“Shqiptarë, mos e votoni Edi Ramën për Kryeministër”

1
217

Nga Berat Bushala

Nga distanca duket sikur të gjitha mediat e ‘kazanit’ janë kundër Ramës; se ai si një Don Kishot i vërtetë po lufton kundër plehrave, se ai është uji i bekuar e të tjerët djalli, sepse Edi është i prekur nga dora e Zotit dhe është afër t’ia hedhë pastër edhe kësaj here, e bashkë me të edhe populli shqiptar, e pse jo edhe rajoni e kontinenti. E vërteta është deformuar.

Gjatë 12 muajve të fundit, sikurse gjatë gjithë jetës sime, mora anë të ndryshme politike, për zhvillime kudo në botë. Nga Filipinet – kundër Dutertes, deri në SHBA – kundër Donald Trump.

Bota sot është përplot zhvillime interesante. Duhet të mos jesh fare i interesuar për jetën që të kesh qëndrim neutral, se a zgjidhet Trump a Clinton, Macron a Le Pen, se a do të dilte Britania nga Evropa a do të qëndronte, se kush do të fitonte në Holandë e Austri, etj.

Në të gjitha këto përleshje, që i numërova më sipër, mora anë. Sigurisht ndikimi im në to ishte baras me zero. Kush e dëgjon një zë nga Kosova? As këta në Kosovë. Tekefundit, edhe kush qenkam unë që të më dëgjojnë? Një gazetar që ka qenë në politikë, që kohë pas kohë është komprometuar, por që ka provuar të ringritet – me plot vështirësi.

Mirëpo, le te sqarohemi: unë nuk pozicionohem për një problem, me shpresën që do ta ndryshoj realitetin, ose që ajo çfarë them unë është e vërtetë. Këtë gjë e bëj më shumë për bindje personale, e edhe nga besimi se ajo që them është gjëja e duhur. Pastaj, nëse dikush më beson në ato që them, kjo është një e arritur shumë e madhe, edhe pse kohë pas kohe kam frikë që ndikimi im është negativ. Por, as ky nuk është faji im.

I persekutuari Rama

Le të kthehemi tash te tema për të cilën edhe e nisa këtë shkrim: Zgjedhjet në Shqipëri, që do të mbahen këtë të diel. Edi Rama përballë të tjerëve.

Në shikim të parë, duket një betejë epike. Rama kundër të gjithëve. Nëse nuk thellohesh veç edhe pak më shumë te problemi, nëse atë e sheh nga një distancë pak më e largët, duket sikur i miri është Rama, kurse të tjerët janë forcat e errësirës që po duan ta ndalin Edin në rrugën e tij të shpëtimit kombëtar. Edi është drita në fund të tunelit. Edi po lufton për t’i këputur hekurat ku është lidhur Shqipëria, kurse të tjerët për ta prangosur edhe më shumë.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Është iluzion optik, i orkestruar me dinakëri nga ekipi i Ramës dhe Rama vetë. Është krejtësisht e kundërta.

Në garë, këtë të diel, janë: në njërën anë Edi, i mbështetur prej 90 për qind të fuqisë ekonomike shqiptare, kurse në territorin tjetër janë të tjerët.

Në garë, këtë të diel, janë: në njërën anë Edi, i mbështetur nga 100 për qind e mediave tradicionale, televizionet, si Topi, Klani, Vizioni, Ora etj… dhe në anën tjetër partitë tjera politike që hapësirën mediale e gjejnë me vështirësi të mëdha.

Mos të ngatërrohemi. Edhe në mesin e këtyre mediave, aty-këtu, si ndonjë oazë në shkretëtirë, gjendet ndonjë emision i mirë televiziv, që mban balancën e duhur politike. Këtyre ua heq kapelën, si bie fjala Fevziu, Rakipi, e ndonjë tjetër. Mirëpo, unë po flas për qëndrimet editoriale, për politikat editoriale që orientohen për katër vjet me radhë, për t’i vënë në spikamë të arriturat kulmore të Republikës së Shqipërisë. Për të vënë në spikamë lavdinë e sypatremburit, Kryeministrit Rama.

