Nuk ndryshojnë standardet për bizneset, kushtet e kredisë më të lehta për individët

0

Standardet e kredisë për bizneset mbeten pothuajse të pandryshuar nga tremujori i kaluar, ndërsa standardet e kredisë për individë janë lehtësuar, raportoi dje Banka e Shqipërisë, duke publikuar rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017.

Standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, standardet e kreditimit janë lehtësuar vetëm për kredinë konsumatore, ndërkohë që për kredinë për blerje banese kushtet mbetën të pandryshuara.

Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, situata makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar.

Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues.

Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar.

Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.

Standardet e kredisë për individët shfaqën lehtësim në tremujorin e dytë të vitit 2017. Por për tremujorin e tretë të vitit, bankat presin një shtrëngim të lehtë të standardeve të kredisë si për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët rezulton të ketë ardhur kryesisht nga rritja e konkurrencës në sektorin bankar, niveli i likuiditetit dhe  mjaftueshmëria e kapitalit të bankave.

Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kreditë me probleme janë faktorë me ndikim në kahun shtrëngues mbi standardet e kredisë për individët.

Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017, në linjë me pritjet e tyre në tremujorin e kaluar. Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.

Lini nje pergjigje