Pranimet në universitete; çfarë u gabua në 2016 dhe ç`duhet ndryshuar këtë vit

0
393

Nga Dr. Albano Zhapaj 

Arsimi i Lartë është shërbim dhe e mirë publike dhe pranimi i kandidatëve në Institucionet e Arsimit të Lartë, përmes procesit të Maturës Shtetërore, duhet doemos të bazohet në parimin e krijimit të mundësive të barabartpër të gjithë të rinjtë, ku në themel të tij të qëndrojë konkurrenca e ndershme, e realizuar përmes garantimit të parimit meritës dhe të preferencës natyrisht.  Matura Shtetërore dhe përdorimi i saj si mekanizëm përmes të cilit maturantët fitojnë të drejtën për të hyrë në IAL, ka pasur zhvillime të ndjeshme në vitet e fundit, duke u bazuar edhe në modele më të përparuara të vendeve të tjera. Sipas ndryshimeve që solli Ligji i 80/2015 i Arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë,  tashmë janë Institucionet e Arsimit të Lartë që me kriteret e përcaktuara prej tyre, realizojnë pranimin e kandidatëve për çdo program studimi që ofrojnë.

Kriteret e universiteteve jo në përputhje me kurrikulën e gjimnazeve

Bazuar në këtë të drejtë ligjore, senatet akademike të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ndodhi që gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, ato të publikonin kriteret e pranimit, të cilat në të shumtën e rasteve rezultuan të paqarta dhe, ajo që u konstatua, shpeshherë nuk kishin përputhje me kurrikulën e shkollave të mesme. Në periudhën Prill-Shtator 2016, senatet akademike të Institucioneve të ndryshme të Arsimit të Lartë bënë ndryshime të kritereve që ata vetë kishin vendosur më parë.

Ndryshime të tilla vazhduan të bëheshin dhe pasi kishte përfunduar vlerësimi i rezultateve të maturës shtetërore. Fakultete të veçanta korrigjuan kriteret e pranimit gjatë procesit të pranimit, kryesisht në raundin e dytë. Një problem tjetër që u paraqit në vendimet e senateve të universiteteve për kriteret e vendosura, ishte se ato vendime nuk u shoqëruan me formulën e vlerësimit, dhe kjo gjë është konstatuar edhe në raportin përkatës të ish Agjencisë Kombëtare të Provimeve, sot Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Problemet e mësipërme me kriteret, sikurse informacioni asimetrik dhe jo i plotë për to nga institucionet përgjegjëse, krijuan pasigurinë fillestare tek maturantët për pranimet në universitete, në formatin e ri që ofronte matura dalëse. Matura shtetërore 2016 u shoqërua në vijim me problematika të tjera, si gjatë procesit të vlerësimit të arritjeve, por edhe me tej, gjatë aplikimit dhe përzgjedhjes së programeve të studimit.

Maturantët dhe shkollat të painformuar

Problematikat e kanë zanafillën me fillimin e vitit shkollor 2015-2016, ku drejtoritë e shkollave nuk ishin të qarta sesi do të realizoheshin ndryshimet e parashikuara nga Ligji i ri i Arsimit të Lartë për maturën shtetërore. U konstatua ndryshimi i mekanizmave të vlerësimit të arritjeve të maturantëve. Këtu mund të përmendet paraprakisht ndryshimi i formulës për llogaritjen e mesatares për maturën shtetërore 2016, pasi kishte përfunduar gjithë procesi i vlerësimit të provimeve.

Maturantët nuk u informuan për peshën që do të kishin lëndët me zgjedhje në vlerësimin e arritjeve dhe për mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare, megjithëse ata kishin zgjedhur lëndë me zgjedhje sipas modelit të një viti me parë, ku peshën më të madhe në vlerësim e zinin lëndët me kreditet më të larta.  Nismat që ndërmorri Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Institucionet e Arsimit të Lartë në drejtim të informimit të kandidatëve për studentë, në përgjithësi rezultuan jo efektive.

Mungoi një plan veprimi

Megjithëse Ligji i Arsimit të Lartë hyri në fuqi në Tetor 2015, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nuk u hartua e zbatua një plan veprimi për mirë administrimin e procesit përmes menaxhimit të problemeve të paparashikuara, duke qenë një proces delikat dhe që realizohej për herë të parë. I konceptuar që në krye të herës nga ana e Ministria e Arsimit dhe Sportit si një proces i centralizuar, ndonëse Ligji 80/2015 e bënte të qartë decentralizimin e tij, procesi i pranimit u rregullua ligjërisht nga Udhëzimi nr. 13, datë 22.07.2016 “Për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë”, i cili pësoi ndryshime të shpeshta.