E them prapë: nga distanca duket sikur të gjitha mediat e ‘kazanit’ janë kundër Ramës; se ai si një Don Kishot i vërtetë po lufton kundër plehrave, se ai është uji i bekuar e të tjerët djalli, sepse Edi është i prekur nga dora e Zotit dhe është afër t’ia hedhë pastër edhe kësaj here, e bashkë me të edhe populli shqiptar, e pse jo edhe rajoni e kontinenti.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Janë vetëm disa gazetarë që po rezistojnë nga margjinat e mediave, duke i pasur kundër tyre personat më të fuqishëm në vend. Duke i pasur kundër tyre ata që i kanë miliarda euro në dispozicion, e që këtë të diel ka mundësi që t’i shkrijnë ndonjë prej miliardave. E si u mundka pastaj që një editorial, një paraqitje në një studio televizive, plot zhurmë e shkumë, të luftojë kundër 1 miliard eurove investime elektorale?

Pra, fotografia se Rama është i vetëm, kundër të gjithëve, është e deformuar. Rama është aktor i mirë, prandaj edhe kjo qasje deri diku mbizotëron në rrjete sociale, te rinia, e cila e sheh te Rama një rebel, një viktimë, një titan.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Të tjerët janë të vetëm. Rama, ose ekipi i Ramës, janë të vetëm në ndarjen e përfitimeve marramendëse. Ose, mund ta themi edhe kështu: në rastin e Shqipërisë, shumica është më e vetmuar sesa pakica. Disa janë më shumë se shumica. Pastaj, atij i bëjnë hije edhe gazetarët, ose pjesëtarët e shoqërisë civile, që në forma të ndryshme janë të lidhur me suksesin e Ramës. Ata që i bënë hije edhe Berishës, por vetëm për sa kohë Berisha ishte Kryeministër. E kur ai humbi, këta e lanë Bashën në një diell përcëllues dhe të pamëshirshëm.

Të arriturat e Ramës: Respektimi i semaforëve prej kalimtarëve

Ndonëse jam shtetas i Shqipërisë, shtetësi e dhënë nga Presidenti Nishani (për ç’gjë e falënderoj edhe tash), ndonëse vij në Shqipëri çdo javë – dorën në zemër pothuajse vetëm në Tiranë – unë edhe më tutje, në vija të holla, nuk e njoh këtu gjendjen në arsim, në shëndetësi, në politika sociale, e në segmente të tjera të rëndësishme, që janë kritike për ta vlerësuar performansën e një qeverie. Por, di ta dalloj se çka është spektakël e çka është përmbajtje, se çka është cirk e çka është qeverisje, se çka është kloun e çka është politikan.

Por, për këto tema, në javën e fundit, e pashë Ramën të djersitet përballë pyetjeve të vërteta. Jo pyetjeve argëtuese te Ermal Mamaqit, që qëllim parësor kanë gajasjen, por pyetje që i bëhen nga Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, ose Ylli Rakipi. E pashë Edi Ramën duke belbëzuar, e pastaj duke ofenduar, kur nuk diti ta numëronte asnjë investim të huaj të jashtëm që është më i madh se 5 milionë euro, e që është bërë gjatë qeverisjes së tij. Në vend të kësaj, filloi ta bënte atë që di më së miri: të ofendojë tjetrin se nuk kupton gjë nga ekonomia, të viktimizohet se askush nuk po e kupton, përveç tij, procesin e komplikuar të kulturimit të Shqipërisë që e paska filluar ai, e që ka kulmuar me respektimin e semaforëve nga kalimtarët, e në raste të caktuara edhe ndalimin e duhanit në baret dhe restorantet e Shqipërisë. Ndonëse komike edhe të përmenden, as këto nuk janë plotësisht të vërteta. E edhe po të ishin të vërteta, a vërtet beson dikush që një person që pret në semaforë në pishë të diellit në Tiranë e bën këtë ngase i ka në mendje këshillat iluminuese të Edit? Një pjekuri e tillë ka arritur gradualisht, pas kontaktit me botën, falë lëvizjes së lirë të shqiptarëve, gjë e cila ka ndodhur në qeverinë e kaluar. Pastaj, është trillim i pastër se cigarja nuk pihet në Tiranë, pse kështu e ka vendosur Rama. Cigarja nuk pihet, ta zëmë në Plaza, sepse kjo është politikë e pronarit të hotelit, nuk pihet në restorantet fantastike të Tiranës, sepse pronarët kanë vendosur t’i respektojnë standardet evropiane.

