“Marrëdhëniet e mia me z. Lulzim Basha: shpresa dhe zhgënjime”

0

 

Pse flas ?

U bënë disa javë dhe muaj që dëgjoj : E pe Lulzim Bashën, a nuk të kishim thënë ? Të tjerë : Cfarë të duhej ty të harxhoje kohë dhe mund, këta të gjithë njësoj janë ! Si e bëre këtë ? Ti ke qenë gjithnjë i paanshëm në politikë, je marrë me shkencë dhe filozofi, cfarë të hypi në kokë që përkrahe një parti politike, opozitën, partinë demokratike ? Qendro në shkencë dhe arsim se aty është kontributi yt, pse ngatërrohesh me politikën ku i thonë derrit dajë ? Ti vjen edhe nga një familje e majtë, pse ngatërrohesh me këta të së djathtës ? Dhe më në fund : E mo, e pe « republikën e re » të Lulzim Bashës, si e braktisi dhe të la në baltë ? Nuk na dëgjon Artan, nuk na dëgjon, je kokëfortë !

+++

Bashkë me këto spica dhe pyetje, që në vetvete më bëjnë të buzëqesh nga jashtë dhe të qesh fort nga brenda, ndjej edhe trishtimin e moskuptimit. E dembelizmit politik dhe e bjerjes morale që ka përfshirë shtresa të tëra, larg e afër meje, të shoqërisë shqiptare. Të gjithë ankohen, shajnë, bërtasin, anatemojnë, rënkojnë, dhe nga ana tjetër nuk bëjnë gjë. Rrinë duarkryq. Për mua që kam kaluar jetën duke lexuar Platonin, nuk ka asnjë paradoks këtu. Mjerimi absolut prodhon mosveprim absolut ; Eshtë si puna e dikujt që pasi ka ndejtur njëzet vjet pa punë, edhe po i ofrove punë nuk punon dot më. Si një i burgosur që pas tridhjet vjetësh në qeli, nuk dëshiron të dali më që andej. Nuk ka asnjë paradoks.

