“Po shkojmë drejt luftës së pashmangshme bërthamore”

0

Korea e Veriut i është rikthyer sërish kërcënimeve ndaj Shteteve të Bashkuara. Peniani e ka cilësuar stërvitjen e përbashkët ushtarake të trupave amerikane dhe koreano-jugore si një sjellje të pamatur, që po çon drejt luftës bërthamore. Por sipas Uashingtonit, ky kërcënim nuk do të pengojë zhvillimin e stërvitjes siç është planifikuar.

Loading...

Korea e Veriut ka paralajmëruar se stërvitja e përbashkët ushtarake mes trupave amerikane dhe koreano-jugore është “një sjelle e pamatur që po e çon situatën në fazën e pashmangshme të luftës bërthamore”.

Peniani deklaroi se ushtria e vendit mund të godasë Shtetet e Bashkuara në çdo kohë, dhe as Guami, Hauai apo vetë SHBA-të nuk do të mund të shmangin “sulmin e pamëshirshëm”.

Mesazhi në ‘Rodong Sinmun’, gazeta zyrtare e qeverisë, vjen një ditë përpara se Shtetet e Bashkuara të fillojnë stërvitjen e përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut.

Tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë rritur ndjeshëm në javët e fundit. Peniani deklaroi një javë më parë se kishte finalizuar planin për hedhjen e katër raketave në territorin amerikan të Guamit.

Media shtetërore raportoi se lideri Kim Jong-un do të vlerësonte lëvizjen e ardhshme të Shteteve të Bashkuara përpara se të jepte urdhrin për veprim.

Sipas zyrtarëve të administratës Trump dhe ushtrisë amerikane, stërvitja 10-ditore e përbashkët do të zhvillohet siç është planifikuar.

Ky bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Seulit antagonizon Penianin, që e sheh këtë si një praktikë për pushtim.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut thonë se stërvitja është thjesht mbrojtëse.

Loading...

Lini nje pergjigje