Disa prej këtyre ndryshimeve nuk mundën të implementoheshin dhe shkak për këtë ishte koha e shkurtër në dispozicion. Megjithëse Agjencia Kombëtare e Provimeve bëri disa përpjekje për përshtatjen e sistemit informatik të maturës shtetërore, dhe mundi të realizonte vetëm përshtatjen në zbatim të disa kritereve të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Raundi i parë prodhoi kuota të palotësuara

Raundi i parë i aplikimeve dhe pranimeve u shoqërua fillimisht nga i ashtuquajturi efekti “bottleneck” (ngushtim hapësire/rruge), pasi numri i madh i preferencave për kandidat, bëri që maturantët ekselentë të bllokonin të gjitha vendet e para në të gjitha programet e studimit, gjë që solli që në këtë fazë të realizohej një numër i vogël regjistrimesh, rreth 20% të aplikantëve në IAL-të publike dhe 6% tek IAL-të jopublike.

Efekti “bottleneck”, edhe me këtë numër të vogël regjistrimesh, deformoi parimin meritë-preferencë, sepse e shtyu një pjesë të aplikantëve të regjistroheshin në programe studimi ku kishin rezultuar fitues, por nuk i kishin preferenca prioritare. Një pjesë e  Institucioneve të Arsimit të Lartë publike, të ndodhura përpara kritereve që vetë i kishin formuluar, por që kishin vështirësi të konvertoheshin në formula vlerësimi apo për paaftësi të tyren, procesin e përllogaritjes së pikëve dhe renditjes së kandidatëve për studentë ia deleguan Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), me anë të marrëveshjeve të lidhura reciprokisht.

Raundi i dytë shumë i gjatë (me tetë faza)

Riaplikimi i 10-të preferencave të ndryshme edhe në raundin e dytë, e bëri procesin me tetë faza duke përfunduar në 1 nëntor 2016, afat jonormal, i përftuar pas ndryshimeve të njëpasnjëshme të Udhëzimit 13, datë 22.07.2016. Në fund të këtij procesi u evidentuan vende vakante edhe në degë të preferuara të Institucioneve të Arsimit të Lartë publike si: Stomatologji, Farmaci, Financë, etj. Agjencia Kombëtare e Provimeve, gjatë raundit të dytë, në bazë të një marrëveshjeje, transferoi bazën e të dhënave të maturantëve tek Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH) i cili u bë aktor bazë në menaxhimin e fazës së dytë të pranimeve.

Përmbledhtazi, procesi i pranimit të maturantëve në Institucionet e Arsimit të Lartë për vitin 2016 u realizua në një kontekst ligjor jo të plotë dhe të keqinterpretuar nga palët e përfshira. Administrimi teknik i procesit pati mangësi të theksuara dhe u realizua në kushte emergjence, ndonëse koha në dispozicion ishte e mjaftueshme. Performanca e institucioneve të përfshira nuk ishte ajo e duhura dhe ky kontekst joperformant i aktorëve të përfshirë rezultoi në një kontekst social të agravuar, me maturantë të pakënaqur dhe duke hedhur bazat e një precedenti joefektiv për vitet e ardhshme.

Procesi i realizimit me sukses të maturës shtetërore është një urë që ndërlidh disa institucione publike. E drejta për studim është një e drejtë themelore e sistemit tonë demokratik, duke vënë në dukje akoma më shumë domosdoshmërinë e eficiencës dhe efektivitetit që ky proces ka në vetvete.

Çfarë duhet ndryshuar/përmirësuar këtë vit

Institucionet e Arsimit të Lartë këtë vit duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar kritere të qarta, të konvertueshme në formula transparente vlerësimi, të mbështetura në kurrikulën parauniversitare dhe të qëndrueshme në kohë. Institucionet e Arsimit të Lartë këshillohen që politikën apo strategjinë e tyre të kritereve përzgjedhëse për pranimet e maturantëve ta përfshijnë dhe publikojnë në Statutet, Rregulloret apo dokumentet e tjera strategjike të tyre.

Në vijimësi dhe vazhdimisht Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të bëjë kontrollin e përputhshmërisë së kritereve me kurrikulën parauniversitare dhe t’i njoftojë Institucionet e Arsimit të Lartë për mospërputhjet e mundshme dhe korrektimin e tyre në kohë, duke mos lejuar ndryshimin e kritereve pasi është hapur procesi i aplikimit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe deri në shpalljen e kritereve për vitin apo semestrin pasardhës akademik.

Njëkohësisht Institucionet e Arsimit të Lartë mund të përgatisin një aplikacion për t’iu ardhur në ndihmë maturantëve që të përllogarisin pikët përkatëse individuale në programet e studimit që ofrojnë. Ky aplikacion mund të hidhet online në faqet e tyre të Internetit dhe mirëmbahet vazhdimisht.

Procesi i Pranive të reja në Universitete duhet të peshojë gjithmonë e më shumë në përgjegjësinë menaxheriale të vetë universiteteve, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit të luajë rolin e koordinatorit, ashtu siç edhe vetë Ligji i Arsimit të Lartë e përcakton, dhe të marrë përgjegjësitë dhe autonominë që po ky ligj i detyron dhe garanton.

(*Kjo analizë është mbështetur mbi raporte e dokumente edhe të kolegëve të nderuar të Departamentit të Auditimit dhe Performancës të Kontrollit të Lartë të Shtetit)

 

*Këshilltar i Ministrit të Arsimit dhe Sportit për Arsimin e Lartë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here