Projekt vendimi/ Kur kryeqyteti i ka rubinetat bosh, Bashkia propozon rritjen me 30% të çmimit të ujit të pijshëm

0
216

 

“Sipas projekt vendimit të propozuar, çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset”

Në një kohë që kriza fiktive për ujin po propagandohet në media dhe në çdo familje në Tiranë, bashkia ka menduar dhe një projekt vendim për rritjen e çmimit e tij. Kreu i bashkisë kishte disa javë që në media dilte vetëm për situatën e ujit, duke deklaruar krizën e madhe dhe u bënte thirrje njerëzve për kursim. Por këto deklarata që në dukje ishin për të mirën e qytetarëve që mos të kaplonte kriza, kanë pasur një prapavijë. Kjo prapavijë nga bashkia u zbulua pak vonë, që është kërkesa e saj për rritjen e çmimit të ujit. Në fundjavë një projekt vendim bëri bujë në media, pasi titulli i tij ishte Propozimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Por çfarë do të ndodh dhe sa lekë do t’u merret nga xhepat qytetarëve?

 Rritja e çmimit

Sipas projekt-vendimit të propozuar në këshillin bashkiak nga Ardian Dalipaj dhe  Erion Veliaj çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Ky vendim është zbardhur që të shtunën, edhe pse bashkia nuk ka dashur që ky vendim të bëhet publik tani. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Ky relacion i Bashkisë është mbështetur në argumentin se rritja e çmimit do të justifikohet me rritjen e cilësisë, dhe në një kohë shumë të shkurtër, në Tiranë do të sigurohet 24 orë ujë pa ndërprerje. Gjithashtu në këtë relacion, thuhet se do të rriten shumë investimet, dhe se linjat e jashtë ligjshme janë problem,mi që soli këtë rritje pasi humbja në rrjet është shumë madhe. Në këtë projekt vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura.

Tarifat

Konfirmimi më shumicë në pushtet, solli dhe agresivitet dhe arrogancë në qeveri dhe në pushtet lokal. Pas rikonfirmimit, bashkia ka nisi një fushatë shumë të ashpër kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm, edhe pse këto lidhje kishin shumë kohë që ishin ashtu. Por ky agresivitet që erdhi si pasojë e rritjes në elektorat, u pasua nga një vendim në kurriz të qytetarëve. Për këtë  projekt vendim Këshilli Bashkiak pritet që të mblidhet ditën e mërkurë, për ta miratuar apo për ta rrëzuar atë. Deri tani nga këshilltarët e Partisë Demokratike dhe LSI-së, është deklaruar se ky vendim nuk do të votohet. Bashkia këtë projekt vendim e  argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018″. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projekt-vendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lek/m3. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018.

Rritja 

Bashkia në këtë projekt deklaron se ka bërë analizën e saj për situatën që ndodhet rrjeti i ujësjellësit, dhe prandaj argumenton këto tarifa. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish NJQV, popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, shpjegohet në projekt. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42 %. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori.” Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% në 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here