ama, nëse dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë harkun e meritave të tij për ta kulturuar popullin shqiptar, mund edhe të thotë se tash shqiptarët nuk u bijnë borive, siç i kanë rënë në të kaluarën, se nuk e kruajnë barkun si në të kaluarën, se nuk i rrisin flokët si në të kaluarën, se nuk i pastrojnë as veshët me çelësin e makinës, se nuk po masakrohen brenda familjes si në të kaluarën. Ky edhe mund të thotë se është profeti që e solli ndryshimin, por këto janë, duke e cituar Ramën, që e citoi Fishtën, në debat me panelistët nga Kosova, “dokrra hini”. Shqiptarët janë rritur avash-avash, ndonëse mori shumë më shumë kohë seç do të duhej. Sigurisht që do të rriteshin shumë më shpejt, po të kishin një klasë tjetër politike. Por, klasën politike e nxjerr populli.

Ekonomia e egër kapitaliste, nën majtistin Rama

Rritja ekonomike, në statistika duket në njëfarë mase e pranueshme. Nëse i marrim këto të dhëna e i lexojmë në ndonjë ishull të largët, pa pasur të drejtë të bëjmë pyetje shtesë, gjendja nuk do të ishte shumë e keqe. Por, edhe ky është një mashtrim optik.

Paul Krugman, nobelist i ekonomisë, njeriu që mua më përfaqëson në ekonomi, në librin e tij Ndërgjegjja e Liberalit, e shpërfaq këtë mashtrim, pre e të cilit sot janë edhe shqiptarët. Ai tregon se si Amerika e viteve ’80 dhe ’90 është e fuqishme ekonomikisht vetëm në planin e përgjithshëm. Ja shembulli që e jep Krugman: Në një restorant qëndrojnë 10 amerikanë me të hyra mesatare vjetore prej 200 mijë eurove. Në ndërkohë atyre u bashkohen për një kafe edhe Bill Gates me dy-tre shokë të tjerë që i kanë miliardat. Tash (vazhdon Krugman) në rrafshin teorik, nga përtej derës, të hyrat mesatare të banorëve të atij restoranti janë shumëfishuar, tash teorikisht aty janë të gjithë milionerë, nëse jo edhe miliarderë. Por, kjo merr fund sapo Gates dhe shokët e tij dalin jashtë.

Me fjalë të tjerë, çfarë do të ndodhte me ekonominë e Shqipërisë, nëse i largojmë për në Itali Zaimir Manen, Grigor Jotin, Vilma Nushin, e të tjerë njerëz të pasur, të cilët sigurisht kanë të hyra vjetore sa e gjithë pjesa e banorëve të tjerë të Shqipërisë. E këta njerëz gjatë qeverisjes së Ramës nuk u varfëruan. Këta u pasuruan. Është e vështirë ta imagjinosh një gjë të tillë në një vend tjetër të qeverisur nga një i majtë. Nuk do të ishte e ndershme as t’i fajësonim këta për pasurinë që kanë krijuar. Qeveria do t’i krijonte disa të tjerë, po të mos ishin këta. Këto janë praktika të njohura ballkanike.

Si përfundim

Shqiptarët, të dielën, duhet ta ndalin Edi Ramën, i cili është në kërkim të një pushteti të plotë. Është hera e parë që një politikan e kërkon kaq zëshëm një votë të tillë. Ma jepni timonin vetëm mua, sepse nuk do ta njihni Shqipërinë. Fraza të tilla të forta, në kërkim të pushtetit të pakontrolluar, para Ramës i kanë thënë edhe politikanë të tjerë. Historia botërore është e mbushur me kërkesa të tilla nga diktatorë megalomanë.

