Paratë e pista ushqejnë ekonominë shqiptare me bekimin e Edi Ramës

0

Ervin Kaduku

Loading...

Kreditë në tregun e zi morën një hov të ri këtë vit nga rritja e likuiditeteve në tregun jobankar, si pasojë e rritjes së burimeve të financimit nga tregtia e paligjshme e hashashit dhe rritja e parasë jashtë bankave. Sektorët që po financohen më së shumti janë ndërtimi dhe industria minerare. Sipas shifrave zyrtare, vlera e tregut të lejeve të ndërtimit në Tiranë arriti në 120 milionë euro në tremujorin e parë, ndërsa shtesa e stokut të kredisë për sektorin ishte vetëm 3 milionë euro. Industria minerare po ringrihet gjithashtu me investime nga fajdet. Bankat dhanë alarmin se ekonomia po financohet nga tregu i zi.

Sipas dokumentave të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, paratë e pista po përdoren me transaksione të ndryshme për t’u përdorur legalisht më ekonomi.

Ja një shembull.

Në moshë të re (29 vjeç), shtetasi shqiptar “A”, në dhjetor të vitit 2015, rezultoi fitues i një ankandi për blerjen e një apartamenti në shumën 350 000 euro. Rasti është zbuluar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që ka ndërtuar dhe skemën. Duke marrë në konsideratë shumën e lartë të investuar dhe moshën e re të këtij shtetasi, DPPP ka kryer verifikime të mëtejshme, nga të cilat rezultoi se, pak ditë para fitimit të ankandit, ky shtetas ka lidhur një kontratë për marrje huaje, me një afat kthimi dymujor, nga shtetasi “R” (mosha 28 vjeç), në të njëjtën shumë të cilën ka paguar për apartamentin e blerë nëpërmjet ankandit (350 000 euro).

Garanci për shumën e marrë hua është vendosur apartamenti i fituar në ankand. Gjithashtu, rezultoi se shtetasi “R”, i cili i ka dhënë hua shtetasit “A”, ka lidhur një kontratë për marrje huaje në shumën 300 000 euro nga babai i tij, shtetasi “M”. Evidentohet se shuma totale, e cila është përdorur për të blerë apartamentin nga shtetasi “A”, është dhënë hua nga shtetasi “R”, i cili pjesën më të madhe (300 000 EUR) e ka marrë hua nga babai i tij.

Nga verifikime të mëtejshme në lidhje me shtetasin “A” dhe familjarët e tij, rezultoi se vetëm në emër të shtetasit “A” është regjistruar një subjekt tregtar i tipit “person fizik”. Në lidhje me këtë subjekt, rezultoi se fitimet e deklaruara prej tij në organet tatimore janë në vlera të papërfillshme krahasuar me investimin e ndërmarrë.

Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dyshimet se shtetasi “A” ka blerë nëpërmjet ankandit një apartament në vlerë tepër të lartë. Shuma është marrë hua për një afat të shkurtër kthimi nga shtetasi “R”. Nga ana tjetër, shtetasi “R” e ka marrë hua shumën prej 300 000 eurosh nga babai i tij. Shtetasi “A” ka një biznes në emër të tij me fitime vjetore në vlera të papërfillshme, të cilat nuk mundësojnë shlyerjen e huasë së marrë. Ky është një rast tipik se burimet e paligjshme të parave përdoren duke u pastruar në tregun e pasurive të paluajtshme.

 

Pasuri nga fonde të panjohura

Tre vitet e fundit është rritur dukshëm numri i pasurive të paluajtshme që po financohen nga burime të panjohura. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë mbi 700 blerje në banesa e toka të cilat e kanë të panjohur burimin e financimit sipas analizës që ka bërë DPPP. Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë shtuar dukshëm, duke marrë në konsideratë se në vitin 2013 ishin evidentuar vetëm 29 blerje pasurish me burime të panjohura. Zakonisht rastet raportohen se kanë marrë financime në formën e huave jobankare, por burimi i tyre është i dyshimtë. Rastet janë referuar në prokurori. Statistikat në Shqipëri kanë të dhëna të vakëta në lidhje me zbulimin e korrupsionit nëpërmjet hetimit të pasurisë, teksa kjo praktikë në vendet e zhvilluara është elementi kryesor që çon në zbulimin e burimeve të paligjshme të financimit të ekonomisë.

 

“Lumi” i valutës

Tregtarët e valutës me përvojë gati 20-vjeçare në tregun afër Bankës së Shqipërisë janë duke përjetuar një periudhë lulëzimi në aktivitetin e tyre. “Ka shumë valutë këtë vit. Disa shokë të mi hapën agjenci këmbimi. Kemi punuar sivjet, nuk qahemi”, – thotë një nga tregtarët më me përvojë në tregun e zi të kambizmit pranë Bankës së Shqipërisë, pa dhënë shumë detaje për personat dhe shumat që këmbejnë. “E sheh atë agjencinë aty. Është e re. Ka shumë punë, nuk mbyllet as ditën e diel”, – tregon tregtari me gisht për një zyrë këmbimi ngjitur me të.

Monedha kombëtare Leku, pati një forcim të pazakontë këtë vit në tregun e këmbimit, duke u mbiçmuar me 6 pikë në harkun e një vite me euron, ndërkohë që zhvillimet në tregun ndërkombëtar të valutës europiane nuk i justifikojnë këto zhvillime.

