Astrit Patozi: PD, si kompani biznesi që i kanë rënë aksionet

1
202

Deputeti demokrat, kundërshtar i Lulzim Bashës, Astrit Patozi i ka kushtuar një analizë të gjatë situatës brenda forcës ku aderon. Patozi shkruan ndër të tjera se Lulzim Basha doli i gëzuar prej zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit katastrofik që mori.

Nga Astrit Patozi
PD, SI KOMPANI BIZNESI, QË I KANË RËNË AKSIONET
(Ose pse 22 korriku është më i rëndësishëm se 25 qershori për Lulzim Bashën)
U bënë 4 vjet që ne nuk i kemi merak zgjedhjet me kundërshtarin, por kemi vetëm një hall, si të mundim vetveten dhe të mbajmë celësat e ndërmarrjes së PD. Sepse e tillë është shndërruar partia jonë gradualisht dhe asgjë nuk ka ardhur në një ditë. Për pasojë, sa herë ndeshemi me PS dhe me të tjerët, aq herë humbasim, duke e thelluar “suksesin”, nga zgjedhja në zgjedhje. Por kjo nuk na mërzit shumë, sepse, sado e vogël llokma e tepsisë, ka pak vend gjithësesi për të bërë pazar.

M’u dhimbs mbrëmë Preç Zogaj në “Opinion”, që donte të gjente një justifikim të fortë për humbjen e zgjedhjeve gati duke fajësuar Shtetet e Bashkuara, që na detyruan, sipas tij, sepse Lulzim Basha nuk donte të hynte fare. Natyrisht, që kjo nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur. Por po e zëmë për një cast se është kështu siç thotë Preci.

Po pse amerikanët i thanë Lulzim Bashës të merrte edhe Hipotekat, edhe ALUIZN-in, edhe OSHE-në apo ndërmarrje të tjera, të vlerësuara si dispeçeri korrupsioni prej vitesh në Shqipëri? Po mirë në 18 maj, se kështu u vendos, po tani që u bënë një javë që kemi humbur si derri, pse nuk i tërheqim ministrat dhe drejtorët teknikë ne? A i kishim vetëm për zgjedhje këta dhe a jemi ne sërish opozitë, apo e kam unë gabim?

Duket qartë që Preç Zogaj është i zemëruar që PD u detyrua të hyjë në zgjedhje, por është po kaq e dallueshme që Lulzim Basha doli i gëzuar prej tyre, pavarësisht rezultatit katastrofik që mori.
Sepse për të 25 qershori ishte shumë herë më pak i rëndësishëm se 22 korriku. Sepse sido që të ishte, rezultatin e zgjedhjeve politike ai do ta ndante me qindra mijëra mbështetësit e Partisë Demokratike, ndërsa atë të 22 korrikut e kishte të gjithin për vete (pa harruar kurrë kunatin dhe vjehrrin).

Ndaj edhe në fushatën tonë mungoi gati krejtësisht denoncimi i përpjekjeve të kundërshtarit për të tjetërsuar votën, me përjashtim te ndonjë statusi të veçuar dhe spontan të Berishës me qytetarë dixhitalë. Ndaj edhe për herë të parë në historinë e saj që nga themelimi në foltoren e PD nuk pati asnjë dalje ditën e zgjedhjeve, që të denonconte edhe shkeljen më të vogël, ndonëse të tilla ka pasur me dhjetëra dhe qindra, edhe kur ne kemi qenë në pushtet. Qoftë Lulzim Basha, që pa iu dridhur fare qerpiku, pati kurajo që edhe pas kësaj të fliste për vjedhje dhe blerje të votës, për ndikimin e krimit dhe të kanabisit në proces, për të justifikuar humbjen! Sepse nuk kishte lënë asnjë gjurmë të vetme dhe asnjë shteg për më vonë që kjo të provohej.
Ndaj edhe ishte kaq e shpejtë shpallja e një gare blic, pa kushtin më minimal të një konkurrueshmërie, në shkelje flagrante të statutit të PD, sepse gjithcka ka qenë që më parë e përqëndruar në funksion të zgjedhjeve në parti. Ndaj me urgjencë u shpik “vetëngrirja” e kryetarit, një normë e padëgjuar për të kamufluar mosmarrjen e asnjë përgjegjësie dhe, sic ndodh gjithmonë në farsa të tilla, u prodhua me shpejtësi një kandidat falso, për të legjitimuar “fitoren”.
është fare e qartë se për Lulzim Bashën nuk ka shumë rëndësi, nëse Partisë Demokratike i vjedhin apo blejnë votat në betejat politike me Edi Ramën dhe të tjerët, por ka shumë vlerë që ai të njëtën gjë ta bëjë në partinë e vet, sa herë të vijnë zgjedhjet e brendshme.
Dhe kjo po ndodh sot sëriësh, për fat në keq, në Partinë Demokratike. Një krim i shëmtuar politik, që po konsumohet në karshillëk të hapur para demokratëve dhe publikut, i cili e asgjëson plotësisht cdo vlerë dhe princip të saj, duke e kthyer atë në një parti private. Ai po kërkon të grabisë një mandat të dytë, në kushtet e një humbjeje kolosale, pasi për të Partia Demokratike është thjesht dhe vetëm një ndërmarrje biznesi, të cilës i kanë rënë ndjeshëm aksionet, por që ende prej saj mund të fitohet.
Kryetari i “vetëngrirë” i PD është gati të tolerojë çdo humbje dhe manipulim, që mund të vijë nga kundërshtarët politikë në zgjedhjet politike dhe ato lokale, por është gati të pushkatojë para selisë çdo demokrat, që mund t’i rrezikojë fronin e tij në PD.
Ky është i vetmi projekt që ka pasur dhe ka për Partinë Demokratike Lulzim Basha dhe të gjithë ata që po e ndihmojnë këto ditë, disa hapur, të tjerët duke fshehur dorën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. A e keni vue re se si kur gërmëzon fjalë prej gojës, rrotullon llapën e gjuhës e nxjerr majën e saj dhe nisë e llomotit vetëm mashtrime me shigjetim kercënime ekzekutime kundërshtarësh vetëm brenda Këshillit të Partis PD-biznes i familjeeve berisha-rama. Basha asht kiler i lindun. Fakti i shfarosjes me gjakftohtsi të ideologut të PD-ës Sokol Olldashit asht fakty që dishmon se ky do të ekzekutoji me tjera modele arabe-sllave kundërshtarët e tij. E mjera PD dhe Shqipni se kush ka rrmbye me gjak postin e krye-PD-ës. Emni i tij asht Basha -Kiler!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here