Problemi i pazgjidhur/ Bileta u rrit por urbanët në Tiranë mbeten pa kushte, qytetarët vuajnë të nxehtin afrikan

0

 

“Temperaturat e larta dhe të pazakonta për Shqipërinë detyrojnë qytetarët për të shmangur vapën që të lëvizin me urbanë, por përsëri përballen me një vapë akoma më të madhe brenda tyre”

 

Shqipëria javën e fundit është përfshirë nga një i nxehtë, i pa ndodhur më pare dhe i paparashikuar. Temperaturat kaluar mbi 40 gradë, duke bërë që situata të ishte shumë e vështirë. Java që lamë pas, llogaritet si java më e nxehtë e vitit, pasi mesatarja e temperaturës ishte 38 gradë. Kjo situatë duket se kapi shumë institucione të pa përgatitura. Një ndër to ishte dhe Bashkia e Tiranë e cila është kontrollore e transportit publik. Bashkia Tiranë ka të drejtë dhënien dhe heqjen e licencave, për kompanitë që duan të kryejnë aktivitetin e tyre në qytet. Por duket se këtë herë bashkisë situata i ka ikur nga duart. Pas propagandës të muajve të fundit që erdhi pas rritjes së çmimit të biletës, bashkia duket se nuk po vazhdon më kontrollet rutinë. Në fillim të vitit në profilin e kreut të bashkisë propagandohej se kishte inspektorë në shumë zona të cilët, shikonin për kushtet në urbane dhe kishin të drejtën e gjobave. Këta kontrollorë nuk po kryejnë më punën e tyre. Këtu mund të ketë dy probleme: bashkia nuk kontrollon më firmën të cilën e ka licencuar për të kryer një aktivitet, ose që administrata nuk po u bindet më urdhrave të eprorëve. Në deklaratë e muajve të parë të vitit, kreu i bashkisë, shprehej se çdo ditë do të ketë në çdo urban kontrollor dhe do tu përgjigjen problemeve të qytetarëve. Por ku janë këta kontrollor dhe pse nuk po dëgjohet qytetari sot?

Problemi me vapën

Një ndër problemet kryesore në verë, në të gjitha llojet e transporteve është i nxehti. Shumë qytetarë që kanë distanca të mëdha për të kryer për të shmangur vapën, detyrohen që të lëvizin me urban. Por as këtu nuk gjejnë freski, pasi situata bëhet me keq. Në shumë prej linjave në Tiranë situata është shumë e rënduar, pasi mungojnë kondicionerët. Vapa e madhe në rrugë, vazhdon dhe kur lëviz  me urbanë dhe shtohen më shumë. Të pakta janë linjat që përmbushin kushtet, gjë e cila ka krijuar një situatë alarmante. Temperatura në urban shumë herë është më  e lartë seç është jashtë. Prandaj lind nevoja që të ngrihen disa pyetje për Shoqatën e Transportit në Tiranë dhe institucion përgjegjës që është bashkia. Pyetja e parë që e kemi dëgjuar më shumë këto ditë nga qytetarët është: Cila është arsyeja që shumë linja nuk ndezin kondicionerët, që qytetarët të kenë një udhëtim komod? Përse nuk vendosen rregulla të njëjta për të gjithë urbanët, që kondicioneri në verë dhe dimër të jetë i disponueshëm dhe jo të qëndroj i ndezur vetëm në pjesën e parë të autobusit, ku është shoferi?  Përse bashkia nuk zbaton rregullat me gjoba për linjat të cilat thyejnë  rregullat , duke sjell stres tek qytetarët? Duke qenë se çmimi i biletës u rrit me arsyetimin se do rritet cilësia, dhe kur ajo ende nuk po shënon ëprmirësim, pyesim me të drejtë ku shkojnë lekët shtesë në bileta? Dhe një pyetje e fundit që është thënë shpesh nga qytetarë të ndryshëm gjatë udhëtimeve të tyre me urban:  kur do ndryshojë kjo gjendje?