Mund ta kisha bërë edhe unë, madje edhe me më shumë benefice sesa shumë të tjerë, por e kam të pamundur. E para, sepse duke punuar në shkencat shoqërore dhe politike, e kam për profesion ta dignostikoj të keqen dhe atë që nuk ecën, atë që e ka bërë Shqipërinë të jetë vendi që e braktisin shqiptarët, të jetë vendi ku qytetari nuk pyetet për asgjë, vend të varfërisë masive dhe të boshatisjes nga infrastrukturat ekonomike, të një arsimi që vende vende i ngjan atij mashtruesit që u shiste të tjerëve ajër, yjet e galaktikës, madje edhe jetë të lumtura në parajsë. Përse kontribuova që opozita të ngrihej ? Sepse jam unë që përpara vitesh e vitesh kam ngjizur shprehjen « Opozitë opozitës ! » Atëhere dikush u mërzit, disa shërbëtorë më anatemuan se po sulmoja opozitën në emër të pushtetit, dhe unë u tërhoqa. Ndërkohë gjykova se kisha bërë gabim. Në Shqipëri pushteti e ushtron forcën e tij autoritare pikërisht nëpërmjet opozitës, duke kontrolluar opozitën, ose duke e shtyrë apo lënë atë të shkojë në rrugën e gabuar.
Opozita në kushtet tona duhej gjithmonë të kishte filluar si « opozitë e opozitës » për t’i bërë pastaj opozitë të shëndoshë dhe qytetare pushtetit, sepse një shoqëri demokratike devijon pa të.
Para disa muajsh mendoja se ekuilibrimi i numrave në Kuvend do të ndihmonte që edhe pushteti t’i rikthehej arsyes së shëndoshë, por mbi të gjitha që qytetari shqiptar, brenda një klase politike në ekuilibër forcash, të kishte mundësi të merrte frymë më fort dhe të ndikonte në qeverisjen dhe administrimin që i takojnë atij dhe askujt tjetër. Nuk mendoja se partia demokratike duhej të vinte me 74 ose edhe më shumë deputetë në fuqi në Kuvend sepse kështu pushteti do të ishte përsëri një rrugë jo optimale për qytetarin, pra për Shqipërinë. Por mendoja se një ekulibrim forcash do të kishte qenë optimal.
Kur z.Lulzim Basha doli me tezën e një « republike të re », atëhere shpresat m’u shtuan dhe mendova se kishte ardhur momenti për të arritur tre objektiva madhorë në politikë : E para, të goditeshin deviancat strukturore dhe kushtetuese që e mbajnë peng këtë shtet prej dekadash, e mbi të gjitha të reformohej një shtet klientelist, aspak neutral, aspak qytetar, por që në vend të monopartizmit të dikurshëm na ofron shumë-politizimin e administratës, një shtet që veç disa të drejtash politike bazë, sa për jetesë, nuk na jep liritë e premtuara dhe ato që gëzon sot Europa dhe Perëndimi. E dyta, mendova se kishte ardhur koha që forcat politike në Kuvend të ekuilibroheshin disi ; qoftë me një fitore të lehtë të partisë demokratike dhe aleatëve të saj, qoftë me një fitore të lehtë të partisë socialiste dhe të aleatëve të saj, por gjithsesi në të dy rastet fitore të lehta dhe jo thyese për kundërshtarin që në fakt thyejnë qytetarin dhe vetë Shqipërinë. E treta, sepse ushqeja shpresa te Lulzim Basha, elastik, elokuent, me arsim perëndimor, por mbi të gjitha sepse i ardhur nga dora e doktor Berishës në politikë, pa kaluar nga sita shkatërruese e rivaliteteve mes mëtuesve të pushtetit, e gjykoja të painfektuar nga luftrat meskine për pushtet. Po për këtë arsye kisha besim se do të ishte edhe i painfektuar nga aleanca të nën-tavolinëshme me segmente të pushtetit të dikurshëm komunist ose me pushtete të tjera.
Si mund të humbej ky rast ? Nëse do të ishim ende në dimrin e këtij viti, pra aty nga janari, dhe Lulzim Basha do të kishte ndërmend të riniste përsëri montimin e çadrës së lirisë duke pasur si ideal promovimin e idesë për një « republikë të re », unë përsëri do ta kisha rifilluar mbështetjen time pa kushte, të sinqertë, për të mirën jo të tij, as timen, as për të keqen e askujt tjetër, por për të mirën e të gjithë shqiptarëve që rrethe e qarqe të ndryshme dhe skuta të tjera të pista si uji i Lanës u shplajnë trutë duke mos i lejuar të mendojnë të vërtetën : Ne kemi një model qeverisje që është nën nivelin e demokracisë të vërtetë, që nuk i ngjan asnjë modeli, të asnjë vendi europian ose perëndimor, që ne jemi duke mos bërë shtet, por kemi ende një organizim që Weberi jo pa të drejtë e quante organizim fisesh nomade. Pasi na solli ato të mira që mund të na sillte kjo « demokraci nomade » na ka zënë brenda dhe po na asfikson. I u harxhon jetët të rinjve që mua më duhet, si shumë të tjerëve, t’i edukoj.
Dua të them se bashkëpunimi im me z.Lulzim Basha kalon nëpër tri faza. Unë sigurisht do të rrëfej momentet me dobi shoqërore dhe nuk do të hyj në detaje që mbeten konfidenciale dhe personale, e që nuk mendoj se vlejnë për t’i marrë kohën lexuesit.

