Kur tentakulat e futura në PD me sponsor klientele tentojnë të kapin kupolën e partisë…

1

Pas humbjes në zgjedhje, PD pritet të përfshihet në një proces të plotë riformatimi, gjë e cila nisi që me zgjedhjet për kryetarin. Por ndërsa zërat për ndryshime në kupolën drejtuese të PD-së sapo vijnë e po shtohen, ka një shqetësim në rritje tek demokratët për emrat e përfolur për këto poste të larta. Pritet që nga procesi i riformatimit të preken posti i nënkryetarëve të partisë si edhe ai i Sekretarit të Përgjithshëm. Për këto ndryshime në kupolën drejtuese të PD-së kanë nisur të qarkullojnë emra kandidatësh ( të sponsorizuar edhe në këtë garë nga i njejti lob që i përfshiu në PD) që nuk kanë as staturën e as profilin për poste kaq të larta në selinë blu.

Duket se një pjesë e këtyre emrave të përfshirë si kandidatë për këto poste të larta, janë po të njejtët njerëz që në PD kanë hyrë kukafshehtazi, duke mos pasur realisht asnjë kontribut në partinë e parë demokratike të vendit. Por nën mburojën e sponsorëve të errët, të cilët vetë lidershipi i PD-së i ka sulmuar si pjesë e oligarkisë dhe ‘’gjakpirësve’’ të parasë publike me tendera qeveritarë apo favore klientelisë nga pushteti, këta njerëz po mundohen të zënë rrënjë të forta në PD. Të tillë ‘liliputër’ dhe ‘madama’ nuk mund dhe nuk do kenë asnjë shans të japin një kontribut për ringritjen e PD-së aty ku i takon, dhe ky përfundim është lehtësisht i vërtetueshëm. Kjo pasi deri më tani, në kaq pak kohë që janë bërë pjesë e PD-së, këta ‘prurje të sponsorizuara’ kanë vërtetuar se janë bërë pjesë e forcës kryesore të së djathtës për të mbrojtur e përfaqësuar interesa të caktuara , që nuk kanë asnjë lidhje me qëllimet e demokratëve. Interesi i tyre parësor është klientela dhe sponsori. Nëse këta të fundit mendojnë se PD duhet të ulë zërin për cështje të caktuara, që prekin interesin e këtij grupimi, njerëzit e sjellë prej tyre në PD do bëjnë c’eshtë e mundur për t’ja plotësuar dëshirën.

Në këto kushte , njerëz të tillë në PD dhe aq më tepër me poste të larta, do ishin më keq se humbja e 25 qershorit. Nëse PD kërkon të ringrihet dhe të kthehet në pushtet, këtë proces duhet ta bëjë duke u mbështetur tek njerëzit me kontribute reale por edhe tek prurjet që kanë realisht mbështetje tek demokratët dhe përfaqësojnë zërin e tyre. Nëse do ndodh e kundërta, dhe fatkeqësisht njerëzit e sponsorizuar në PD që mbrojnë interesa klienteliste do arrijnë të marrin edhe postet më të larta të kupolës drejtuese të kësaj partie, atëherë do të duhet të përshëndesim Ramën si timonier edhe në 2021….
Ka kohë ende për të marrë vendimet e duhura, PD nuk mund dhe nuk duhet kthyer në një parti në shërbim të interesave klientelare të oligarkëve që qëndrojnë pranë karriges së pushtetit

*Analizë nga standard.al

1 Koment

Lini nje pergjigje