Çështja Hamletiane e këtyre zgjedhjeve

0

Nga Feti ZENELI

Gara elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit po i afrohet fundit. Përgjatë gjithë këtyre ditëve, që kanë kaluar qysh nga fillimi i fushatës, ashtu siç ka ndodhur rëndom dhe në të kaluarën e viteve të tranzicionit shqiptar, kemi dëgjuar premtime të tipit, “për të ndërtuar ura edhe atje ku nuk ka lumë”, sidomos nga politikanë të cilët mendojnë, se “mund të lahen dhe dy herë në të njëjtin lumë”. Zakonisht një sjellje e tillë elektorale vihet re tek ata politikanë, që kur lexojnë Hrushovin, harrojnë, se ç’ka thënë Herakliti, kur kthehesh për t’u larë në lumë për herë të dytë. Tashmë, uji ku u lave më parë, ka rrjedhur dhe ndodhet larg, ndaj përpara ke një lumë tjetër, një rrjedhë tjetër ujë. Në rastin konkret, fjala është kryesisht për partinë e parë të koalicionit qeveritar, që doli nga zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, e cila mendon të lahet sërish në lumin e premtimeve të para katër viteve, pa thënë asgjë për bilancin e realizimit të tyre.

 

Siç dihet, para katër vitesh, Partia Socialiste erdhi në pushtet duke bërë premtime të bujshme, që lidheshin drejtpërdrejtë me rritjen e mirëqënies së përgjithëshme të qytetarëve shqiptarë, duke rritur e zhvilluar me ritme të larta ekonominë tonë kombëtare. Nuk po ndalem hollësisht tek këto premtime dhe t’ua kujtoj njerëzve, jo se atyre u ka dalë boja, siç thonë, por sepse një gjë të tillë po e bëjnë vetë politikanët socialistë, duke ua përsëritur sot në fushatë qytetarëve shqiptarë, një për një, si katër vite më parë. Gjithashtu nuk po ndalem as në imoralitetin e një force politike, që “as skuqet dhe as zverdhet”, teksa, pas katër vitesh në pushtet, u përsërit qytetarëve të vetë premtime të vjetra e të parealizuara. Po kështu, nuk do t’u them njerëzve, qoftë dhe atyre që “japin jetën si me le” për partinë: “Mbyllni veshët e mos dëgjoni!” Por do t’u kujtoj të gjithëve, që të hapin sytë dhe të shikojnë, si e kanë ekonominë. Të shohin nëse janë relativisht më mirë, se ç’kanë qënë para katër vitesh!?…

 

Faktikisht, me një gjuhë të tillë duhet t’i drejtohet elektoratit çdo lider politik, që ka qeverisur për katër vite rresht dhe ka ardhur momenti për të kërkuar një mandat të dytë. Është një model, që deri-diku e ka aplikuar vetëm Berisha, në fund të mandatit të parë qeverisës për periudhën 2005-2009. Sipas analistëve ky është mandati më i mirë i një qeverie në vitet e tranzicionit shqiptar, ku vendi njohu zhvillime të shumta, si përsa i përket nivelit të mirëqënies qytetare, ashtu dhe aspektit integrues në stukturat euro-atlantike. Në ato vite, Shqipëria u shndërrua realisht në lokomotivën e vendeve të rajonit për integrimin sa më të plotë e më të shpejt në strukturat euro-atlantike, duke realizuar reforma, veprime dhe vepra të përmasave historike. Faktet treguan, se programi elektoral i demokratëve me “qeverinë e shërbimit dhe shërbesave”, “taksat e ulëta për biznesin”, “luftën me tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit”, etj., jo vetëm u plotësua, por dhe u tejkalua në shumë objektiva të vendosura. Rritja ekonomike e kësaj periudhe ishte mesatarisht në kufijtë e 6 për qindshit, ku në vitin 2008 arriti në afro 8 për qind, nga afro 2 për qind në vitet e qeverisë “Rama”. Por vlera e këtyre arritjeve bëhet akoma dhe më e çmuar po të kemi parasysh se gjatë viteve 2006-2007, realizimi i treguesve u bë nën efektet shkatërruese të krizës së trashëguara prej qeverisjeve socialiste, kurse gjatë viteve 2008-2009 u bë nën efektet negative të krizës botërore. Siç dihet, gjatë këtij mandati qeverisës të demokratëve, u investua fuqishëm në ndërtimin e infrastukturës rrugore me në krye “Rrugën e Kombit”, në turizëm, energjitikë, bujqësi, arsim, shëndetësi e kështu me radhë. Në vitet 2005-2009, Shqipëria shënoi arritje historike në procesin e integrimit euro-atlantik. Nënshkrimi i MSA-së, ratifikimi i saj nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe arritjen e standarteve për liberalizimin e vizave me vendet e zonës “Shengen”. Po kështu gjatë mandatit të parë qeverisës të Berishës, brenda një kohe të shkurtër, janë realizuar të gjitha proceset dhe procedurat e anëtarësimit të vendit në NATO. E megjithatë, gjatë fushatës elektorale të vitit 2009, Berisha iu drejtua qytetarëve shqiptarë me shprehjen: “Kush e ndjen vetëm më mirë nga pikëpamja ekonomiko-sociale, se katër vite më parë, atëherë le të votoj PD-në për një mandat të dytë”!