Etapa e parë : Një opozitë gjysëm e përgjumur.
Në tre ose katër vitet e fundit kam pasur rastin të marr pjesë në debate për cështje të caktuara të organizimit shoqëror. Nuk pretendoj se zgjedhjet e mia kanë qenë të drejta dhe as përjashtoj që ndokush tjetër të ketë pasur të drejtë të mendojë ndryshe. Nuk është këtu problemi. Ndonëse edhe sot e gjithë ditën u qendroj bindjeve të mia që vijnë nga rezultatet e studimeve që unë ose kolegë të tjerë kanë ndërmarrë. Puna është se në të gjitha rastet e marra në shqyrtim, konstatohej, pa lidhje organizative dhe as kontakte midis nesh, se opozita e partisë demokratike mbante qendrime që zhvillonin edhe ato një kritikë sikurse i takonte ta bënte opozitës.
Në procedurat për konceptimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit për arësimin e lartë, zot Lulzim Basha shprehu dëshirën të na dëgjonte neve një grup pedagogësh kritikë ndaj projekt-ligjit në fjalë. Ne vajtëm në takim dhe publikisht, hapur, sinqerisht, shprehëm pikëpamjet tona. U mirëkuptuam, por opozita veç një debati fjalësh në Kuvend më shumë anash dhe jashtë temës të ligjit në fjalë, as nuk e luajti gishtin për ta kundërshtuar atë. Nuk bëri asgjë, ndërkohë që mund të bënte aq shumë. Po kështu edhe në kuadrin e përpjekjeve të qeverisë për reformimin e kërkimit shkencor, i cili edhe sot e kësaj dite ka mbetur i ngrirë dhe pa asnjë rezultat. Kështu për kulturën, për librin, për mediat, për reformën territoriale, etj.
Deputetët opozitarë e kishin kufizuar detyrën e tyre thjesht në debatin politik dhe të politizuar në Kuvend dhe në ngritjen e kartonit të kuq !
Për të gjitha këto veç se kam folur në publik i jam drejtuar me gojë madje edhe me shkrim edhe zotit Lulzim Basha si drejtues i opozitës. I kam kërkuar se përse ai nuk shkonte në seancat parlamentare, për të qenë i pranishëm, përse deputetët e opozitës nuk lëviznin nga salla e Kuvendit për të takuar grupet e interesit, përse nuk ushtronin vizita dhe konsultime në agjencitë publike, përse nuk kërkonin konsultime të gjëra shkencore dhe demokratike dhe nuk përgatiteshin për të zhvilluar aksionin opozitar demokratik brenda por dhe jashtë sallës të Kuvendit, në rrugë institucionale, etj.

Ideja ishte e thjeshtë : Deputetët opozitarë i gjykoja të zhytur në një kuptim tepër formalist dhe thjesht ligjërues të përgjegjësisë së tyre, ndërkohë që qytetarët, elektorati, shoqëria nuk ndjenin asnjë efekt të veprimtarisë së tyre. Madje veç doktor Berishës dhe të dikujt tjetër, pjesa më e madhe e deputetëve opozitarë dukej pa asnjë ndikim në publik.
Zoti Lulzim Basha më mirëkuptonte, më jepte të drejtë, por fatkeqësisht nuk bëri dot gjë që deputeti opozitar të rikthehej në rolin e tij pranë shoqërisë civile, pranë elektoratit, dhe të ngrihej në rolin cilësor të një ligjëvënësi të emancipuar dhe që emancipon.
Kjo opozitë si atëhere edhe sot, sipas meje, nuk na vlen as ne qytetarëve, as elektoratit të saj, as shoqërisë civile, madje as edhe pushtetit dhe Shqipërisë. Kërkoja të dija si studjues dhe si qytetar se cilat ishin parametrat matës të performancës të një deputeti dhe përsëri nuk gjeja përgjigje.
Asnjë deputet i partisë demokratike nuk shtron edhe sot e kësaj dite pyetjen : A kam qenë unë në lartësinë time si deputet përgjatë një mandati ndërkohë që jam ushqyer me taksat e qytetarëve shqiptarë ? Madje jal paguar edhe më shumë sesa një antar i qeverisë sepse fundi fundit, mirë a keq, një ministër punon, ka disa angazhime dhe përgjegjësi, kurse deputeti opozitar, sikurse kuptohej, bënte opozitën e fjalëve dhe ikte në punë të tij.
Shoh ish deputetë që kandidojnë bashkë me zotin Lulzim Basha për të kapur postin e lartë të drejtuesit kryesor të partisë demokratike dhe të opozitës. Sa zell nga të gjithë për t’u bërë kryeopozitar ? E kanë menduar se çfarë sakrificash kërkohen ? Dhe ajo që më trishton është se asnjëri prej tyre nuk shtron ende përpara vetes dhe publikut pyetjen : Cfarë deputeti opozitar kam qenë ? A kam përgjegjësi për rolin dhe funksionet e mia ? Bëjnë thjesht kritikën e fushatës që drejtoi Lulzim Basha, por as ky i fundit dhe as kritikët e tij, nuk shkojnë më tutje për të parë se çfarë kanë bërë si deputetë opozitarë ose për ta rinovuar opozitarizmin në vend !!!
Gjithë shqetësimi ka mbetur se kush do të kandidohej për deputet, përse nuk u kandidova unë ose ai tjetri, pretendimi se jemi asete, por askush nuk shtronte të paktën një herë pyetjen : A e meritoj unë të jem deputet ? A e meritojmë ne të jemi deputetë ? Me çfarë e provojmë ne se e kemi bërë detyrën tonë si deputetë opozitarë ?

