Shqipëria në Samitin e Triestes pa asnjë projekt

0

Më 12 korrik do të zhvillohet në Trieste Samiti i Ballkanit Perëndimor, por Shqipëria nuk ka këtë vit asnje projekt në infrastrukturë. Këtë fakt e përmendi ambasadori italian në Shqipëri, z. Alberto Cutillo, në një takim në Rezidencën e Ambasadës, ku u prezantua informacion lidhur me Forumin e Biznesit, që do të mbahet në këtë samit.

“Nuk ka projekte konkrete për Shqipërinë në infrastrukturë, ndryshe nga ai i mëparshmi ku ishte projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës”, tha ai. “Shpresojmë që në edicionin e ardhshëm të ketë projekte. Gjithsesi, samiti është i rëndësishëm pasi mund të identifikohen projekte për të cilat mund të hidhen hapa për zhvillimin e mëtejshëm”, tha me tej ambasadori.

Samiti i Ballkanit Perëndimor është një nismë ndërqeveritare e krijuar në vitin 2014 për të nxitur një integrim më të madh mes vendeve të rajonit. Aktualisht janë anëtarë të Procesit të Ballkanit gjashtë vende të BE-së (Italia, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Sllovenia) dhe gjashtë vende të Ballkanit (Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria). Pjesmarrjen në këtë Samit e ka deklaruar edhe Kryeministri Edi Rama.

Lini nje pergjigje