Zgjidhja e problemit, udhëtoni me dyer të hapura

Një prej urbanëve të shumtë në Tiranë ka gjetur një zgjidhje shumë interesante për t’u përgjigjur pyetjeve të mësipërme. Në një prej ditëve që vapa bëri që termometri të shënonte mbi 40 gradë celsius, një prej urbanëve kishte gjetur një zgjidhje shumë interesante, që qytetarët të mos e ndienin vapën. Shoferi i cili ka dhe komandat për hapje-mbylljen e dyerve, kishte lënë derën që është më afër tij të hapur. Kjo gjë vazhdoi për disa stacione, pasi nga dera hapur vinte ajër i ftohtë dhe ulje temperature. Edhe pse një zgjidhe e jasht ligjshme,  ky shofer kishte menduar që të zgjidhte problemin, me një mënyre anti ligjore, pasi kjo ishte mënyra e vetme. Shumë prej shoferëve të pyetur në lidhje, me mos ndezjen e kondicionerëve shprehen se nuk punojnë, ose harxhojnë. Por edhe pse u rrit çmimi, asgjë nuk ka ndryshuar në cilësinë e transportit publik, për më tepër , situata shpesh bëhet me e keqe.


Problemet me urbanët e Tiranës

Realiteti  i vështirë që përballen çdo ditë qytetarët në udhëtimet me urban

“Vonesa, mbipopullim,  kushte të këqija, dhe mos kujdes nga personeli këto janë disa nga problemet më të shpeshta që mund të hasësh në urbanët e qytetit të  Tiranës”

Por përveç problemit më të madh që është në këtë periudhë, ku vapa ka pushtuar të gjithë vendin, dhe ka sjellë një situatë shumë te keqe në transportin publik, ka dhe shumë probleme të tjera. Përtej fasadës që publikon në “Facebook” kryebashkiaku Erion Veliaj, urbanët e Tiranës kanë një sërë problemesh, të bartura dhe të shtuara të cilat mundojnë çdo ditë qytetarët. Ankesat, sharjet, fyerjet, janë nga më të ndryshmet çdo ditë kur dikush zgjedh urbanin për të kryer udhëtimet e tij në qytet. Një cilësi e dobët që nuk e justifikon çmimin e rritur të biletës , mbizotëron në të gjithë urbanët e Tiranës. Çdokujt i ka rastisur të udhëtojë me urbanet e kryeqytetit e po çdokush ka vënë re dhe shumë probleme që shoqërojnë gjatë ditës këtë transport. Mbipopullimi, vjedhjet, era e rëndë për shkak të mos ajrimit, vonesat në orare etj, janë vetëm disa prej shqetësimeve me të cilat qytetarët përballen çdo ditë në autobusët e linjave urbane. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës nuk duket të jetë aspak e shqetësuar mbi këtë realitet që duhet të përjetojnë qytetarët e kryeqytetit, të cilëve iu duhet të shtyhen e të shtypen si sardele nëpër urbane të linjave të ndryshme. Linjat kryesore ku shfaqen probleme të tejskajshme të pasagjerëve janë Unaza, linja e Institutit, Kombinatit dhe Saukut, Qyteti Studenti  ndërsa më pak problematike, megjithëse evident si problem, situata paraqitet në linjën e Tiranës së Re.

Popullimi në orët e para të mëngjesit është më i rënduar, pasi është orari kur qytetarëve iu duhet të udhëtojnë në shkollë apo për në punët e tyre të përditshme. Por ky popullim është edhe në oraret e drekës kur të gjithë kthehen për në shtëpitë e tyre. Duke qenë se popullimi është shumë i madh, shumë nga autobusët nuk ndalojnë fare në disa stacione pasi e kuptojnë që nuk kanë vende për të marrë njerëz të tjerë. Por kjo situatë është problematike edhe në orët e drekës, kur të gjithë kthehen nga punët e tyre dhe nga shkollat, duke mbipopulluar urbanët. Shumë prej tyre duhet që të presin urabin e radhës, pasi në paraardhësin nuk munden të gjejnë vend. Pritja e njerëzve shtohet edhe nga trafiku i rënde që ka përfshirë prej disa muajsh kryeqytetin.  Një djalë 22 vjeçar i cili jeton në “Kombinat” na tregoi rrugëtimin e tij çdo ditë me urbanin të cilin e përdor çdo mëngjes, pasi i duhet që të shkoj në punë të cilën e ka në  “Komunën e Parisit”. Ai tregoi se për çdo mëngjes duhet të përballet me një panoramë të shëmtuar, ku njerëzit gjenden të ngjeshur me njëri-tjetrin, dhe kjo gjë duhet të durohet për shumë minuta me radhe pasi vonesat janë të shumta, nga trafiku.  Po ashtu ajo na tregoi se për shkak të orarit kur të gjithë njerëzit lëvizin për në destinacione të ndryshme në të njëjtin orar, përballen me një ngjeshje dhe një shërbim që lë shumë për të dëshiruar. Për 22 vjeçari nga Kombinati, kjo gjë është kthyer në rutinë dhe në neveri, ku ndodh shpesh që ai për këtë arsye të refuzoj që të hipi në urban në mëngjes. Ai na tha se ai në shumë ditë zgjohet më shpejt që të eci në këmbë vetëm për të mos u përballur  me panoramën e shëmtuar që ka çdo ditë urbani që ai përdor.

