Troket kriza, Banka Botërore nuk ka dhënë OK për fondin e energjisë

0
239

Ervin Kaduku

Një krizë e re energjetike po troket në dorë të shqiptarëve. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) deklaroi se ka gati skemën për të bërë importin e radhës të energjisë për muajin gusht.  Por kjo vjen në kushtet kur burime pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) thanë se Banka Botërore nuk ka dhënë miratimin e plotë për paratë që janë pjesë e kredisë së Rimëkëmbjes dhe të caktuara për import në raste emergjence. Të njëjtat burime u shprehën se kjo nuk e përjashton faktin që në ditët në vijim nga ana e Bankës të jepet miratimi i duke bërë që pesha e blerjes së energjisë të bjerë tek gjenerimi dhe jo tek shpërndarja sikurse ka qenë për korrikun. I pyetur për opsionet që ka OSHEE, administratori i kompanisë Adrian Çela tha se aktualisht po shqyrtohen dy skenarë. I pari është që OSHEE të sigurojë e vetme energjinë duke importuar në pik dhe pjesërisht në bandë. Ndërsa KESH të plotësojë vetëm pjesën e mbetur. Opsioni i dytë është që një pjesë e energjisë të rezervohet dhe nëse KESH arrin të marrë miratimin e plotë nga banka të vijojë i vetëm blerjen.

 

Të hënën (24 korrik) pritet që të merret edhe vendimi për të hapur procedurat e reja për thirrjen e kompanive që duan të shprehin interes, një praktikë që ndodh gjithmonë lidhur me importet. Në çdo rast prokurimi do të bëhet duke pasur komunikim të vazhdueshëm mes kompanisë së gjenerimit dhe shpërndarjes në mënyrë që të gjendet një opsion sa më ekonomik. OSHEE prokuroi për korrikun mbi 22 milionë euro milion euro energji. Treguesit e kompanisë lidhur me të ardhurat dhe uljen e humbjeve kanë qenë pozitive por pavarësisht kësaj ecurie nga ana e kompanisë nuk është përjashtuar mundësia që në rast vështirësie dhe nevoje për import të rishikohet pjesa e investimeve.

 

Një situatë të tillë e ka mirëkuptuar edhe Enti Rregullator i Energjisë i cili kërkoi që kompanitë të rishikojnë planet në rast se e kanë të nevojshme. KESH nga ana tjetër ndodhet në një situatë të vështirë. Fierza është në nivelet minimale të saj ndërkohe që prodhimi është në nivele të ulëta. Ky i fundit kërkoi nga Banka Botërore që të përdorte 22.4 milionë euro për import energjie por pavarësisht se u dha një aprovim nga qeveria Banka nuk ka miratuar ende kërkesën.

 

 

A u ndaluan tenderat?

 

Pa u tharë boja nga vendimi i qeverisë që ndalon deri në fund të vitit prokurimet e mëdha publike, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka vendosur të plotësojë ciklin e katër koncesioneve mbi lumin e Bushtricës duke hapur së fundmi garën për hidrocentralin e fundit.

 

Sipas dokumenteve të publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se ky koncesion do të jetë për Bushtrica 4 dhe përfshin shfrytëzimin e pellgut ujor të lumit me të njëjtin emër, në kuotën e 820 metra mbi nivelin e detit deri në 1336 metra mbi nivelin e detit. Operatorët e interesuar duhet të shprehin interes deri më 21 gusht 2017 dhe pjesën më të madhe të pikëve e zë fuqia e instaluar dhe më pas vijnë tarifa koncesionare dhe analiza ekonomike dhe financiare.

 

Më herët në fund të muajit prill pak para se fushata elektorale të ndizte motorët në maksimum, Ministria e Energjisë dhe Industrisë hapi një garë për partneritet publik privat për dy hidrocentralet Bushtrica 1 dhe 2. Këto të fundit  do të ndërtohen në kuotat 380 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 498 metra mbi nivelin e detit dhe nga 503 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 678 metra mbi nivelin e detit. Në vitin 2007 qeveria Berisha do të miratonte një bonus prej 9.5 për qind të pikëve për propozimin e pakërkuar nga kompania “2A Poëer sh.p.k. së cilës iu hoq e drejta pas mosrespektimit të kontratës. Në 12 qershor të po këtij viti Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të shpallte për interes edhe hidrocentralin Bushtrica 3. Kjo ishte në vargun e një seri HEC-esh të tjera si Kalivaçi, Grabovë, Lusa e më pas Gojan. Ky HEC parashikohet të ndërtohet në kuotën 683 metra mbi nivelin e detit deri ne kuotën 879 metra mbi nivelin e detit.

 

Pavarësisht vrullit për të dhënë disa koncesione në kohën kur vendi ishte në ethe elektorale duket se kanë nisur edhe kundërshtimet e para. Panë Komisionit të Prokurimit Publik është paraqitur edhe ankesa e parë që lidhet me Bushtrica 1 ankimuar nga një kompani private. Aktualisht procedurat e prokurimit janë pezulluar me një vendim të veçantë me përjashtim të emergjencave që marrin miratim paraprak.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here