Emrat e Ministrive/ Shpërthejnë sërish detyrimet e shtetit ndaj privatit, edhe 10 mln euro të tjera

0

Krijimi i detyrimeve të prapambetura vazhdon për financat publike dhe sipërmarrjet private që kryejnë punë apo shërbime publike. Edhe pse në ligjin e buxhetit, por edhe në strategjinë  për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura theksohet moskrijimi i borxheve të reja, duket se kjo nuk po funksionon. Fondet buxhetore duhet të disbursoheshin sipas projekteve të parashikuara më parë. Referuar të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave, rezulton se vetëm për periudhën Janar-Prill  2017, vlera e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucione të ndryshme arrin në 1.3 miliardë  lekë. Po sipas këtyre të dhënave institucionet që kanë krijuar më tepër detyrime të prapambetura janë për periudhën Janar- Prill 2017:

 

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

 

414.9 milionë lekë

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

35.7 milionë lekë

 

Ministria e Drejtësisë

 

38.2 milionë lekë

 

Ministria e Shëndetësisë

 

1.2   milionë lekë

 

Ministria e Punëve të Brendshme

 

427.7  milionë lekë

 

Ministria e Zhvillimit Ekonomik

 

0.9 milionë lekë

 

Ministria e Punëve të Jashtme

 

1.3 milion lekë

 

Ministria e Financave

 

103.7 milionë lekë

 

Ministria e Mirëqenies Sociale

 

3 milionë lekë

 

Ministria e Zhvillimit Urban

 

303.8 milionë lekë

 

Ministria e Kulturës

 

5.8 milionë lekë

 

Ministria e Mjedisit

 

15.6  milionë lekë

 

Ministria e Integrimit Europian

 

3.1 milion lekë

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

 

19.4  milionë lekë

 

Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Bujqësisë raportojnë që nuk ka krijuar detyrime për këtë periudhë.

 

==

 

Teknologjia dhe kërkimi, Shqipëria në bisht të të tjerëve

 

 

Kërkimi dhe Zhvillimi është faktor i rëndësishëm në proceset e inovacionit dhe zëri i shpenzimeve për to ka një peshë gjithnjë e më të madhe si në sektorin privat, edhe në atë publik. Pavarësisht rëndësisë së Kërkimit dhe Zhvillimit, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe botë për sa u përket shpenzimeve në këtë fushë dhe numrit të ulët të kërkuesve për një milion banorë. Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, shpenzimet për Kërkimin dhe Zhvillimin në Shqipëri përllogariten 0.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 37 milionë dollarë, më e ulëta në rajon. Nga këto rreth 19 milionë janë shpenzime të kryera nga qeveria dhe 17 milionë dollarë nga universitetet. Nuk ka të dhëna për shpenzimet që kryejnë bizneset në fushën e Kërkimit dhe Zhvillimit. Nga të dhënat e UNESCO-s, në Shqipëri ka rreth 157 kërkues për një milion banorë, nga të cilët 57% janë meshkuj dhe 44% femra.

Në rajon, nivelin më të lartë të shpenzimeve për Kërkimin dhe Zhvillimin e ka Serbia. Shpenzimet për Kërkimin dhe Zhvillimin janë sa 0.8% të PBB-së apo 757 milionë dollarë, ndërsa numri i kërkuesve përllogaritet rreth 1,830 për një milion banorë. Sipas të dhënave të publikuara, peshën më të madhe të bizneseve e kanë bizneset me rreth 224 milionë dollarë.

 

E dyta renditet Maqedonia, shpenzimet e së cilës për Kërkimin dhe Zhvillimin janë rreth 0.5% e PBB-së, apo 145 milionë dollarë. Maqedonia numëron rreth 838 kërkues për një milion banorë.

Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja, shpenzojnë për Kërkimin dhe Zhvillimin përkatësisht 0.4% dhe 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Numri i kërkuesve për një milion banorë është 673 në Malin e Zi dhe 266 në Bosnjë dhe Hercegovinë. 10 nga 15 vendet me shpenzimet më të larta në këtë fushë janë nga rajoni i Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut.

 

Vendi me shpenzimet më të larta në botë për Kërkimin dhe Zhvillimin, si dhe për numrin më të lartë të kërkuesve është Izraeli. Shpenzimet për Kërkimin dhe Zhvillimin në Izrael janë sa 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe vendi numëron 8,255 kërkues për një milion banorë. 84% e totalit të shpenzimeve kryhet nga sektori privat. Rajoni i dytë me shpenzimet më të larta me Kërkim dhe Zhvillim është rajoni i Azisë dhe Paqësori, duke pasur në klasifikim 4 nga 15 vendet me shpenzime më të larta.