Vonesat

Problematikë tjetër po kaq me rëndësi mbetet edhe vonesa e urbaneve, gjë që djalit  nga Kombinati i kushton edhe mungesë në minutat e parë në punë, gjë që i ka sjell disa herë edhe probleme me eprorët e tij. “Ndalesat e shpeshta nga trafiku i rënduar bëjnë që të humbas edhe ditën e punës. Sikur të mos mjaftonte fakti se në brendi të urbanit të linjës Kombinat – Kinostudio asfiksohesh nga turmat e mëdha të ngjeshura ngushtë mes njëri-tjetrit, më duhet të rri në këmbë përgjatë gjithë udhëtimit me një trafik jashtëzakonisht të rënduar të orëve të para të mëngjesit”, na tregon ai.  Lidhur me vonesat, një studente që përdor urbanin shpesh për të shkuar në shkollë na tregoi se asaj i ka kushtuar shumë udhëtimi me urban, pasi ka humbur shumë orë mësimi të cilat e kanë penalizuar.  Z. N na tha se zgjohet gjithmonë dhe më herët, por përsëri ajo shkon vonë në shkollë.

Urbanet në kaos,  gjysmë ore për 800 metra

Një student T.Bello deklaroi se urbanet në Tiranë janë në kaos total dhe me një rrëmujë që për të është mjaft shqetësuese. “Më duhet të marrë çdo ditë autobusin në qendër për të shkuar deri tek fakulteti im, rrugë që është një distancë jo më tepër se 800 metra. Trafiku bën që kjo rrugë kaq e shkurtër me urban të më shkojë jo pak, por ka raste që udhëtimi zgjat deri edhe gjysmë ore. Përveçse më duhet të qëndroj në këmbë gjatë gjithë kohës, mund të them se gjendja në urban është e rënduar, pasi linja e Saukut nuk ka kondicionerë”, na tregoi ai. Sipas tij, kjo linjë ka shumë kohë që është në këtë gjendje dhe bashkia nuk ka ndërhyrë për ta rregulluar.

Vjedhjet dhe sherret

Përveç vonesave të cilat janë të shpeshta, qytetarët gjithashtu kanë ankesa për kthimin e urbaneve në qendra të vjedhjeve, ku jo në pak raste në linja të ndryshme janë shënuar veprime të tilla. Jo vetëm vjedhja është e zakonshme në urbanet e kryeqytetit, por siç shprehen qytetarët, edhe rrëmujat e grindjet janë kthyer më se të zakonshme në urbane, si rrjedhojë e keqkuptimeve në mes të rinjve apo në mes pasagjerëve dhe stafit të urbanit.  Shumë qytetarë janë ankuar se sherret duhet që të shmangen në urbane, pasi shqetësojnë të gjithë udhëtarët. Këto ditë kur po udhëtonim  me urbanin e kombinatit për të parë nga afër gjendjen e tij, ndodhi një zënkë mes një udhëtari dhe fatorinos. Në momentin që fatorino ju drejtua qytetarit, për lekët e biletës, qytetari ju kthye me një ton të ashpër dhe më pas u ngritën tonet. Debati mes tyre zgjati disa minuta dhe të gjithë të tjetër filluan me ankesa për shqetësimin që ata patën. Edhe pse qytetari dhe fatorino e kuptuan se shqetësuan të tjerët, vazhduan me debatin e tyre.