Në zgjedhjet e vitit 1936, Hitleri u kishte thënë gjermanëve “nëse më votoni mua, pas 10 vjetësh nuk do ta njihni Gjermaninë”. Sigurisht që në vitin 1945 ka qenë shumë e vështirë ta njihje Gjermaninë. Nuk dëshiroj këtu të bëj kurrfarë krahasimi mes Gjermanisë naziste dhe Shqipërisë. As në mes të Ramës dhe Hitlerit. Janë shumë larg, si krahasime. Mirëpo, mund të krahasohen dëshirat. I dua të gjitha, ose asgjë. Një kërkesë për të realizuar një revolucion kulturor, politik dhe ekonomik. Sepse, ai i di të gjitha. Është i pagabueshëm. Të tjerët janë kazan. Plehra. Nën-qenie. Të paditur. Shpellorë.

Shqiptarët duhet ta fusin egon e Edi Ramës nën kontroll. Atë e bëjnë me votën e tyre. Të dielën ata mund të votojnë edhe majtas, edhe në qendër, e edhe djathtas. Mjafton që Edit të mos i plotësohet dëshira përfundimtare. Politika është kompromis dhe marrëveshje.

Gjermania e madhe që disa mandate qeveriset bashkërisht. Merkel e ndan pushtetin me rivalët, por kjo nuk e pengon ekonominë që të mos zhvillohet. Gjërat e mëdha në një shoqëri ndodhin edhe pa bërë bujë. Edhe pa rritur thonjtë, edhe pa dalë në publik me Air Jordan, edhe pa bluza të zbërthyera, e sidomos edhe pa i ofenduar të gjithë kundërshtarët.

Edi Rama, në fund, nuk e di kur do të jetë ai fund, do ta ketë fatin e Jose Mourinhos. Kur një ditë nuk do të shkëlqejë më, të gjithë do të qeshin me sjelljet e tij. Për arrogancën e Mourinhos, në raport me gjithë botën, pas rezultateve të tij të dobëta, The Guardian shkruante: Duhet të sillesh mirë me njerëz kur ngjitesh lart, sepse kur të zbresësh poshtë, do t’i takosh të gjitha ata në rrugë e sipër.

Rama do të takohet një ditë me të gjithë ata.

Marrë nga Express

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Shqipëria ka nevojë për një “dhjetor” tjetër