 

Në vend të dytë dhe të tretë në klasifikimin për shpenzimet më të larta në fushën e Kërkimit dhe Zhvillimit renditen dy vende aziatike, Koreja e Jugut dhe Japonia, ku shpenzimet janë përkatësisht sa 4.3 dhe 3.4% e PBB-së dhe mbi 75% e totalit të tyre kryen nga sektori privat.

Shpenzimet globale për Kërkim dhe Zhvillim kanë arritur shumën rekord prej 1.7 trilionë dollarësh. Por vetëm 10 vende mbulojnë 80% të tyre. Si pjesë e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), vendet kanë premtuar se do të rrisin shpenzimet publike dhe private për Kërkimin dhe Zhvillimin, si dhe numrin e kërkueseve deri në 2030-n.

 

Të dhënat më të fundit vijnë nga Instituti i Statistikave të UNESCO-s, i cili po monitoron progresin botëror nëpërmjet objektivit kyç të SDG. Për të vlerësuar angazhimin e një vendi ndaj Kërkimit dhe Zhvillimit, duhet të shikojmë shpenzimet si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.

E përbashkëta e 15 vendeve të para për Kërkim dhe Zhvillim? Shpenzime të larta nga sektori i biznesit është faktori kyç për sukses.

 

Shumë vende po përpiqen që të stimulojnë investime më të mëdha si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat, duke vendosur objektiva kombëtare mbi shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Raportet e medias janë të mbushura me spekulime se kur Azia, e udhëhequr nga Kina, do të kapërcejë Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore sa u përket shpenzimeve të R & D. Duke parë tendencat rajonale me kalimin e kohës, ne mund të gjurmojmë rritjen e lojtarëve në zhvillim, të cilët vazhdimisht po rrisin investimet dhe numrin e kërkuesve.

 

Raportimet e Medias janë të mbushura me spekulime se Azia, e udhëhequr kryesisht nga Kina, do të kalojë Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore për sa u përket shpenzimeve mbi kërkimin dhe zhvillimin.

 

=

 

INSTAT: Ja si e përdorin internetin ndërmarrjet

 

Ndërmarrjet që e kanë përdorur kompjuterin për qëllime pune gjatë vitit 2016, përfaqësojnë 95,6 % të ndërmarrjeve ekonomike, nga 95,0 % që ishte në 2015, sipas gjetjeve të INSTAT në raportin e fundit “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje”. Media sociale (Facebook, Linkedln, Twitter, Youtube etj.) është përdorur në 38,9 % e ndërmarrjeve. Punonjësit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 28,0 % të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, duke u rritur me 3,6 %, krahasuar me 2015. Përqindja më e ulët e punonjësve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e industrisë përpunuese me 8,6 % dhe në aktivitetin e ndërtimit me 16,8 %. Kompjuterat janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 71,1 %, pasuar nga shërbimet administrative dhe mbështetëse me 64,6 % dhe punonjësit në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 61,7 %.

 

Përqindja e ndërmarrjeve që kanë akses në internet është 96,8 %, e totalit të ndërmarrjeve që përdorin kompjuter, duke u rritur me 0,6 %, krahasuar me vitin 2015. Përqindja e përdorimit të kompjuterit me akses në internet nga ndërmarrjet në Shqipëri është 0,2 % më e ulët krahasuar me mesataren e vendeve anëtare të Besë (97%). Lidhja në internet ka qenë kryesisht e tipit DSL ose të tjera broadbandi, në 84,5 % të ndërmarrjeve.

 

Shpejtësia më e madhe e shkarkimit të informacionit, në 50,7 % të ndërmarrjeve, është nga 2-10 Mbit/s, duke u ulur me 13,3 %, në krahasim me vitin 2015. Ndërsa, numri i ndërmarrjeve që kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është rritur me 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2016, ndërmarrjet që kanë pasur faqe interneti  janë 51,6 % e totalit. Në 66,1 % të  ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur kataloget e produkteve ose çmimet e tyre.

 

Në 2016, vetëm 7,1 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën informacion dhe komunikacioni me 24,7 %, pasuar nga transport dhe magazinim me 19,2 % dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 12,1 %. Në ndërmarrjet e aktivitetit ndërtim, 2,1 % kanë shitur produkte/shërbime online dhe në ndërmarrjet përpunuese  ky tregues është 4,3 %. Përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë përdorur internetin për të kontaktuar me autoritetet publike, gjatë vitit 2016, ishte 96,7 %, duke e rritur nivelin e ndërveprimit me autoritetet publike nëpërmjet përdorimit të internetit nga 95,2 %, që ishte në vitin 2015.

Lini nje pergjigje