Mbi popullimi i urbaneve

Një i moshuar që ishte bashkudhëtari jonë në udhëtim, shprehu shqetësimin e tij qytetar lidhur me urbanet dhe i bëri një apel edhe instancave përkatëse. “Ka disa vjet që jam me sëmundjen e astmës dhe madje edhe kurohem me ilaçe nga astma. E kam të vështirë të udhëtoj në linjën e Kombinatit, pasi aty gjithmonë ka shumë njerëz. Mua më merret fryma dhe mezi marr frymë në ajër të pastër, e jo më në një ambient aq të mbyllur dhe të mbushur përplot me udhëtarë. Dua ti bëj apel bashkisë së Tiranës që ta shohë si problem dhe të ndërhyjë që të mos ketë më mbi popullimi të tilla që po na marrin frymën ne pensionistëve”, tha i moshuari, duke apeluar për zgjidhje të problemit.  Qytetari  me vështirësi tregoi se prezenca e shumë udhëtarëve në këtë linjë bën që ai ta vizitojë më pak djalin e tij, pasi për çdo herë që udhëton ka vështirësi në frymëmarrje. Ai përsërit edhe njëherë apelin e tij për bashkinë e kryeqytetit, duke thënë se problemi është vërtetë i madh dhe bashkia është e nevojshme të ndërhyjë sa më shpejt që kjo situatë të marrë fund. Shqetësimi i mbipopullimit nuk ishte vetëm nga i moshuari, por edhe e shumë personave të tjerë që përdorin transportin publik. Banorët e kryeqytetit çdo ditë detyrohen të përdorin transportin urban, si të vetmen mundësi të transportit publik, ndryshe nga kryeqytetet e tjera evropiane dhe më gjerë, që ofrojnë mundësi të ndryshme të këtij transporti publik. Numri i personave që detyrohen të përdorin çdo ditë autobusët është mjaft i lart. Ndërsa mungesa e ofrimit të shërbimit sipas standardeve të duhura është prezentë dhe e dukshme. Situata paraqitet kaotike në linjat më kryesore, siç janë urbanët që mbulojnë zonën e Unazës dhe Tiranën e Re, ku numri i qytetarëve që lëvizin sidomos në mëngjes për në punë ose destinacione të ndryshme, është më i madh se kapaciteti që mund të përballohet nga autobusët.

Problemet kryesore në transportin urban në Tiranë

Mungesa e sistemit të larmishëm të ofrimit të shërbimeve sa i përket transportit publik në Tiranë, ku mund të realizohet përmes trenit, tramit etj. i përball qytetarët të cilët nuk kanë makina private dhe detyrohen të udhëtojnë me autobus shpeshherë me vështirësi. Problemet kryesore sipas qytetarëve të cilët u prononcuan për gazetën, është mbipopullimi i pothuajse të gjitha linjave që operojnë në Kryeqytet. Një nga qytetarët i cili ndodhej në linjën e Unazës thekson se “numri i njerëzve të cilët hipin në urban është shumë i lartë, dhe kjo na detyron të qëndrojmë ngjitur e njeri-tjetrin, duke i favorizuar edhe hajdutët të cilët janë prezent në urban”. Por mbipopullimi i urbanëve nuk është i vetmi shqetësim për qytetarët, pasi nuk janë të pakta rastet ku ata detyrohen të qëndrojnë gjatë në stacion të autobusit, për shkak të trafikut të renduar dhe numri jo të mjaftueshëm të autobusëve. Në një kohë që frekuenca e autobusëve nga njëri stacion në tjetrin duhet të jenë nga 4-8 minuta, ky afat nuk respektohet në të shumtën e rasteve.

Mungesa e korsive të dedikuara

Mungesa e korsive të veçanta për qarkullimin e urbanëve, është një tjetër fenomen problematik që i vështirëson transportit urban ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve, në pritshmërinë e këtyre të fundit. Edhe pse është premtuar nga të dy partitë politik kryesore që kanë drejtuar Bashkinë e Tiranës, si të majtët ashtu edhe të djathtët që do të investohet sa i takon zgjedhjes së problemit të korsive të veçanta, ende ky premtim nuk është realizuar, ndërsa qytetarëve u mbetet të përballen çdo ditë më vështirësi sa i përket këtij sektori. Në Tiranë funksionojnë aktualisht 10 linja kryesore të transportit urban. Linjat që mbulojnë lëvizjet në Tiranë janë “Kombinat – Kinostudio”, “Tirana Re- Stacioni Trenit- Unaza Doganës-Tirana Re”, “Unaza”, “Porcelan”, “Sauk”, “Laprakë”, “Uzina Traktori”, “Tufinë”, “Institut Bujqësor” dhe “Sharre”. Sipas statistikave, dy nga linjat më të frekuentuara janë ato të Unazës dhe Kombinat-Kinostudio. Në periudhën nga muaji nëntor në mars, autobusët e unazës nisin lëvizjen nga ora 5:30 deri në 24:00, ndërsa në pjesën tjetër të vitit, prej orës 5:00- 24:00.