    nga Andon Dede, Nju York

    Sa u gëzuam atë dhjetor të ’90-ës! Si fëmijë, besuam se tash e mbrapa edhe ne do t’i ngjanim botës, jo vetëm se shpëtuam nga zinxhirët e një prej diktaturave më të tmerrshme që kishte njohur ky vend, por dhe për dritën jeshile që menduam se u hap edhe për ne, drejt lirisë, mirëqënies, prosperitetit e tërë të mirave që sjellin këto.
    Por, shumë shpejt u zhgënjyem keqas, në të gjitha drejtimet. Dhe ky zhgënjim ishte dhe është edhe më i tmerrshëm, më shkatërrues e më vështirësisht i përballueshëm se ai i prindërve tanë kur, mbas Luftës së Dytë Botërore, jo më që nuk hëngrën me lugë floriri, siç iu qe premtuar, por ndjenë se në qafë iu vu një lak i ri që s’e kishin provuar kurrë më parë. Pse e them këtë? Se, tek e fundit, diktatori e shpura e tij nuk e fshihnin se qenë një diktaturë, gjoja ”e proletariatit”, paçka se ata që sundonin s’kishin asgjë të parbashkët jo më me proletarët por as me turmat e pangopura me bukë që kishin nën vete. Kurse zhgënjimi i tanishëm është dhe më i pagëlltitshëm kur mendojmë se na vjen në një klimë krejt të ndryshme nga ajo e pas-Luftës, prej atyre që iu besuam e që, në dallim nga të të parët, na u hoqën se i përkisnin një “race” tjetër, me demek demokratike. Por, s’qe e thënë. Edhe ata, si gjithë pushtetarët, shumë shpejt u tjetërsuan. Them u tjetërsuan apo u transformuan se, në fillimet e tyre, në mos të gjithë, të paktën disa syresh, edhe mund të kenë qënë sadopak idealistë. Por, përvoja jonë tregoi atë që bota e ka përjetuar me kohë, se pushteti është më i fortë se çdo ideologji apo ideal.
    Klasa politike që ka sunduar në këtë çerek shekulli, e cilitdo krahu qoftë, e ka diskretituar keq veten dhe e ka humbur të drejtën për të qeverisur më tej. Por, ecë e hiqe! Është shumë e vështirë, në mos e pamundur.
    * * *
    Shpesh pyes veten dhe, ma merr mendja se këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë edhe shumë të tjerë: “Si qe e mundur që Enveri qëndroi në pushtet për afro gjysmë shekulli, kur shumë njerëz të ndershëm e të mënçur e kuptuan që në fillim se kishin të bënin me një mashtrues e kriminel që nuk i dhimbsej jo më jeta e popullit por as e miqve e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë, madje, edhe e atyre që e kishin mbajtur me bukë apo që kishin vënë në rrezik kokën e tyre për jetën e tij?! Dhe përgjigjen e kam kuptuar me kohë: Çdo diktator, gjë e parë që bën, krijon atë aparat apo mekanizëm që do t’i duhet për të mbajtur e forcuar pushtetin, për të vënë nën zgjedhë të tjerët. Këtë bëri edhe Enveri, sa mori pushtetin: solli nga fshatrat më të humbura legjionet e pashkolluara dhe mbushi me to radhët e aparatçikëve dhe sidomos të Sigurimit famëkeq. Për jetën e re që po shijonin, përmes komoditeteve të shumta që iu siguroi, ata ishin gati të vrisnin dhe nënën e babën po t’ua kërkonte ai që i solli në ato poste.
    Kalojmë tani në kohën tonë. Edhe këta të sotmit, jo vetëm e kanë kuptuar e përvetësuar me themel këtë “sekret” por edhe e kanë zbatuar e po e zbatojnë po me aq sukses, duke krijuar një strukturë administrative e mbrojtjeje sa që e ke të vështirë në mos të pamundur për t’i lëvizur nga karriget ku janë ulur, në pushtet apo në opozitë qofshin, gjë që për mua, tashmë nuk ka thuajse asnjë ndryshim e rëndësi. Janë gati njëlloj si ata, për nga etja për pushtet, zullumet që bëjnë e mjerimin që iu shkaktojnë masave të pambrojtura të popullit.
