‘Bon Appétit’ fiton në Slloveni, Romir Zalla: Unë, maxhordomi, që iu shtroj darka lakmuesve të pushtetit

0

Historia tregon se deri ku mund të arrijë babëzia e disa njerëzve dhe sa shumë ata guxojnë që të kapërcejnë cakun e moralit njerëzor

Loading...

Irini Meçe

Filmi i metrazhit të shkurtër “Bon Appetit” me regji nga Erenik Beqiri ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Grossmann Fantastic Film and Wine Festival. Ky festival u mbajt në Ljutomer të Sllovenisë i cili startoi më 11 korrik dhe zgjati deri më 15 korrik,i cili përpos prezantimit të filmit ka për qëllim edhe promovimin e verës. Juria e përbërë nga Stephane Everaert, Markus Keuschnigg, Alin Ludu Dumbrava e ka përzgjedhur këtë film si më të mirin në kategorinë Slaks Vicious Cat. Arsyetimi i jurisë është se filmi ka një përfundim të hatashëm dhe një ngjyrim politik.

“Bon Appetit”, një film i zhanrit thriller, shtjellon një darkë të pazakontë, e cila përgatitet vetëm për tre persona të përzgjedhur të shoqërisë. Historia tregon se deri ku mund të arrijë babëzia e disa njerëzve dhe sa shumë ata guxojnë që të kapërcejnë cakun e moralit njerëzor.  Regjisori Erenik Beqiri ka bërë një përzgjedhje të sofistikuar sa i përket kastës së aktorëve duke pasur parasysh rolet e tre aktorëve në projekte të ndryshme. Ai ka bërë bashkë aktorët si: Arben Bajraktaraj, Ema Andrea dhe Romir Zalla. “Unë jam maxhordomi, njeriu misterioz që iu shtron këto darka njerëzve që lakmojnë pushtetin. Arben Bajraktaraj luan rolin e klientit (politikanit) që pranon të bëhet pjesë e “ritualit”. Dhe filmi mbyllet me një gosti që i shtrohet klientes së radhës Ema Andrea.”, tregon për gazetën “Standard” aktori i mirënjohur Romir Zalla. “Bon Appetit” ka në qendër një person me pozitë të lartë në shoqëri, i cili ftohet për një darkë të pazakontë nga ku do zbulojë një anë të fshehtë të vetes. Një njeri i uritur për pushtet që gjen një mënyrë të re për të kënaqur oreksin e tij. “U desh një vit përgatitje që të fillonin xhirimet për projektin në fjalë. Regjisori, Erenik Beqiri më ofroi skenarin e filmit “Bon Appetit”. Ereniku ka bërë dhe disa filma para këtij të fundit dhe ka një stil të veçantë në skenarët e tij, ndoshta ndikuar pak edhe prej konsultave që ai bën me Jim Uhls (skenarist i filmit “Fight Club”). U gëzova shumë që kisha partner Arben Bajraktaraj dhe Ema Andrean. Dhe bashkë me drejtorin e fotografisë Enzo Brandner, me produksionin e Anima Pictures dhe stafin e përkushtuar, nuk kisha si mos të përjetoja një emocion dhe përvojë të veçantë nga ky film”, është shprehur më tej Romir Zalla.

Filmi në 80 përqind të tij është xhiruar tek Piramida. Ky projekt filmi është një realizim pa financime shtetërore. Filmi “Bon Appetit” është i vetëfinancuar dhe është realizuar nga studio “Anima Pictures”. “Bon Appetit” gjithashtu ka patur pjesëmarrje edhe në festivale të ndryshme të filmit. Ai është prezantuar në edicionin e 35-të të Brussels International Fantastic Film Festival, i cili nisi më 4 prill dhe zgjati deri më 16 prill. Për të vijuar më tej “Bon Appetit” premierën e radhës do e këtë më 7 gusht në Prizren në kuadër të DokuFest.

Loading...

Lini nje pergjigje