Radhët e gjatë për të hipur në urban

Kohët e fundit për shkak të rritjes së çmimit të biletës është “rritur” edhe cilësia në urbanet  e kryeqytetit. Për shkak të cilësisë që është shumë e “lartë”, qytetarë të shumtë zgjedhin këtë mjet për të lëvizur. Kultura e të lëvizurit me urban është shtuar shumë dhe për këtë shkak krijohen radhë të gjata, për qytetarët të cilët dëshirojnë të lëvizin me këto mjete. Fotoja që tregohet është shkrepur afër qendrës së Tiranës, edhe pse njerëzit janë larg përsëri në fytyrat e tyre duket një gëzim i madh kur shohin që pranë tyre kalojnë urbanët. Qytetarët pasi panë që kushtet në urbanë ishin shumë të “mira” dhe nuk ishte shumë njerëz të gjithë treguan një interes për të udhëtuar me urban. Të gjithë u mahnitën nga pamjet e “rastësishme”,  tregohej që në urbanët e Tiranës kishte kushte shumë të mira. Por duke parë këto kushte të gjithë u drejtuan urbanit për të udhëtuar dhe tani të gjithë shpresojnë që të gjejnë një vend në urbane, sepse cilësia “e lartë” të bën që kesh dëshirë të lëvizësh me mjetet e transportit publik.  Megjithëse se shumë njerëz presin për urbanin, përsëri vonesat janë të shumta dhe ky shqetësim ka disa ditë që është prezent në Tiranë. Por cilësia “e lartë” bën që qytetarët të mos ngrenë zërin për një problem të “vogël” si vonesa, sepse pritja e tyre do të shpërblehet kur të hipin në urbanet me kushtet “më të mira në Evropë”.


Rritje e çmimit të biletës

Paralajmërimi i vazhdueshëm për rritje të re të biletës në urbanët e Tiranës

Kryeqyteti është i vetmi qytet në Shqipëri që ka biletën e urbanit 40 lekë, pas vendimi të një viti më parë nga Këshilli bashkiak të Tiranës. Në atë kohë u quajt një indeksim i çmimit pasi ishte rritur shumë kostoja për një person që udhëton. Në ditët e para kur u pësua kjo rritje pati reagime të shumta nga të gjithë të cilët nuk ishin dakord me këtë vendim. Nga ana e tyre kompanitë e transportit e justifikonin rritjen me çmimin e lartë të naftës dhe taksat e shumta. Ndërsa bashkia si justifikim kishte rritjen e cilësisë e cila do të vinte menjëherë pas marrjes së vendimit. Kanë kaluar më shumë se një vit nga ky vendim po duket se asnjë gjë nuk ka ndryshuar, por vetëm ka pasur përkeqësime.  Por pasi kanë kaluar disa kohë që nga marrja e këtij vendimi kompanitë e transporti duket se nuk janë të kënaqura me këtë rritje dhe kërkojnë që të çmimi të pësoj përsëri indeksim. Autobusët urbanë në Tiranë kërkojnë rritjen e çmimit të biletës. Kjo për shkak të zgjatjes së linjave drejt periferive dhe shtimit të kostove për ta. Kërkesa vjen pasi ky shpenzim nuk mbulohen nga indeksimi i çmimit të një viti më parë që bëri bashkia e Tiranës. Në off rekord, filtet që në fund të këtij viti, do të ketë përsëri një rrijte të çmimit, i cili do te jetë më i lartë se hera e parë. Por edhe pse qarkullojnë shumë zëra përsëri kjo gjë nuk konfirmohet, pasi është frika e protestave.

/STANDARD.AL

 

 

 

 

 

Lini nje pergjigje