Abuzimet financiare të UKT. Ujësjellësi paguan 8 milionë dollarë për paga, Veliaj rrit me 40% ujin

0

Bashkia e Tiranës ka lajmëruar rritjen me 40 për qind të tarifave për ujin me pretendimin e të ardhurat e ujësjellësit janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e reja.

Por SYRI.net zbardh dokumente që tregojnë se si ndërmarrja e ujësjellësit shpërdoron miliona euro për paga dhe shpërblime militantësh, të cilat paguhen nga qytetarët.

Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e kompanisë, vitin e kaluar UKT ka shpenzuar plot 8 milionë dollarë për paga dhe shpërblime të punonjësve.

Në total shpenzimet e përgjithshme të UKT ishin rreth 20 milionë dollarë. Kjo do të thotë se rrogat dhe shpërblimet e punonjësve përbëjnë 40 për qind të shpenzimeve totale të ujësjellësit.

Shpenzimet e fryra për paga dhe personelin janë një nga arsyet kryesore se pse ndërmarrja e UKT nuk investon në përmirësimin e shërbimit të qytetarëve. Aktualisht Tirana furnizohet më pak se 10 orë në ditë më ujë, ndërkohë që në vend të investimeve të reja paratë shkojnë për rrogat dhe shpërblimet e militantëve.

Qytetarët paguajnë për militantët

Dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të reduktonte ndjeshëm stafin e UKT-së për të ulur shpenzimet. Në atë kohë, ndëramarrja e ujësjellësit në kryeqytet kishte 1200 punonjës dhe ishte administruar për katër vjet nga Partia Demokratike.

I sapo ardhur në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se qindra punonjës do të pushoheshin nga puna për të ulur shpenzimet e panevojshme, pasi sipas tij UKT ishte e mbingarkuar me staf.

Por ajo që ndodhi në fakt ishte largimi i punonjësve ekzistues, për t’u zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste pa asnjë ulje në numrin total të punonjësve.

Në fund të 2015-ës, për të justifikuar nga puna largimin e punonjësve ekzistues të ujësjellësit, Bashkia paraqiti një strukturë me 850 veta për këtë ndërmarrje nga 1200 punonjës që kishte në atë kohë.

Sipas strukturës së re, gjatë muajit dhjetor 2015, Bashkia largoi brenda ditës 430 punonjës të UKT. Por këto nuk ishin shkurtime. Brenda pak muajsh ndërmarrja punoësoi staf të ri dhe numri total i punonjësve u rikthye sërish në 1200 vetë.

Përveçse nuk kurseu asnjë lekë nga shpenzimet e tejfryra për paga dhe shpërblime, Bashkia e rriti më shumë koston që paguajnë qytetarët. Kjo pasi për shkak të largimeve nga puna që bëri në vitin 2015, ajo u detyrua nga gjykatat të paguante rreth 600 mijë dollarë shtesë për punonjësit e larguar.

Lini nje pergjigje