    Gjithë sa shpreha më sipër, më shtyjnë të mendoj se Shqipëria mund të shpëtohet nga kjo gjendje kënetore ku është fundosur, vetëm përmes një “dhjetori” tjetër që të largojë nga pushteti apo dhe politika, në përgjithësi, tërë këtë lukuni mashtruesish, hajdutësh, pse jo dhe kriminelësh, që në çerek shekullin që lamë pas, kanë menduar e punuar vetëm për xhepat e tyre dhe e kanë katandisur popullin si mos më keq, duke e detyruar edhe pas njëzet e pesë vjetëve pluralizëm që, për të mbijetuar, ta gjejë zgjidhjen tek emigrimi. Një ndjenjë turpi dhe tmerri më kap sa herë që infrmohem nga Media se jemi vendi i dytë në Botë, pas Sirisë, për numurin e azil-kërkuesve. Mirë ata të gjorë që e bëjnë këtë për të shpëtuar kokën nga lufta vëlla-vrasëse apo dhe bombardimet e avionëve, qofshin ata të miqve apo të armiqve; po bashkë-atdhetarët tanë kush po i detyron të marrin rrugën e dhimbshme të kurbetit, edhe tani në shekullin e ri?! Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të kuptuar se kush e ka qeverisur e po e qeveris Shqipërinë në këtë çerek shekullin e fundit të të ashtuquajturit tranzicion që një Zot e di se kur do të mbarojë. Hë, pra, a mund tu besosh të tillë poltikanëve, fatet e vendit e të popullit, me apo pa pushtet qofshin? Zgjidhja e vetme, për mendimin tim, do të qe vetëm një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Unë nuk e pres zgjidhjen përmes zgjedhjeve, qofshin ato edhe “të ndershme e të drejta”, siç po pretendohet nga protestuesit aktualë në çadrën e ngritur para kryeministrisë. Po a nuk jemi bindur katërcipërisht në këto 25 vjet se në Shqipëri një pretendim i tillë është as më shumë e as më pak por një utopi e kulluar?! Kush do t’i sigurojë ato, mos vallë e ashtuquajtura “qeveri teknike”, votimi elektronik apo ndërkombëtarët, që po bëhen qesharakë me refrenin e çdokatërvjetshëm se “zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara, pavarësisht se kishin akoma disa probleme”, e të tjera dokrra si këto?! Ndaj them se do të ishte naivitet i pafalshëm që të presim ndryshime rrënjësore për të cilat folëm më lart, përmes zgjedhjeve, siç e kanë dëshmuar bindshëm rrotacionet politike të deritanishme.
    * * *
    Kur them se duhet një “dhjetor” tjetër, nuk kam parasysh që të ndiqen ato rrugë e të përdoren ato mjete të ’90-ës, se tashmë kanë ndryshuar kohët e, për pasojë, kushtet e brendëshme e të jashtëme nuk janë më ato, pavarësisht se hendeku në mes të pasurve e të varfërve apo, thënë ndryshe, mes atyre që ditën të përfitojnë nga ndërrimi i sistemit dhe shumicës së popullit që mbeti po aq i varfër e i braktisur, në mos edhe më keq, vazhdon të jetë present në të katër anët e vendit. Me “dhjetor” tjetër pra, unë kam parasysh largimin nga skena politike e të gjithë kësaj klase oligarkësh e banditësh dhe zëvendësimin e saj me një të re, të edukuar e të formuar sipas standarteve të sotme perëndimore.
    Jam i vetëdijshëm se në gjithë sa shpreha më sipër, ka një kontradiktë të madhe: nga një anë them se duhet “dhjetor” tjetër që të largojë klasën politike që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe, nga ana tjetër, pohova dhe pamundësinë e këtij ndryshimi, nga që pushtetmbajtësit e kanë krijuar e konsoliduar atë aparat apo mekanizëm mbrojtës sa që me një vlerësim realist thuajse e bën të pamundur një ndryshim të tillë. Po atëhere, ç’duhet bërë? Si mund të mendohet dalja nga kjo gjendje që është bërë prej kohësh një domosdoshmëri absolute?
    E di gjithashtu se nuk po them ndonjë gjë të re, sidomos përsa i përket diagnozës së parë, daljes nga sistemi oligarqiko-diktatorial që është instaluar aty. Përsa i përket zgjidhjes, edhe pse duket si e pamundur, në tregun mediatik janë hedhur mendime të ndryshme, madje nuk kanë munguar edhe veprimtari të organizuara për të bindur njerëzit se ç’duhet të bëjnë. Një pjesë e mirë e tyre kanë shprehur mendimin se duhet filluar pikërisht nga ndërgjegjësimi i masave për gjendjen ku janë e për ndryshimet që duhen bërë. Të tjerë, bien në pozitat e një fataliteti të skajshëm duke mohuar çdo dritë jeshile në atë realitet të errët shqiptar. Ka ndër ta që e shohin zgjidhjen tek ndërkombëtarët, duke pohuar se pa angazhimin e tyre as që mund të