Denoncimi për mbetjet spitalore, zbardhet vendimi që është marrë për kompaninë

0
200

Pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” të keqadministrimit të mbetjeve spitalore dhe derdhjen e tyre në brigjet e lumit Erzen nga kompania e licencuar “Euroteam”, Ministri i Mjedisit firmos revokimin e licencës dhe lejes mjedisore të kompanisë “Euroteam”.

 

 

Me herët Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri ka firmosur dy urdhra: Për “Ngritjen e grupit të inspektimit për subjektet që trajtojnë dhe menaxhojnë mbetjet spitalore” dhe Urdhër për “Ngritjen e grupit të inspektimit për subjektet që prodhojnë mbetjet spitalore”, me qëllim monitorimin e zbatimit të kornizës ligjore nga prodhuesit, trajtuesit dhe menaxhuesit e mbetjeve spitalore.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, pas kërkesës së Ministrit të Shëndetësisë për informacion, ka raportuar një sërë problematikash të evidentuara nga inspektimet e kryera në terren për vitin 2016-2017. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara nga kompanitë e administrimit të mbetjeve spitalore, janë lënë detyra dhe janë marrë masa administrative. Sipas informacionit të përcjellë, në vitin 2015 për kompaninë Euroteam është marrë vendim për mbyllje provizore dhe masë administrative në vlerën 1 000 000 (një milion) lekë për mos administrimin e mbetjeve spitalore sipas legjislacionit në fuqi.

Ministrisë së Mjedisit, si institucioni që lëshon lejen e veprimtarisë ndaj kompanive për administrimin e mbetjeve spitalore, i është kërkuar të bëjë me dije masën që ka marrë ndaj kompanisë “Euroteam” që prej momentit të transmetimit të pamjeve nga emisioni “Stop”.

Duke njohur ndikimin e drejtpërdrejtë në mjedis dhe në cilësinë e jetës së popullatës, si dhe duke vlerësuar seriozitetin e institucionit të Ministrisë së Mjedisit, që përmes një deklarate për emisionin denoncues informoi pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Euroteam”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa duke i kërkuar zyrtarisht Kryeministrisë, më 12.07.2017 “Lejimin e prokurimit për trajtimin e mbetjeve spitalore në disa spitale të vendit”. Në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë citohet qartësisht:

“Nisur nga rëndësia dhe emergjenca që paraqet procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore, me qëllim mos ndërprerjen e procesit të trajtimit të mbetjeve spitalore, mbështetur në pikën 2 të Vendimit Nr. 482, datë 05.07.2017, të këshillit të Ministrave “Për pezullimin e përkohshëm të prokurimeve për vitin 2017”, kërkojmë miratim për lejimin e spitaleve, për zhvillimin e procedurës së prokurimit për trajtimin e mbetjeve spitalore, për plotësimin e nevojave deri në fund të vitit 2017”.

Në një komunikim të mëvonshëm (14 korrik 2017), Ministria e Mjedisit ka informuar Ministrinë e Shëndetësisë se “leja e subjektit në fjalë është në proces revokimi dhe pritet që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve të përfundojë praktikën e dokumentacionit, që më pas ministri të firmosë urdhrin e revokimit”.

Pra, ndryshe nga sa u deklarua në media, Ministria e Mjedisit, si i vetmi institucion përgjegjës për revokimin e licencës së kompanisë Euroteam, NUK e ka firmosur një masë të tillë.

Vetëm sot, më datë 17.07.2017, Ministri i Mjedisit ka firmosur Urdhrin për revokimin e licencës dhe lejes mjedisore të kompanisë “Euroteam”.

Ndërkohë, Kryeministria, duke marrë parasysh kërkesën e paraqitur më herët nga Ministria e Shëndetësisë, ka miratuar lejimin e zhvillimit të procedurës së prokurimit, me objekt “Për trajtimin e mbetjeve spitalore, për plotësimin e nevojave deri në fund të vitit 2017”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here