Skandal në bregdetin shqiptar/ Pushuesit në mëshirë të fatit, nuk ka as kulla dhe as roje vrojtimi për t’u ardhur në ndihmë

0
367

 

“Një problem që është shumë shqetësues për të gjithë ata që mendojnë të kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, është  mungesa e rojeve të plazhit”

Një ngjarje e rëndë që ndodhi në fundjavë në Zvërnec, nxori në pah një problem i cili gjithmonë ka qenë aty, por shfaqet vetëm kur ndodhin tragjedi. Në plazhin e Zvërnecit humbën jetën tre persona pasi u mbyten nga rrymat e forta të detit. Po ashtu gjatë së shtunës në Vlorë u mbyt dhe një adoleshent.  Për të gjithë të mbyturit, si të kësaj jave dhe të gjithë viktimave të tjera për këtë vit, nuk ishte askush nuk i ka ndihmuar. Në këtë plazh që shtrihet në disa kilometra, s’ka asnjë roje bregdetare. Që prej fillimit të sezonit veror, 13 persona kanë humbur jetën në det. Në disa raste kane qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi. Kullat e Vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Një vendim i Këshillit të Ministrave, i vitit 2016 përcakton qëndrimin e një vrojtuesi mbi një kullë 3 metra të lartë për çdo 250 metra plazh. Por në vijën bregdetare shikohen vetëm disa kulla bosh. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, vrojtuesit punësohen nga bizneset që shfrytëzojnë plazhet, por është pushteti vendor që e kontrollon zbatueshmërinë e këtij rregulli. Por kur jemi në kulmin e sezonit turistik, asnjë njësi vendore nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të penalizuar bizneset apo për ta ndryshuar situatën. Kullat e vrojtimit vazhdojnë të qëndrojnë bosh njësoj, ndërsa vendimi i qeverisë injorohet hapur nga të zgjedhurit vendorë. Vetë vrojtuesit duhet të jenë të trajnuar e licencuar. Të tillë janë vetëm 23, të certifikuar nga Federata e Vrojtuesve të Plazhit. Shumica e tyre janë të punësuar në pishina. Vendimi i qeverisë për sigurinë në plazhe përcakton edhe rregulla të tjera, që gjithashtu nuk gjejnë zbatim. Për rastet kur deti është me dallgë, bizneset që shfrytëzojnë plazhet duhet t’i njoftojnë pushuesit me anë të vendosjes së flamujve me ngjyrë, të shoqëruar me paralajmërime në shqip dhe anglisht nëse mund të notojnë. Vendimi i detyron bizneset që të përcaktojnë edhe perimetrin e sigurisë. Janë rregulla elementare për të shpëtuar jetë njerëzish. Por për fatalitetet që shkakton mosrespektimi i tyre nuk mban përgjegjësi askush.

Kullat e vrojtimit në bregdet bosh

Edhe ky sezon turistik në vijën bregdetare të Shqipërisë frekuentohet pa praninë e rojeve bregdetare. Ndonëse prej vitesh janë vendosur kullat e vrojtimit në breg të detit, aktualisht ato mund te cilësohen vetëm një dekor në plazh, pasi rojet bregdetare ose siç njihen ndryshe bayëatch mungojnë edhe këtë vit. Kullat e vrojtimit me roje bregdetare ishin një risi për plazhe këtë sezon turistik, por për pushuesit siguria në këtë vijë bregdetare mbetet e ulët. Rojet bregdetare nuk qëndrojnë në kullat e vrojtimit. Pushuesit në Vlorë, megjithëse me pushime, pothuajse përgjatë gjithë kohës janë në panik. Ne plazhin e Shëngjinit me gjithë fluksin e pushuesve si asnjëherë tjetër premtimet nuk janë mbajtur. 4 kilometra plazh në Durrës monitorohen vetëm nga një roje bregdetare.  Kulla e vrojtimit ndodhet në sektorin “Hekurudha”, dhe shërbimi ofrohet vetëm për 6 ore.  Ndërsa në Shëngjin e Durrës, nuk kanë munguar viktimat, në 14 kilometra plazh të Velipojës nuk ekziston asnjë bayëatch i specializuar. Vendoret tregojnë se projekti e Agjencisë Kombëtare e Bregdetin është shtrirë vetëm në jug. 9 vite më parë në këtë plazh OSBE vendosi kullat e vrojtimit por ato sot nuk funksionojnë.

Zonat më të rrezikuara

Në 11 zona bregdetare që rendit Agjencia Kombëtare e Bregdetit në web-sitin e saj, aktualisht në asnjërën prej tyre nuk gjendet një roje bregdetare, roli i të cilit shihet si vendimtar në jetën e turistëve, pas problemeve që shpesh këta të fundit hasin në det. Duke nisur nga Velipoja në Veri, e duke zbritur në Shëngjin, Tale, Gjiri i Lalëzit, Durrës, Golem, Vlorë, Dhërmi, Himarë, Borsh e Sarandë, AKB konfirmon se në asnjërin prej plazheve të këtyre zonave, nuk ka roje bregdetare.

Dështimi i projektit

Në 2014, Agjencia Kombëtare e Bregdetit nisi një projekt pilot, ku në disa plazhe të vendit u vendosen rojet bregdetare, një grup të rinjsh vullnetarë. Agjencia Kombëtare e Bregdetit që në fillim të sezonit duke parë mungesën e theksuar në vite të ruajtjes dhe mbrojtjes së pushuesve në vijën bregdetare ndërmori një nismë për pajisjen e disa plazheve pilot me roje bregdetare dhe kulla. Atë vit u premtua se AKB, vitin e ardhshëm do e shtrinte këtë shërbim në pjesën më të madhe të plazheve, por e vërteta qëndron krejt ndryshe. U shkatërruan dhe ato që u ngritën, u larguan vullnetarët, nuk u punësuan të tjerë, dhe plazhet sot më shumë se kurrë janë krejtësisht të pasigurt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here