The Economist: Disa krerë të Ballkanit Perëndimor po dalin jashtë kontrollit

0
201

Pas Samitit të Triestes “The Economist” ka bërë në shkrim ku analizon gjendjen e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhënien e tij me Bashkimin Evropian. Ballkanit iu dha shpresë se do të anëtarësoheshin në BE por ja ku jemi sot, shkruan “The Economist”, ku shanset e Serbisë dhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit si Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë zbehur, raporton “Shekulli”.

Ku u gabua? Anëtarësimi do të detyronte elitat e korruptuara të rajonit t’i hapnin rrugë lirisë së mediave, të fuqizonin sundimin e ligjit dhe të liberalizonin ekonomitë e tyre, rrjedhimisht duke dobësuar pushtetin e patronazhit të tyre. Dhe pakkush sot dëshiron të merret me këto punë. Dhe shtetet e tyre nuk i kanë burokracitë e fuqishme që do t’i prinin ndryshimit. Prej gjashtë shteteve, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur bisedimet për anëtarësim. Shqipëria shpreson t’i fillojë së shpejti. Maqedonisë i janë lidhur duart për shkak të sherrit me Greqinë për punën e emrit, Bosnja është zhytur në telashe ndëretnike për ndarjen e pushtetit, dhe Kosovën nuk e njohin pesë shtete anëtare të BE-së. “Ata më nuk na besojnë kur i gënjejmë për anëtarësimin, dhe ne nuk u besojmë kur na gënjejnë për zotimet e dhëna” për rregullat e BE-së, ka deklaruar Vessela Teherneva e Këshillit Evropian për Punë të Jashtme.

Në rajonin që evropianët dikur shpresonin se do të shihnin transformim për njëzetë milionë banorët e tij nëpërmjet procesit të anëtarësimit, sot besimi bazohet në tregti dhe investime. Ballkani është pllakosur nga rritja e ulët ekonomike dhe papunësia e paprekshme e rinisë, dhe serbët e kualifikuar po vërshojnë drejt BE-së. Samiti i Triestës i kësaj jave me pjesëmarrje të krerëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë u përpoq të sfidonte këtë trend me plane për treg të përbashkët rajonal dhe me fonde të BE-së për investime.

Si përherë, edhe kësaj here u dëgjuan zotime sa për ta larë gojën për “perspektivën evropiane”. Por apetiti i BE-së për ndryshime politike në rajon ka rënë. Por mos u dorëzoni thotë në fund të analizës, “The Economist”, pasi Evropa sipas nuk duhet ti heq duart nga Ballkani. Shtetet e Ballkanit janë partnerë të mërzitshëm, të rrethuar me kokëçarje politike, ekonomi të dala mode dhe bela kufitare për territore ujore ose për maja shkëmbore. Por BE-ja nuk duhet t’i heqë duart prej oborrit pas shtëpisë në telashe, nëse për kurrgjë tjetër sherri i rreziqeve prej të cilit mund të vijnë. Disa pjesë të Ballkanit tashmë janë në rrugë të qarta për trafikim njerëzish dhe droge në BE, dhe armët nga koha e luftërave të viteve nëntëdhjetë u përdorën në sulmet terroriste të Parisit më 2015. Ekstremizmi islamik po rritet rrufeshëm në disa pjesë të Bosnjës dhe Kosovës.

Në këtë ambient zhvillohen lojëra cinike të krerëve lokalë, të cilët shpesh i nxisin krizat për të luajtur pastaj paqe bërësin. Ata lehtësisht, mund të dalin jashtë kontrollit. Evropianët shpesh e kanë gojën plot kundër ndikimit negativ të fuqive të jashtme në Ballkanin Perëndimor. Por lidhjet kulturore, politike dhe ekonomike të rajonit me pjesën tjetër të Evropës lënë në hije Rusinë, Turqinë dhe vende e ngjashme me to. Shumica e krerëve të rajonit e dinë fort mirë se nuk kanë çka kërkojnë jashtë BE-së. Kjo kërkon qasje në dy drejtime: të merret më shumë me qeveritë që tolerojnë paligjshmërinë ose joliberliazmin, dhe të ringjallet zotimi për zgjerimin.

E gjithë kjo kërkon davaritje të skepticizmit që është mishëruar pas gjithë këtyre vitesh në një zhgënjim të madh. Mbase, nëse i fiton zgjedhjet në shtator, zonja Merkel mund të shpenzojë më shumë kapital diplomatik në Ballkan. Në Trieste u fol shumë për Ballkanin si “udhëkryq”. Në të vërtetë, rajoni është rreth rrotullim i pafund premtimesh të papërmbushura dhe grackash burokratike. Por ata nuk duhet të dorëzohen në lidhje me anëtarësimin në BE, ashtu sikurse edhe BE nuk duhet të heq dorë prej tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here