Etapa e dytë : Dështimi i çadrës

Edhe unë u befasova kur pashë që pas pas mitingut të 18 shkurtit në bulevard të ngrihej një çadër e madhe. Fakti ishte aty. Mbështetja ime ishte e plotë, pavarësisht se po të kishte qenë për mua, do të më dukej e tepërt. Por, fakti kishte ndodhur dhe gjykoja se meqë aksioni opozitar kishte vendosur ashtu, ai duhej përkrahur.
Përse ?
Në gjykimin tim mirëkuptoja edhe faktin se kishte një personalizim të rolit të liderit politik nga ana e z. Lulzim Basha. E mirëkuptova dhe e mbështeta. Përse ? Sepse gjykoja që ai ka nevojë të shfaqet si një lider i ri politik ndërkohë që këto katër vite nuk ka pasur mundësi ta afirmojë sa duhet rolin e tij. Kështu do të burrërohet në politikë qoftë edhe në një aksion politik rrokambolesk. Së dyti gjykoja që kjo do të ishte një sprovë edhe për deputetët e tjerë opozitarë. A do ta ndjekin ata idenë e « republikës së re » që në një farë mënyre vendos në diskutim dhe nën dylbinë e kritikës mënyrën si ata kanë qeverisur dikur, si e kanë bërë ata rolin e deputetit ? Këtë mendoja. Sepse është e papranueshme që shoqëria jonë të jetë me deputetë të pasur dhe me qytetarë të varfër që zgjedhin të parët. Luksi i deputetëve dhe i gjyqtarëve te ne, sikurse ka vendosur në dukje ambasadori Lu, sepse ne shqiptarët nuk e shohim dot, është i frikshëm, i turpshëm, fyes për qytetarin.
Por, askush nga deputetët dhe drejtuesit politikë opozitarë nuk luajti rol aktiv ose nuk e mbështeti idenë e « republikës së re », veç doktor Berishës dhe ndonjë tjetri që luajtën rol aktiv në çadër, nuk e zbërtheu atë ide askush, as Lulzzim Basha, nuk diti askush të mbante qendrim autokritik për gabimet e veta dhe kolektive, nuk ishte gati askush të ngrihej mbi vetveten për interesin publik.
Nga kjo pikëpamje, mbështetjen e z. Lulzim Basha dhe aksionin e tij politik e shihja edhe si test për politikanët dhe deputetët demokratë, pra sesa të aftë do të ishin ata të braktisnin modelet e dikurshme të sjelljes së tyre politike për t’u ngritur në nivelin e detyrave të kohës. Atje ku i kërkonte qytetari.
I kërkoja zotit Lulzim Basha të promovonte teknicienët e rinj, politikanët e rinj, administratorët e rinj, ata që kërkonin një model tjetër sjelljeje politike. Z. Lulzim Basha premtoi në çadër se drejtuesit e rinj do të dilnin nga oratorët dhe aktivistët në seancat publike në çadër, por ky premtim mbeti thjesht një premtim.
Kur z. Lulzim Basha takoi z. Edi Rama për të përcaktuar termat e marrëveshjes së tyre, isha i motivuar dhe u shpreha për dobinë e një marrëveshjeje. Kërkesa për largimin e kryeministrit më dukej si kërkesë për t’i marrë zgjedhjet në tavolinë. Por, kërkesat e tjera opozitare të drejta. Pas marrëveshjes pashë se z. Lulzim Basha, i kishte mënjanuar de facto të gjitha kërkesat e shtruara më parë. Të gjitha lëshimet e bëra nga ana e kryeminsitrit ishin të zgjuara, taktike, teknike, kurse lideri i opozitës kishte dalë nga ai takim me xhepat bosh. Gjithçka kishte përfunduar në mendjen time. Pastaj erdhi fushata që ishte sa absurde aq edhe e pakuptueeshme për elektoratin. Nuk është fare cështja te rezultati i saj, por te fakti që listat, teknikat e fushatës, mobilizimi i partisë, braktisja e ideve që u artikuluan në çadër ishin në ditë të hallit. Por, kjo nuk është puna ime ta analizoj.
Unë u trishtova sepse z.Lulzim Basha braktisi idenë e një « republike të re », sikurse në çadër ai e deklamoi, por nuk arriti ta konkretizonte atë, ta detajonte, ta bënte të kuptueshme, madje duke e diskredituar atë dhe duke e cuar drejt një ideje gati anarkiste dhe populiste.
Gjatë fushatës iu drejtova disa herë me thirrje me emër dhe mbiemër, mikut tim Lulzim Basha në mënyrë që ai të përmendej, të zgjohej, të ngrihej në lartësinë e detyrave dhe funksioneve e përgjegjësive të tij, por ishte e pamundur. I shkruajta për reformimin e administratës, për ekonominë, për zgjerimin e të drejtave dhe lirive politike që duhej të promovonte në fushatë, për clirimin e arsimit nga spekulantët, etj., por ai as nuk jepte dhe as nuk merrte më.
Asnjë kontakt. Si duket dallga e kishte cuar në drejtime të tjera. Duhej lënë në punë të vet !
Dëgjoja historira me timon, me frena, me patenta, dhe qeshja me hidhërim. I mori drejtuesi i partisë në pushtet edhe simbolin e dy gishtave lart, dhe z. Lulzim Basha nuk bëri dot asgjë të paktën për të mbrojtur « gishtat » e partisë dhe të opozitës. Kishte dhënë dorën, i kishin marrë krahun, nuk bëhej fjalë për gishtat !

