Spiunazhi nëpër shekuj / Pak histori e profesionit të dytë më të lashtë…

0
251

Nga spiunët e Testamentit të Vjetër tek ata mesjetarë, duke kaluar tek kodet romake: shekujt e parë të shërbimeve të fshehtë kanë qenë të mbushur me surpriza. Edhe Zhan D’ark mbeti viktimë e një spiuni që paguhej nga anglezët


Zhan D’ark, bijë fshatarësh e lindur në vitet e parë të Katërqindës, rritur në Lorenë, në verilindje të Francës së sotme, pranë kufirit me Gjermaninë, siguroi një vend për veten në histori, edhe pse përfundoi në turrën e druve pa mbushur ende 20 vjeç. Që në moshë të hershme, ajo thoshte se ishte ngarkuar nga Qielli për të mbrojtur Francën nga dominimi anglez në epokën kkur të dy vendet përplaseshin në Luftën e Njëqind Viteve. Aftësitë e saj mbresëlënëse taktike i sollën shumë fitore të rëndësishme, aq sa hyri në vëmendjen e princit që më vonë do të bëhej Mbreti Karli VII i Francës: thuhet se ky takim e shtyu mbretin e ardhshëm që të kishte shumë më tepër besim në kauzën franceze.
Natyrisht, triumfet e Zhanës ishin vënë re nga anglezët; ishte e pabesueshme që një vajzë kaq e re, një fshatare analfabete, të mund të arrinte kaq shumë suksese, prandaj duhej të kishte vetëm një shpjegim të mundshëm: duhej të ishte një shtrigë. Në maj 1430 Zhana u kap në Compiegne, në veri të Francës dhe iu dorëzua peshkopit të Beauvais, Pierre Cauchon që t’i merrte një rrëfim.


Por në realitet, Cauchon ishte një spiun anglez. Një vit më herët, dioqeza e tij ishte kërcënuar nga ushtria franceze, prandaj u kish kërkuar ndihmë anglezëve, duke i shpërblyer me rolin e tij në përcaktimin e fatit të Zhan D’arkës.
Cauchon orkestroi procesin dhe shfrytëzoi kontaktet e tij, duke i kamufluar në mënyrë që të fitonin besimin e Zhanës dhe të shkëpusnin informacione, që më pas t’i përdornin kundër saj. Këto lëvizje funksionuan dhe Cauchon luajti një rol thelbësor për ta bërë që të pranonte krimin e herezisë. Zhan D’ark (më pas e pagëzuar nga Papa Benedikti XV në vitin 1920) u dogj e gjallë në vitin 1431, por për shumëkënd mbeti një heroinë.
Shpesh herë, spiunazhi është quajtur profesioni i dytë më i lashtë në botë, i kaluar vetëm nga prostitucioni (me të cilin shpesh herë edhe krahasohet). Përmendjen e parë e gjejmë në Testamentin e Vjetër, kur thuhet se “Moisiu dërgoi burra që të spiunonin në tokën e Kanaanit”. Ka përmendje të tjera të aktiviteteve të ngjashme në Bibël, për shembull: “Dhe Jozefi, biri i Nunit, dërgoi tek Sittimi dy burra që të spiunonin duke thënë: ‘Shkoni, hidhini një sy atij vendi dhe Xherikos’. Ata shkuan dhe mbërritën në shtëpinë e një prostitute, e cila quhej Rahab dhe u ofroi strehim”.


