Standard.al

Zbardhet e vërteta e plagosjes së aktivistit të LSI në Shëngjin, dikush fshiu filmimet!

0

Policia e Shtetit ka dhënë një informacion zyrtar më të detajuar në lidhje me përplasjen me armë që ndodhi këtë mëngjes në Shëngjin të Lezhës, pranë një qendre votimi, ku mbeti i plagosur një aktivist i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Policia thotë se ka marrë njoftim rreth orës 10:15, se përpara ambienteve të restorant “Detari” ka pasur një konflikt midis disa personave dhe është qëlluar me armë zjarri. Policia ka shkuar për verifikim në vendin e ngjarjes bashkë me Task Forcën e Prokurorisë së Lezhës, ku ka rezultuar se ka pasur një konflikt mes një grup personash. Fillimisht ka nisur si debat  verbal e më pas ka agravuar në konflikt fizik e me mjete të forta mes tyre, si dhe njëri prej personave të përfshirë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër, – thotë policia.

Si pasojë e këtij konflikti ka mbetur i dëmtuar lehtë në kokë Florian Dushku 28 vjeç, banues në Shëngjin – Lezhë. Nga Lëvizja Socialiste për Integrim u tha zyrtarisht se i riu ishte një aktivist i kësaj force politike.

Policia thotë se ka identifikuar autorët e dyshuar të kësaj ngjarje. Ata janë G.M. 25 vjeç, S. N. 19 vjeç, dhe D.N. 20 vjeç, të tre banues në  Lezhë.

Policia thotë se ka arrestuar Aleksandër Ujka, 54 vjeç,  banues në Shëngjin, pasi nga analizimi i pamjeve filmike të sekuestruara në restorantin në pronësi të tij,  janë vërejtur ndërhyrje dhe fshirje të pamjeve filmike të regjistruara në intervalin kohor kur ka ndodhur ngjarja.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, një automjet i  tipit Benz si dhe dy shkopinj prej druri.

Janë marrë, administruar dhe po analizohen, pamjet filmike të kamera të sigurisë të vendosura nga subjekte të ndryshme tregtare, të cilat mendohen se kanë filmuar ngjarjen e ndodhur.

Vazhdojnë hetimet për të bërë të mundur kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, si dhe sqarimin e plotë të fakteve, rrethanave të kësaj ngjarje, thotë policia

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.