Hipotekimi i apartamenteve pa leje, Lame: Hapat që duhet të ndjekin qytetarët

0
204

Kur beteja me investitorin duket e humbur, sytë janë kthyer nga banorët. Me apo pa vullnetin e tyre, këta të fundit do të duhet të përballen me procedurat e pajisjes me tapi për apartamentin që kanë në posedim. Të tillë nuk janë pak, por 30 mijë familje, pjesa dërrmuese e të cilave, në kushtet e “daljes nga skena” të investitorit, do të duhet që praktikën e legalizimit dhe regjistrimit në hipotekë ta ndjekin vet, shkruan panorama.

Por kjo gjë përveçse mund të jetë një angazhim i shtuar për qytetarin është edhe një ngarkesë për ALUIZNI-n. Kreu i këtij institucioni Artan Lame, apeloi banorët që të organizohen. Sipas tij do të ishte e udhës që misionin e ndjekjes së të gjithë procedurave ta ndiqte një përfaqësues i zgjedhur.

“Organizohuni dhe na ndihmoni, na sillni informacion për ta vazhduar procesin edhe për objekte të tjera. Bashkëpunimi me qeverisjen vendore është i domosdoshëm dhe ne e bëjmë sepse kjo është pjesë e punës sonë. Janë një numër i madh objektesh, pallate masive në të cilat pronarët e kanë humbur fare interesin dhe ne po mundohemi të lidhemi me banorët. Është e vështirë të komunikosh banor për banor në një pallat dhe kjo kërkon që ata të gjejnë një përfaqësi, inxhinier, jurist për të ndjekur procedurat. Ka një mori objektesh ku po përfundojnë procedurat me banorët sepse kemi arritur të organizohemi, siç ka edhe një numër objektesh që ka përfunduar legalizimi dhe kanë marrë dhe lejet e legalizimit për pallate”, tha Lame dje gjatë një takimi me qytetarët në zonën e Laprakës në kryeqytet.

PALLATET

Nga Agjencia e Legalizimeve janë identifikuar 1320 pallate të pahipotekuara. Pjesa më e madhe prej tyre janë të përqendruara në Tiranë. Ndërkohë janë 30 mijë familje që kanë blerë apartamente në këto objekte dhe sot gjenden në kushtet që nuk kanë asnjë dokument pronësie. Në fillim të këtij viti Qeveria mori vendimin për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë kësaj problematike të mbartur.

Ky vendim i jep të drejtën banorëve të kryejnë procesin e legalizimeve kur ndërtuesi apo investitori i objektit ka ndërtuar kate shtesë jashtë lejes së miratuar të ndërtimit dhe nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për mbylljen e procesit të legalizimit. Por kalimi i stafetës tek qytetari vjen pasi është djegur mundësia e bashkëpunimit me ndërtuesin. Fillimisht ALUIZNI ka detyrimin e njoftimit të investitorit, të cilëve u është lënë një afat prej 30 ditësh për kryerjen e procedurave të legalizimit për objektin.

Në ato raste kur investitori nuk i përgjigjet njoftimit brenda afatit të përcaktuar, atëherë i lind e drejta qytetarit të paraqesë pranë ALUIZNI kërkesën për hipotekimin e objektit që disponojnë. Nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga qytetari e deri në përfundim të procesit të hipotekimit, e gjithë praktika do të ndiqet nga vetë institucioni i ALUIZNI-t.

Përpos kësaj, qytetarët nuk kanë asnjë detyrim financiar apo kosto shtesë për të paguar ndaj shtetit, pra e thënë ndryshe, procedura e legalizimit për qytetarët do të jetë tërësisht falas. Ndërkohë që ndërtuesit apo investitorit i lind detyrimi fiskal për pagesën e taksës së infrastrukturës për objektin e ndërtuar. Fatura shkon në Drejtorinë e Tatimeve për ekzekutim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here