Hapet bursa e parë private shqiptare, çfarë duhet të dimë?

0

Funksionimi i Bursës Shqiptare të Titujve, “ALSE” pas licensimit të saj nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare parashikohet të ngjallë interes tek shumë qytetarë. Por pak shqiptarë e dinë se si funksionon një bursë dhe çfarë mund të fitohet apo të humbet prej saj.

Loading...

Çfarë është një bursë titujsh?

Bursa është një treg si çdo treg tjetër. Është vendi (fizik ose virtual) ku përputhet kërkesa dhe oferta për të blerë apo shitur tituj. Në ndryshim nga tregjet e tjera, Bursa është një treg i organizuar që funksionon mbi bazën e rregullave të qarta dhe të gjithëpranuara nga rregullatorët dhe operatorët e tregut.

 

Cilat janë produktet financiare që listohen dhe tregtohen në një bursë?

 

Tre janë klasat kryesore të produkteve (instrumenteve) financiare që tregtohen dhe listohen në bursa:

–Instrumentet e Kapitalit, janë tituj të cilët kanë të bëjnë ngushtë me të drejtat e pronësisë mbi kapitalin e një korporate siç janë aksionet, dividendët, të drejtat e parablerjes, garancitë etj.

–Instrumentet e Borxhit, janë tituj që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet që lindin nga një marrëdhënie huaje mes palëve. Instrumentet mund t’i përkasin një borxhi publik (kur emetuesi është shteti shqiptar apo organet e pushtetit vendor) dhe borxhit privat (kur emetuesi i këtyre titujve është subjekt me kapital privat). Si instrumentet e borxhit publik ashtu dhe ato të borxhit privat janë afatshkurtër (bono thesari, letër tregtare), ose afatgjatë (obligacion thesari, obligacion bashkie, obligacion korporate). Mund të emetohen edhe në valuta vendase edhe në valutë të huaj.

 

–Instrumentat Derivative, janë tituj (kontrata) çmimi i të cilave derivon nga një mall (psh. nafta, kafeja, gruri etj.) aset financiar (psh. pasuritë e patundshme) apo një titull (aksion, obligacion). Me anë të këtyre instrumenteve, palët bien dakord që të blejnë mallin, asetin apo titullin nga derivojnë këto kontrata në një kohë të caktuar në të ardhmen (psh. pas 1 viti) me një çmim të përcaktuar që sot.

 

Industria financiare ka evoluar shumë në dekadat e fundit dhe gama e produkteve financiare është shtuar edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe informacionit. Megjithatë edhe produktet e reja, pavarësisht sofistikimit dhe të drejtave, janë produkte që kanë lidhje direkte apo indirekte me grupet e instrumenteve financiare të përmbledhura më lart.

Pse njerëzit blejnë dhe shesin aksione?

Njerëzit por edhe bizneset tentojnë që paratë e tepërta që kanë në periudha kohore të caktuara, t’i shtojnë më shumë. Për këtë përpiqen të bëjnë investime të ndryshme të cilat mund të jenë investime direkte (hapin biznes, blejnë një pasuri të paluajtshme, depozita në bankë) ose realizojnë investime portofoli (blejnë tituj me shpresën që do fitojnë më shumë para nga ç’kishin para investimit në një kohë të caktuar).

Dy janë mënyrat se si fitojnë investitorët (persona fizikë apo juridikë) nga investimi në tituj:

–Fitimi i kapitalit, që ka të bëjë me rritjen çmimit të titullit që kanë blerë (blejnë lirë për të shitur më shtrenjtë në një kohë të më vonshme)

 

–Dividendi, që ka të bëjë me shpërndarjen e fitimit të kompanisë nga kjo e fundit për aksionarët e vet sa herë ajo e shikon të arsyeshme. Dividendi është një e drejtë për të marrë një pjesë nga fitimi i kompanisë ku jeni aksioner në të njëjtin raport me përqindjen e aksioneve që zotëroni (nëse zotëroni 15% të aksioneve, ju takon 15% e fitimit dhe ketë e merrni në formën e dividendit).

