Astrit Patozi ironizon Bashën: Objektivat i arriti, tani le të pushojë. Duhet pritur shtatori që…

0
147

Deputeti demokrat, Astrit Patozi përmes një statusi në Facebook, ironizon kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për mungesën e tij fizike në Shqipëri. Sipas Patozit, Basha i ka arritur objektivat dhe tani po shijon pushimet. Ai thotë se duhet pritur shtatori që Basha të ndezë opozitën.

 

 

“Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobuzit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve. I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës”,- shprehet deputeti.

NUK ËSHTË ME TË THËNË, ËSHTË ME TË DHËNË…
Jo thjesht meqë është verë, por edhe ngaqë është verë, ka nisur një debat i ndezur për mungesën e gjatë të kryetarit të shkrirë të Partisë Demokratike në qëndrime publike kundër qeverisë.
Në fakt, daljet e Lulzim Bashës kanë qenë gati ekzotike, që pas pllakosjes së humbjes së 25 qershorit e deri më sot që po flasim. Por deri më 22 korrik avokatët e tij ishin të justifikuar me “vetëngrirjen”, një mekanizëm hileqar, që u përdor nga përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen.
Por pas fitores së tij “plebishitare” ndaj Eduard Selamit kanë rënë të gjitha argumentet që Lulzim Basha fliste edhe me heshtjen e tij.
Disa analistë të shtypit u përfshinë dje në një polemikë të gjatë, e cila me shumë gjasë do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Në të nuk munguan edhe mbështetës apo vartës të Lulzim Bashës, të cilët, sipas meje, janë në të drejtën e vet të shprehen.
Replikat e tyre, pavarësisht ndonjë teprimi, i shoh si një nevojë të shoqërisë për të pasur një opozitë serioze dhe aktive, sidomos në rrethanat e një ekstrashumice si ajo, që ka dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. E cila e ka brenda kërcënimin për t’u shndërruar në një pushtet arbitrar dhe arrogant, aq më tepër kur në krye të saj qëndron një personazh eksentrik dhe i paparashikueshëm si Edi Rama.
Por nga ana tjetër, nuk mund të mos e them se ka një kontrast të thellë mes shqetësimit natyral të shtypit dhe qetësisë, me të cilën po i shtyn këto ditë të nxehta gushti Lulzim Basha.
Gazetarët dhe analistët, që po e kërkojnë prej kohësh, nuk kanë pse presin kaq shumë prej tij. Sepse Lulzim Basha ka pasur raste që ishte i paqenë edhe kur ndodhej pa ndërprerje dhe për ditë të tëra në Shqipëri. Ndaj është e padrejtë t’i kërkosh atij që të jetë më aktiv, në kushtet kur edhe fizikisht nuk gjendet në atdhe, por ndodhet jashtë shtetit.
Unë e kuptoj se gazetarët kjo mungesa fizike në Shqipëri nuk i bind fare, pasi teknologjia ka avancuar aq shumë, sa e gjithë bota, është shndërruar realisht në një fshat të vogël. Por kjo çështja e reagimit të shpejtë dhe të vendosur në politikë, nuk është me të thënë, por është me të dhënë. Ndaj do t’i ftoja shume miqesisht ata, që të mos e kërkonin asnjëherë Lulzimin aty ku ai nuk është.
Nëse do te duhet patjetër një shpjegim për këtë, kushdo e ka përpara syve. Mjafton të behet një analizë e ftohtë per zhvillimet e fundit politike, që kanë ndodhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
Edi Rama po shfaqet i relaksuar dhe i pashqetësuar, madje edhe nga zjarret, që po djegin gjysmën e pyjeve të vendit, sepse ka arritur objektivin e vet të dyfishtë, edhe me ndihmën e bashkënënshkruesit të marrëveshjes së 18 majit; të fitojë zgjedhjet dhe të mbajë i vetëm timonin.
Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobuzit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve.
I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here