Etapa e tretë : Disfata elektorale

Rezultati zgjedhjeve është ai që është. Se përse ai rezultat, unë kam idetë e mia, por nuk dua t’a trajtoj këtu si çështje. Do të kem rast ta them një herë tjetër. Se përse partia demokratike e braktisi fushatën, se përse z.Lulzim Basha bëri fushatë para fushaatës, pra në çadër, dhe pastaj bëri « tur turistik » gjatë fushatës, se përse deputetët dhe kandidatët për deputet, ose drejtuesit politikë të partisë demokratike, nuk folën, heshtën, qendruan mënjanë, prisnin ftesë për të bërë detyrën, (O Zot cfarë nuk dëgjoj !), këtë e quaj një nga misteret e historisë politike shqiptare, po aq mister sa edhe vetëvrasja e Mehmet Shehut, po aq sa edhe hapja e thyerja e ambasadave në korrik 1990, etj.
Problemi është se pas kësaj disfate është demokracia dhe shoqëria civile, që i paguan haraçet. Me rrudhjen e opozitës, sistemi politik shqiptar është me pushtet por pa opozitë. Eshtë çekulibruar.
Tani lloj lloj spekulantësh ideologjikë hedhin baltë mbi idenë e « republikës së re », që z. Lulzim Basha zhvilloi, dhe ai hesht. Në vend t’i dali zot dhe të vazhdojë të propagandojë dhe mbrojë idetë e tij !

Më e keqja është se kritikët e Lulzim Bashës në partinë demokratike, nën efektin e drogave ideologjike i të cilave janë viktima, në vend të mobilizohen rreth një projekti emancipues që kërkon progesin shoqëror nëpërmjet evoluimit të modelit ekonomik, shoqëror, politik dhe administrativ të Shqipërisë kanë marrë rrugën e gabuar, vetvrasëse për një parti politike, duke anatemuar pikërisht konceptin dhe idenë e progresit shoqëror që sintetizon ideja e « republikës së re ». Pikërisht atë koncept, frymëzim dhe ide që u braktis nuk dihet se përse përgjatë fushatës elektorale.
Lloj lloj amatorësh në politikë dhe në shkencat shoqërore e në politologji, për t’i hedhur gurët e rastit Lulzim Bashës, gjejnë të lehtë të sulmojnë pikërisht idealin demokratizues dhe emancipues të projektit të ndryshimimeve sociale, administrative dhe juridike në një Shqipëri në stagnacion. Idenë e « republikës së re », që nuk është veçse ideali i daljes nga modeli i kalbur kushtetues dhe politik aktual, nga modeli i kalbur kulturor, arsimor dhe ekonomik që po na boshatis Shqipërinë nga shqiptarët, e anatemojnë si « marksiste », si injorantë e ngatërrojnë me vargjet e internacionales « për një botë të re ». E quajnë majtiste sepse fjalën « e re » e konfondojnë me « revolucionin » a thua se cdo progres rinovues është revolucion, e quajnë populiste sepse ajo bazohet te roli qendror i qytetarit në një demokraci që oligarkët fodullë kanë dashur ta pronësojnë, e quajnë « puniste » sepse kërkon drejtësi sociale dhe barazi shansesh dhe për ta « punizmi » është e vetmja praktikë politike që gjoja sjell barazi.
Nuk e dinë se në vendet e zhvilluara demokracia ka kaluar dhe po kalon nga një model i vjetër te një i ri, se në këto vende ka disa republika që vijnë njera pas tjetrës dhe shpesh janë frymëzuar nga grupime politike edhe të djathta konservatore. Mos prekni elitat ! – thonë injorantët tanë në politologji, a thua se militanti që ka zënë vend në nëpunësi është vërtetë një elitë administrative, a thua se deputeti i korruptuar është vërtet një elitë parlamentare. Nuk e duam fjalën « e re », sepse ne si të djathtë jemi kundër idesë së progresit, sepse ne duam vetëm traditën ! E gëzofshi të shkuarën !

