Gjyqi ndaj Shullazit/ Kush është ish-zyrtari i lartë dhe biznesmeni që do dëshmojnë

0

Një ish-zyrtar i rëndësishëm dhe një biznesmen pritet të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit. Gazetarja Klodjana Lala raporton për BalkanWeb se Gjykata e Krimeve të Rënda gjatë seancës së sotme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, për të pyetur si dëshmitar, Ilirjan Muhon, ish-drejtor i Hipotekës.

 

 

Përveç tij, është pranuar kërkesa për të thirrur në proces biznesmenin Fejzi Kodra, i cili ka blerë një pjesë të konsiderueshme të ish-hotel Vollgës dhe i ka borxh një shumë prej 600 mijë euro biznesmenit Ylvi Beqja. Mësohet gjithashtu se Kodra nuk është thirrur si një dëshmitar i thjeshtë, por si person në një proces të bashkëlidhur për shkak se do hetohet për pastrim parash.

Nga ana tjetër Klodjana Lala zbardhi për BalkanWeb edhe dëshminë e noteres Drita Pepi e thirrur për të sqaruar dy marrëdhënie kontraktore që kanë nënshkruar në vitin 2014, Shullazi dhe Ylvi Beqja.

Noteria Pepi është shprehur se: “Kontratat më erdhën të gatshme nga avokati i palëve. Unë i kam noterizuar, nuk kam dijeni për kërcënimet”,- ka thënë ajo.

Në seancën e sotme ka qënë me rëndësi dëshmia e Sali Cakës, qytetari që ka pranuar se i ka dhënë 150 mijë euro borxh Ylvi Beqes. “I kam dhënë 150 mije euro. Nuk m’i ka kthyer. Me shkatërroi. Kam hyrë garant edhe tek dy veta te tjerë”, mësohet të ketë thënë Caka.

Lini nje pergjigje