E dijmë që në lashtësi spiunazhi ishte një funksion i qeverisjes dhe i luftës, si për shembull në shekullin V para Krishtit, në konfliktin mes Athinës dhe Spartës. Lufta e Peloponezit, siç njihet, ishte një konflikt i përgjakshëm që zgjati për më shumë se 25 vjet, luftuar mbi të gjitha në det, dhe që përfundoi me shkatërrimin e flotës së Athinës në vitin 404 para Krishtit. Në rrëfimin e tij të luftës, historiani grek Tuqididi rindërton betejën dhe përmend “informacionet” e marra jo vetëm për dislokimin e anijeve të armikut, por edhe përbërjen e flotës.
Nën drejtimin e Jul Cezarit, në shekullin I para Krishtit, u bë gjithnjë e më e rëndësishme që të mund të jepje urdhëra ushtarakë nën siguri, me qëllim që, edhe nëse korrieri të kapej dhe torturohej, të mos mund të zbulohej përmbajtja e mesazhit. Zgjidhja e zgjuar e këtij problemi ishte krijimi i “shifruesit të Cezarit”: detajet na janë dhënë prej historianit romak Svetonit, i cili në biografinë e Cezarit të shekullit I na shpjegon se si funksiononte. Bëhej fjalë për një kod tejet të rëndomtë, por duke qenë se në ata vite të gjithë ishin pothuaj analfabetë, ishte potencialisht i sigurtë. Përdorte një zëvendësim të thjeshtë monoalfabetik, pra që gërmat zëvendësoheshin nga të tjera në të majtë ose në të djathtë, për një numër të caktuar pozicionesh, në mënyrë që A bëhej D, B bëhej E e kështu me radhë. Rezulati dukej një gjë e padeshifrueshme, por cilido që e kishte kodin e kishte të kollajtë. Me rënien e perandorisë romake, shërbimet e fshehtë praktikisht u zhdukën. Vetëm në Pesëqindën rilindi shërbimi i fshehtë i vërtetë, që në shekujt e mëhershëm ishte përdorur shpesh në konflikte lokale apo në formën e korrierëve dhe informatorëve, por gjithmonë në mënyrë sporadike, jo si sistem i organizuar. Me ndonjë përjashtim të spikatur: mjafton të mendosh për rolin e luajtur nga informatorët e Inkuizicionit spanjoll, apo personazhe me ndikim si Makiaveli e përshkruanin rolin e shërbimeve të informimit në mbrojtjen e shtetit.


Në Treqindën, Republika Veneciane krijoi Këshillin e të Dhjetëve, një organizëm super i fshehtë që duhej të mbronte Republikën. Për këtë qëllim, mbledhja e informacioneve u bë gjithmonë e më vendimtare, mbi të gjitha kur në mesin e Pesëqindës u krijua detyra e “hetuesit shtetëror” dhe krimi i tradhëtisë u shpall i dënueshëm me vdekje. Afërsisht në po të njëjtën periudhë, në Anglinë elisabetiane, Lordi Burghley dhe sir Francis Ualsingham ndryshuan vetë konceptin e inteligjencës. Për herë të parë u ngrit një rrjet agjentësh në vend dhe jashtë tij, dhe u koordinua me qëllime të përbashkëta si dhe u përdorën mënyra të ndryshme të mbledhjes së informacionit. Pas kësaj periudhe, roli i spiunazhit u bë gjithnjë e më i rëndësishëm, për shkak të serisë së pafund të luftërave në Evropë. Gjatë luftës civile angleze të dy palët, kokërrumbullakëtit dhe kalorësit besnikë të mbretit, përdorën spiunë për të kuptuar se çfarë planifikonte armiku: kjo periudhë përkoi me krijimin e funksionit të “Kryekriptografit të Oborrit dhe Parlamentit”. I pari që e mori atë funksion ishte John Uallis, një matematicien i njohur që përdorte njohuritë e tij për të krijuar kode apo deshifruar informacionet e armikut. Në Gjashtëqindën, dhe me zhvillimin e shteteve-kombe, inteligjenca u bë degë e diplomacisë dhe qeverive, dhe funksioni i saj ishte të mbronte sovranët nga rreziqet e brendshme, por edhe për të gjetur mjete informimi të sigurta.
Njerëzimi gjithmonë ka qenë kurioz, dhe shërbimet e fshehtë janë mjeti ideal për të siguruar informacione. Me ndryshimin e luftërave dhe zgjerimin e intensifikimin e rreziqeve, është bërë gjithnjë e më thelbësor përdorimi i çdo mjeti të nevojshëm, për të mbledhur detaje mbi planet e armikut. Teknologjia ka ndryshuar shumë ndër shekuj, por motivi qendror i spiunazhit i ka mbetur besnik origjinës. / Përgatiti: Bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here