Burimet zyrtare të financimit të ekonomisë gjithashtu nuk qenë në atë masë që të forcojnë lekun në pozitat e sivjetshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente në tremujorin e parë të 2017-s shënoi 179 milionë euro, rreth 20% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Tendenca për ngushtimin e deficitit korrent vijoi edhe këtë tremujor, ndikuar kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm në suficitin e llogarisë së shërbimeve. Ky zhvillim u mbështet nga flukse të larta hyrëse në zërin “shërbime të tjera biznesi”, si dhe në atë “shërbime transporti”. Përmirësimi i deficitit korrent i atribuohet edhe një zgjerimi më të ngadaltë të deficitit tregtar në mallra, si efekt i rritjes më të shpejtë vjetore në eksporte (prej 45%) kundrejt asaj në importe (prej 9%).

Ekspertë të këmbimeve valutore pohojnë se këtë vit, tregtimi i kanabisit ka qenë një furnitor i madh për tregun e këmbimit. Sipas statistikave ndërkombëtare, krimi dhe trafiqet zbulohen në masën 10% të tregut real që disponohet. Në Shqipëri, deri më tani, janë kapur me qindra tonelata kanabis, por një pjesë më e madhe se ajo që është kapur ka arritur të tregtohet dhe më pas të futet si valutë në tregun vendas.

 

Droga

Rrjetet e trafikut kanë krijuar skemat e pastrimit të parave me orgjinë nga droga nëpërmjet bizneseve. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbuluar një rast të tillë dhe ka ndërtuar edhe skemën se si ka funksionuar.

Shoqëria “A”, në llogaritë e saj në një nga bankat tregtare në vendin tonë, rezulton se ka kryer transaksione në vlera të larta të tipit tërheqje CASH, me justifikimin për shlyerjen e detyrimeve që kjo kishte ndaj furnitorëve të saj. Nga verifikimet e kryera në të gjitha bankat e nivelit të dytë, në lidhje me këtë shoqëri, rezultoi se në bankat 1 dhe 2, shoqëria “A” kishte kryer një sërë transaksionesh në funksion të aktivitetit që prej krijimit të saj prej afro 10 vjetësh dhe në vijim; ndërsa në bankat 3, 4 dhe 5, shoqëria “A” kishte kryer vetëm nga 4-5 transaksione dhe më pas, llogaritë ishin në statusin “e fjetur”. Natyra e transaksioneve dhe anomalitë e konstatuara ishin të së njëjtës natyrë, madje veprimet në banka ishin kryer njëra pas tjetrës, p.sh. si vijon: Në bankën numër 1. – Për një periudhë 2-mujore, gjatë vitit 2015, shoqëria “A” ka përfituar tri transferua, në vlera deri në 15 000 000 lekë për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (B dhe C). –

Shumat e përfituara nëpërmjet transfertave janë tërhequr menjëherë CASH me arsyetimin: “likuidim të furnitorëve”. Në bankën numër 2. – Për një periudhë 2-mujore, gjatë vitit 2016 shoqëria “A”, ka përfituar dy transferta në vlerën totale prej 150 000 eurosh, për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (D dhe E). – Shumat e përfituara nëpërmjet transfertave janë tërhequr menjëherë CASH, me arsyetimin e likuidimit të furnitorëve. Në bankën numër 3. – Në mars të vitit 2016 ka përfituar dy transferta, në vlerat totale prej 23 000 000 lekësh për likuidim faturash nga dy shoqëri të tjera (M dhe N). – Edhe në këtë rast, shumat janë tërhequr në CASH me arsyetimin e likuidimit të furnitorëve. Nga verifikimet e kryera në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezultoi se: – Struktura aksionere e shoqërisë “A” kishte ndryshuar disa herë që nga krijimi i saj. Ortaku themelues i shoqërisë dhe pronari i vërtetë përfitues i saj është shtetasi “X”, i cili rezulton të ketë shitur kuotat disa herë te persona me lidhje të ngushta familjare me të. Së fundmi, shoqëria “A” kishte ortak të vetëm një të afërm të ngushtë të shtetasit “X”. – Gjithashtu, shtetasi “X” rezulton i përfshirë edhe në disa biznese të tjera në fushën e ndërtimit.

Nga verifikime të tjera, të kryera për shtetasin “X”, rezultoi se ai, 7 vjet më parë, ishte arrestuar dhe dënuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dyshimet se janë hapur llogari bankare në disa banka tregtare njëra pas tjetrës dhe rezulton të jenë kryer vetëm 2-3 transferta hyrëse në vlera të larta, të cilat më pas janë tërhequr menjëherë në Cash. Arsyetimet për tërheqjet në Cash janë për shlyerje të furnitorëve, ndërkohë që sipas legjislacionit tatimor, likuidimi i faturave për më shumë se 150 000 lekë është penalizues. Ndryshimi i ortakërisë së biznesit, duke përfshirë të afërm të tij të ngushtë, ndërkohë që vetë shtetasi “X” rezulton me precedencë penale për trafikim të lëndëve narkotike. Rasti është referuar në organet e zbatimit të ligjit./standard.al

Loading...

Lini nje pergjigje