Pakënaqësitë/ Si mund të ankohesh tek Banka qendrore për një bankë të nivelit të dytë

0

 

Loading...

Çdo klient (i rastësishëm ose jo) ndaj një institucioni financiar, banke ose jobanke, të licencuar në përgjithësi mund të bëje një ankesë në Bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të mbikëqyrjes tha se ka vënë në prioritet mbrojtjen e konsumatorit sidomos klientelës  në segmentin “individë/persona fizikë”. Ky segment vlerësohet si pjesa më e ekspozuar dhe e pambrojtur e klientelës në kushtet kur mundësitë (organizative, financiare, ligjore), njohuritë dhe kultura e të kuptuarit të çështjeve komplekse që lidhen me produktet, shërbimet bankare dhe financiare janë më të kufizuara se segmenti i personave juridikë. Ankesa në Bankën e Shqipërisë mund të adresohet drejtpërdrejt nga klienti ose mund të jetë një ankesë e përfaqësuar nga një palë e tretë (avokat/studio ligjore). Në rastin e fundit, ankesa duhet të jetë e shoqëruar nga dokumenti ligjor i përfaqësimit (prokurë) e noterizuar.

 

Çfarë duhet të përmbajë praktika e ankesës? Është e rëndësishme që çdo ankesë e dërguar në Bankën e Shqipërisë të paraprihet nga komunikimi midis ankuesit dhe institucionit, komunikim i cili duhet të jetë i dokumentuar. Përveç ankesës së shkruar në mënyrë të qartë dhe kronologjike duke shprehur qartë edhe arsyen e saj, praktika e ankesës do të duhet të përmbajë çdo dokument tjetër që mbështet dhe konkretizon rastin dhe historikun e çështjes, si kontrata për produktin e ofruar, korrespondenca me institucionin financiar ndaj të cilit adresohet ankesa, apo me çdo palë tjetër të përfshirë në rastin në fjalë, nëse ka të tilla.

 

Ankesat e klientëve që i adresohen Bankës së Shqipërisë, në varësi të kompleksitetit të problematikës si edhe natyrës së ankesës trajtohen nga Departamenti i Mbikëqyrjes, në bashkëpunim me Departamentin Juridik. Theksojmë se si rregull, trajtimi i ankesave nga klientët në aspektin kohor, në dallim nga rregullat dhe limitet e brendshme të korrespondencave të tjera me palë të treta (kryesisht institucione), nuk iu përmbahet këtyre rregullave për shkak të kompleksitetit dhe natyrës së ankesës, si dhe kohës së nevojshme dhe jo në pak raste të papërcaktuar për investigim të mëtejshëm të pavarur apo me institucionet financiare ndaj të cilave adresohet ankesa. Megjithëkëtë, në varësi të arsyeve të sipërpërmendura apo burimeve njerëzore të disponueshme, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të trajtojë ankesat e ndryshme brenda një kohe sa më të shpejtë që të jetë e mundur. Departamenti i Mbikëqyrjes si rregull, me marrjen në administrim të ankesës koordinon me Departamentin Juridik (nëse ky është rasti) dhe më tej kryen një investigim të problematikës duke kërkuar informacion më të plotë dhe të detajuar nga institucioni që është subjekt i ankesës. Pasi Banka e Shqipërisë bindet për plotësinë e informacionit, dërgon një përgjigje te klienti nëpërmjet drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes/Departamentit Juridik, dhe sipas rastit vë në dijeni edhe Administratorët e Bankës së Shqipërisë. Neni 31 i ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” thekson pavarësinë operacionale dhe vendimmarrëse të bankës, sipas së cilës asnjë subjekt apo person publik nuk mund të ndërhyjë në administrimin dhe drejtimin e bankës, përveç rasteve të zbatimit të akteve nënligjore të Bankës së Shqipërisë ose kur një gjë e tillë parashihet me ligj.

 

Në këtë kontekst, në rast se ankesa lidhet me moszbatim apo shkelje të akteve ligjore dhe/apo nënligjore të Bankës së Shqipërisë, institucionit financiar i kërkohet me një shkresë të veçantë, adresimi i çështjes në favor të klientit, e shoqëruar edhe me marrjen e masave përkatëse të kujdesit/administrative sipas rastit. Ndërkohë, në çdo rast një shkresë-përgjigje i adresohet klientit ku shprehet edhe qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për çështjen në fjalë. Për çdo rast, fryma e përgjigjeve që iu adresohet klientëve është e tillë që nxjerr në pah faktin se marrëdhënia ndërmjet bankës dhe klientit është një marrëdhënie juridiko-civile, dhe si e tillë duhet të zgjidhet nga organet gjyqësore, në rast se palët nuk bien dakord për një zgjidhje të pranueshme, pavarësisht vullnetit të Bankës së Shqipërisë për të adresuar çështjen me institucionin financiar në favor të klientit, në rast se materializohet lidhja e burimit të ankesës me moszbatimin e akteve nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

Kredia

Muaji maj nuk ka qenë i mbarë për të gjithë ata që kanë dashur të marrin një kredi në bankë. Përveçse huaja për ekonominë ka shënuar rënie, ajo ka qenë edhe më e shtrenjtë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja të dhëna në lekë në maj u rrit në 7.27%, nga 5.25% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë shtrenjtim të kostos së kredisë e kanë dhënë huatë afatshkurtra, ku ato deri në 6 muaj u shtrenjtuan me një pikë përqindjeje (nga 6.55 në 7.66) dhe nga 6 muaj deri në një vit ishin 1.6 pikë përqindje më të larta (nga 3.895 në 5.51%). Edhe huatë mbi 5 vjet, që përdoren kryesisht për investime, arritën në 7.9%, nga gati 6% që ishin muajin e mëparshëm.

 

E kundërta ka qenë tendenca për kreditë në euro, të cilat ishin më të lira në maj. Ndërsa në prill, për herë të parë kosto e kredisë në lekë u barazua me atë në euro, në rreth 5.2% të dyja, tashmë huatë në monedhën e përbashkët janë më të lira. Në maj, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë në euro zbriti në 4.7%. Maji ka qenë negativ edhe për kredinë e dhënë në ekonomi, sidomos për bizneset. Stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jofinanciarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë.

 

Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.

 

Loading...

Lini nje pergjigje