dilet nga ajo gjendje…Mund të jenë hedhur edhe ide e mendime të tjera. Unë, sado e çuditëshme të duket, bije dakord me të gjitha e me asnjë. Pse e them këtë? Po a nuk na dukej dhe realiteti ynë i para ’90-ës të shekullit të kaluar si i i çimentuar e si i përjetshëm, ndaj të cilit nuk mund të bëje dot asgjë për ta përmbysur? Por ja që mrekullia ndodhi. Për atë përmbysje apokaliptike sigurisht që ndikuan faktorë të jashtëm e të brendshëm: nga njera anë popullit i kishte ardhur shpirti në majë të hundës, si tani dhe, nga ana tjetër, Bota Lindore ish-komuniste, përqark, kishte kohë që ziente. Pa këta dy faktorë, pra, as që mund të mendohej dhjetori i ’90-ës.
    Po tani, si qëndron puna? Pavarësisht se jemi në kohë e në kushte krejt të tjera, disa analogjira qëndrojnë, siç dolën dhe nga ekspozeja e mësipërme. Duke ndërgjegjësuar masat brenda dhe në një bashkërendim veprimesh me ndërkombëtarët, diçka mund të bëhet për t’ia vështirësuar apo dhe pamundësuar sundimin e mëtejshëm kastës së re oligarqike, që herë është në pushtet e herë në opozitë.
    Prapë sikur nuk thamë ndonjë gjë të re, nëse nuk zbresim në një plan më konkret se si mund të realizohet kjo. Po ta krahasojmë Shqipërine e sotme me një të sëmurë, para se të japim “ilaçet”, le të kthehemi pak mbrapa për të njohur shkaqet e sëmundjes. E, pra, pse erdhi kjo gjendje? Si mundi klasa e re poltike të zëvendësojë të vjetrën, në vend që të ndërtonte një të re, për të instaluar dhe këtu, më në fund, shtetin ligjor e demokracinë e vërtetë, që do t’i priste rrugën dhe çdo abuzimi me pushtetin?! Përgjigja është shumë e qartë për tërë ata që kanë një minimum kulture social-politike dhe sadopak njohje të realitet shqiptar: mungesa e institucioneve.(!) Pse e them këtë? Se korrupsion, krime e dukuri të tjera negative të të gjitha llojeve, ka edhe në shtetet më të përparauara e me demokraci të instaluar prej kohësh. Por, ajo që i dallon ato nga këneta jonë politiko-shoqërore, janë institucionet e konsoliduara që nuk merren me llafollogji boshe, siç po bëjnë “baballarët” tonë të kombit me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, dhe jo vetëm. Ata hartojnë ligje, në bazë të përvojave të huaja që i gjen me bollëk; ua përshtatin kushteve të vendit dhe, më kryesorja, i zbatojnë ato me rreptësi deri në fund. Për tu bindur për këtë, mjafton t’i përjgijgemi një pyetjeje fare të thjeshtë: shteti oligarqiko-kriminal që është instaluar tek ne, mos ka ardhur nga mungesa e ligjeve dhe për këtë na u dashka reforma?! Absolutisht jo! Le ta ngul bisturinë edhe më thellë: mos regjimi i Enver Hoxhës e kishte të keqen vetëm tek ligjet? Prapë përgjigjem: absolutisht jo, kryesisht tek moszbatimi i tyre!
    E zëmë se po biem dakord për këtë. Por lind problemi tjetër, edhe më i koklavitur se i pari: po si t’ia bëjmë që ne institucionet tona, siç e pohojnë tashmë njëzëri analistë e poltikanë, të huaj e të vendit, janë nga më të korruptarat?! Me ç’njerës do t’i mbushim ato institucione që të na zbatojnë ligjet e të krijojnë atë klimë mbytëse për hajdutët e kriminelët pushtetmbajtës?
    Kjo është e vërtetë, por për të dalë nga kjo gjendje do të thosha përsëri: e vështirë, por jo e pamundur… “Po si, pra?” – do të më ndërpresë fjalën, jo pa të drejtë, lexuesi i mundshëm. Dhe përgjigja ime është ajo e fillimit: të përpiqemi për një “dhjetor” tjetër, jo përmes një revolucioni me dhunë, por të kadifenjtë, të butë, të shtruar, pak nga pak. Që të mbërrish në majë të malit, do hedhësh fillimisht hapin e parë. Këtu po, mund të ndihmojnë shumë edhe ndërkombëtarët në drejtimin apo monitorimin e institucioneve, por jo si deri tani që, për mendimin tim, nuk e kanë përligjur veten, duke u bërë përgjithësisht, palë e pushtetmbajtësve.
    Nju York, 20 mars 2017.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here