Duan gjendjen aktuale ku deputetët dhe apartçikët i kanë hipur mbi kokë elektoratit, nëpunësit qytetarit që i ka zgjedhur, administratat e fiskut biznesit të vogël, forcës së punës, spekulantët i kanë hypur në qafë studentit dhe i shesin atij ajër të ndotur ose ujë pis si ai i Lanës !
Ata ngatërrojnë dështimin e fushatës të drejtuar nga z.Lulzim Basha me pëlqimin në heshtje ose me bashkëpunime të pjesëshme nga ana e drejtuesve të tjerë të partisë demokratike me dështimin e idealit të një « republike të re ». Dhe ironia e fatit bën që këtë ide gjatë fushatës dhe para e pas saj po e artikulon në detaje rivali politik i partisë demokratike, pikërisht kryeministri Edi Rama. Ai bëri ide të veten pikërisht cuarjen për skrap të modelit të vjetër administrativ, kërkon vetingun, etj.
Z. Lulzim Basha i sheh dhe i dëgjon këta lehës kundër idealit rinovues dhe emancipues të shoqërisë shqiptare nga një model qeverisës dhe juridik që po i merr frymën kombit, dhe ka heshtur. Në vend të mobilizonte partinë përreth atij ideali ka « ngrirë » funksionet e tij, çka mbetet e pakuptueshme dhe e ka çuar partinë në kolaps. Aq më tepër nuk iu kundërvihet partizanëve të statukuosë që bërtasin kundër ndryshimit shoqëror, por ka heshtur dhe ulur kokën përballë tyre. Ata po e mbrojnë si një të gabuar të penduar, dhe ai nuk reagon ndaj këtij turpërimi që ata i bëjnë !

+++

Partia demokratike po shkon në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj pa një platformë të menduar politike dhe mendore. Kandidatët duhej të depozitonin kandidaturën e tyre për konkurim pas një stadi seleksionues. Nuk mjaftonte të depozitonin cv, por mbi të gjitha platformën politike, organizative dhe ideore të mandatit që kërkojnë të marrin.
Gjithçka duket e boshatisur. Filloi me një ide të madhe, vazhdoi një fushatë duke e zbehur atë, ndofta edhe braktisur, dhe po përfundon në një fushatë zgjedhore brenda partisë pa asnjë platformë ideore, politike dhe ekonomike.
Gjithsesi brenda pretendimit për të sqaruar pozicionin tim, vetëm kaq, desha të them se shpresat për një ekuilibër politik sot janë zero. Nuk e di nëse idetë e një reformimi tërësor të republikës sonë do të vihen ose jo në jetë, nuk mund ta di nëse në qendër të tyre do të jetë autoritarizmi i reformave nga lart, apo decentralizimi në favor të lirive më të plota për qytetarin. Jam shumë skeptik. Pothuajse mosbesues. Por, një gjë di mirë, kontributi real i opozitës në këto reforma, pas dështimit elektoral, sido që ato të bëhen, për disa vite, në kushte të pandryshuara, do të jetë krejt sekondare, është apo jo në koalicion qeveritar.
Kjo është tashmë e vulosur.
Ajo do të duhet ta ringrejë mitin se Sizifit nga e para !

Lini nje pergjigje