri, Fiori Dardha,drejtues të LSI-së, ministra, anëtarë parlamenti etj., të cilët kanë mbajtur disa leksione që kanë zgjatur me orë të tëra, sepse interesi dhe temat e diskutimit kanë qenë gjithëpërfshirëse për çdo të ri pjesëmarrës. Gjej rastin me anë të kësaj interviste të falënderoj të ftuarit tanë që kanë qenë pjesë e kampit dhe i kanë dhënë çdo të riu shansin për të diskutuar dhe hapur horizonte të reja në botëkuptimin e tyre.

7 – Pika më e fortë e LRI-së është që organizoheni me njëri-tjetrin si një familje e madhe. A organizoheni po kaq mirë dhe me këtë frymë grupi edhe për punët brenda partisë, duke lënë mënjanë argëtimin e kampingut?

-Ashtu siç e theksova edhe më sipër, kampingu është shembulli perfekt i akademisë politike, ku organizimi dhe mbarëvajtja e tij na bën të kuptojmë shumë nga njëri-tjetri dhe na ndihmon për të filluar punën në shtator me dinamizëm të ri. Lëvizja Rinore për Integrim është forumi rinor më i madh, më i përfaqësuar, por edhe forumi ku të rinjtë besojnë se duke rritur angazhimin e tyre brenda këtij forumi ata do të punojnë për kauza që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Angazhimi në forumin rinor ndihmon çdo të ri të njohë por edhe të tregojë për veten duke kërkuar një shans, të ketë atë shans të cilin e ka parë të bërë realitet te shumë të rinj që janë bërë pjesë e politikës. Ne jemi një familje e madhe, sepse e njohim njëri-tjetrin, kemi kaluar vështirësi, por edhe gëzime bashkë, dhe jemi rritur si në një familje, me harmoni, bashkëpunim, sakrifica të mëdha për një qëllim, të çojmë përpara kauzat e rinisë. Ne jemi familje e madhe sepse kemi ndjenjën e humanizmit, politika kërkon angazhim, përkushtim dhe ndjenja njerëzore për të qenë me njerëzit dhe për njerëzit.

 

8 – Besojmë se tradita juaj e kampingut do të vazhdojë të mbetet gjithmonë, ne duam të dimë se çfarë mesazhi japin të rinjtë e LRI-së për politikën shqiptare nga këto ditë qejfi dhe argëtimi?

-Më shumë se mesazhi që i japin politikës shqiptare është e rëndësishme mesazhi e dakordësia që të rinjtë kanë me njëri-tjetrin. Ata mësojnë se ka më shumë gjëra që i bashkojnë se i ndajnë dhe se nëse duan një të ardhme të mirë, nuk zgjidhin gjë duke u ankuar apo duke drejtuar gishtin të politika e vjetër, sepse sado premtuese mund të duken fjalimet boshe të pushtetarëve që gëzojnë dhe mbulim të mirë në media, të rinjtë janë të zhgënjyer nga vendi që kanë ndërtuar politikanët e vjetër, që para interesit personal nuk kanë ditur të shohin apo të vendosin asnjëherë interesin e brezit të ri apo të vendit. Këtë rinia e sheh në arsimimin që merr, në mundësitë e paketa për punësim, në mungesën e një mori të drejtash e kushtesh që i pengojnë ata të projektojnë të ardhmen e tyre pas 5 apo 10 vitesh. Sepse ai projeksion gjithmonë do të jetë i zymtë dhe jo një jetë më e mirë. Ndaj dhe më e rëndësishmja është mesazhi i bashkimit që i përçojnë njëri-tjetrit. Mendoj se rinia është më e bashkuar se çka qenë më parë dhe më e predispozuar për të qenë më aktivisht në kundërshti me çdo politikë të dështuar që nuk i shërben interesit të vendit dhe të rritjes së brezit të ri. Ndaj do të shohim shumë herë më shumë të rinj të angazhuar politikisht në shoqëri e që do të përcaktojnë me energjinë e tyre rinore e me mbrojtjen me zemër të ardhmen e tyre. Vetëm të rinjtë mund të jenë aktorët më të rëndësishëm të ndryshimeve të mëdha që kërkon vendi, në drejtim të mbrojtjes së demokracisë dhe të vlerave europiane.

9 – Të jesh kryetare e LRI-së dhe rrjedhimisht të jesh në krye të vëmendjes dhe organizimit të një kampingu gjigant, çfarë ndjesie të jep kjo përgjegjësi?

-Lëvizja Socialiste për Integrim është parti e të rinjve. Mbi 70% e votuesve të saj janë të rinj dhe një pjesë shumë e madhe e anëtarëve të forumeve drejtuese janë të rinj. Ndaj në një forcë politike ku rinia është fuqia më e madhe është përgjegjësi e jashtëzakonshme të drejtosh forumin rinor të saj. Të drejtosh mijëra të rinj kërkon angazhim, kujdes, dashuri dhe të bësh më të mirën tënde duke i lejuar vetes të mësosh edhe nga gabimet që ndodhin gjatë rrugës e për t’u përmirësuar. Drejtimi i LRI-së është një përgjegjësi që e përmbushim së bashku me të gjithë ekipin drejtues, me drejtuesit e LRI-së të degëve të forumit nëpër rrethe, e falë ndihmës gjithmonë të ofruar nga drejtuesit e LSI-së për ato gjëra ku eksperienca e brezave është e nevojshme të bashkohet për të bërë më të mirën. Lëvizja Rinore për Integrim është prej 13 vitesh forumi rinor politik më aktiv në mbrojtje të interesit të rinisë dhe në advokim për një Shqipëri të të rinjve dhe sukseset e çdo beteje të fituar i atribuohen frymës së bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, dashurisë e përkushtimit që secili ka dedikuar. Përgjegjësia ime më e madhe është të vazhdoj me të njëjtin model, sepse është ky model që po frymëzon rininë e vendit për ndryshim dhe jam e bindur se me atë axhendë që kemi përgatitur ndryshime të mëdha e presin vendin dhe ato do të vijnë nga LRI, nga rinia e vendit. /Blitz.al/

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here