 

Duke qenë se kompanitë nuk kanë ndonjë detyrim për të shpërndarë dividend çdo vit, e jo në pak raste, nuk shpërndajnë fare për një kohë të gjatë, investitorët e portofolit (ata që investojnë në tituj), janë më shumë të interesuar për fitimin e kapitalit, pra për rritjen e çmimit. Në këtë këndvështrim ata blejnë lirë dhe shpresojnë që çmimi të rritet e ta shesin në një moment të dytë me një çmim më të lartë duke përfituar diferencën si fitim neto. Një proces i tillë nxit tregtimin (blerjen dhe shitjen) e titujve në Bursë. Duke qenë se investitorët kanë sjellje të ndryshme, qasje të ndryshme ndaj rrezikut, ndaj nevojave për likuiditet, ndaj masës së fitimit dhe të humbjes, volumi i tregtimit të këtyre titujve është gjithnjë më i lartë dhe me kahe të ndryshme. Me fjalë të tjera në të njëjtin moment, për të njëjtin titull, mund të ketë investitorë që duan të blejnë, por edhe investitorë që duan të shesin. Dhe kjo është normale.

 

 

 

Cili është roli i brokerit?

 

Brokeri është pika e lidhjes mes investitorëve (fizikë dhe juridikë) me Bursën. Duke qenë se investimi në bursë është një proces që kërkon një nivel të caktuar ekspertize dhe profesionalizmi, investimi në bursa bëhet vetëm nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të specializuar që quhen “broker/dealer”. Me fjalë të tjera, nëse jeni një investitor dhe me kursimet tuaja jeni i interesuar të bëni një investim në tituj të listuar në një bursë, duhet patjetër të zgjidhni një broker të licencuar nga autoritetet rregullatore, të nënshkruani një kontratë me të, dhe të urdhëroni brokerin që të bëjë çdo transaksion për llogarinë tuaj (sipas kërkesave tuaja) në bursë.

 

 

 

A mund të bëhem i pasur duke investuar në bursë?

 

Investimi është një proces kompleks i cili ka të bëjë shumë me qasjen e investitorit ndaj rrezikut të biznesit, titujt e të cilit po blen. Me fjalë të tjera, investimi ka dy anë të medaljes që kanë të bëjnë me fitimin në rast se parashikimet e investitorit për ecurinë e çmimeve shkojnë në kahun e pritshëm, dhe humbjen nëse ndodh e kundërta. Thënë kjo, investitorët që kanë një qasje shumë të theksuar ndaj riskut të lartë dhe titujve që paraqesin shumë potencial por edhe shumë rrezik (psh kompani e re, me shume premisa, por që pak njihet nga konsumatorët), edhe fitimi do jetë po aq i lartë nëse parashikimet shkojnë në kahun e duhur, ashtu siç edhe humbjet do jenë më të larta nëse ndodh e kundërta. E njëjta logjikë është për ata investitorë që kanë një sjellje konservatore ndaj riskut. Mundësia e tyre për të fituar shumë është më e paktë, por po ashtu edhe mundësia për të humbur është më e ulët.

 

Parë në këtë prizëm, investitorët duhet të kuptojnë që procesi i investimit është një proces i komplikuar i cili kërkon ekspertizë profesionale (nga njerëz apo shoqëri të specializuara), por kërkon edhe përkushtim, kohë dhe dije në këtë fushë. Për këtë arsye rekomandohet fort që investitorët e portofolit duhet t’i japin një rëndësi shumë të madhe edukimit të tyre financiar dhe informimit të gjerë në lidhje qoftë me procesin teknik të investimit, ashtu edhe me vetë industrinë ku ushtron aktivitet biznesi, titujt e të cilit duan të blejnë. Për këtë, media ekonomike/financiare si SCAN merr një rol thelbësor në edukimin dhe informimin lidhur me zhvillimin më të rëndësishëm financiar shqiptar në dekadat e fundit, Bursën Shqiptare të Titujve.

 

Loading...

Lini nje pergjigje