 

Drejtuesit e majtë nuk e kanë manifestuar kurrë një standard të tillë moral pas mbylljes së mandatit të parë qeverisës. Kanë patur rast që ta dëshmonin këtë sjellje në zgjedhjet e 2001-shit, ndërkohë që për katër vite kishin qeverisur nën një pushtet të fituar me “grykën e pushkës” në ’97-ën. Por ndryshe nga sa pritej në këto zgjedhje, të majtët përdorën forcën dhe institucionet e shtetit, përfshi dhe Gjykatën Kushtetuese, për të vjedhur vota dhe për të deformuar vullnetin e qytetarëve, me qëllim mbajtjen e pushtetit politik edhe 4 vite të tjera. Kjo qe arsyeja, që mandati i dytë i qeverisjes socialiste në vitet 2001-2005 i thelloi akoma më shumë  problemet e mandatit të parë, derisa institucionet ndërkombëtare dhanë sinjalin “Sos!”, duke artikuluar shprehjen: “Kriminelët po shkatërrojnë vendin tuaj, ndaj u duhet një qeverisje tjetër!” E megjithatë socialistët bën gjithëçka kishin në dorë për të marrë mandatin e tretë duke arritur deri sa të shpenzonin në fushatë edhe qindarkën e fundit të buxhetit të tyre mjeran që kishin krijuar në 6-7 muajtë e parë të vitit 2005. E megjithëse dorëzuan një pushtet sipas parimit të “tokës së djegur”, ku e vetmja gjë që ndihej ishte zhurma shurdhuese e gjeneratorëve, qeveria e demokratëve arriti që në vitet 2006 dhe 2007 të krijoj dy buxhete shtesë, duke mos qarë e duke mos u ankuar për gjendjen katastrofike, ku e lanë socialistët ekonominë.

 

Në gjurmët e qeverisjeve majtiste të viteve 1997-2005 që dëshmuan dështim të plotë përballë problematikës së kohës, duket se eci dhe kjo e pas 2013-ës nën drejtimit e kryeministrit Rama. Edhe kjo qeveri majtiste mbijetoi vetëm në mënyrë Makaiveliste, kryesisht për llogari dhe rehati të qeveritarëve, të cilët çdo ditë e më shumë i bënë pjesë të sjelljes së tyre politike veset, që u lejonin mbajtjen e pushtetit me dinakëri, mashtrim dhe pabesi. Në këto kushte, çdo reformë ekonomike që ndërmerrej nga qeveria “Rama” rezultoi e pasuksesshme, ose më mirë të themi e padobishme për pjesën dërrmuese të qytetarëve, sepse nuk arriti të rrisë besim e konsumatorëve dhe sipërmarrësve në paanshmërinë apo objektivitetin e politikave ekonomike të ekzekutivit. Kësisoj, të varfërit u bënë; gjithnjë e më të varfër, kurse të pasurit; gjithnjë e më të pasur. Kompleksiteti i faktorëve apo agjentëve në zhvillimin ekonomik të vendit është i tillë, që çfarëdo reforme apo politikë publike të ndiqet, duhet të merret në konsideratë, së pari, se cilat janë nevojat e shtresave të varfëra dhe jo interesat e një grushti të pasurish. Aq më keq akoma kur s’kemi të bëjmë me reforma të mirëfillta ekonomike por me aksione sporadike për për të fituar kredo politike, siç ka ndodhur rëndom këto 3-4 vitet e fundit, duke filluar nga veprimet liruese të hapësirave publike dhe deri tek masat shtërnguese për mbledhjen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike apo detyrimet e tjera qytetare me synim shëndoshjen e financave publike, pa menduar gjatë për pasojat afatmesme apo afatgjata, që rrjedhin nga këto iniciativa burokratike, pa indicje të mirëfillta ekonomike.

 

Moto e këtyre veprimeve është, mbushja me çdo çmim e arkës së shtetit, edhe atje ku të ardhurat nuk vijnë nga shtimi i investimeve, rritja e prodhimit, forcimi i bashkëpunimit qeveri-biznes e kështu me radhë, ndërkohë që vendi ka nevojë për adaptimin e “përvojave më të mira” të qeverisjes së financave publike, duke marrë në konsideratë gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të biznesit, pse jo dhe mentalitetin qytetar të njerëzve. Shtimi i varfërisë, mungesa e investimeve, thellimi i mosrealizimeve në të ardhura, rritja e falimentimeve në biznes, etj., tregon se është qeverisur për të fituar lavdi dhe jo për të bërë ekonomi. Por eksperiencat më të mira të botës demokratike tregojnë, se për të qeverisur dhe udhëhequr njerëzit duhet të ecësh pas tyre, siç thotë një filozof i njohur kinez, dhe jo të qëndrosh mbi ta. Pastaj, “Është ekonomia, o budalla!”, do të thoshte Bill Clinton në fushatën presidenciale të ‘92-shit, e cila i dha tij fitoren përballë George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas sukseseve diplomatike dhe fitores në Luftën e Gjirit. Amerikanët perceptuan dhe votuan Clinton si zgjedhjen më të mirë, sa kohë që Bush nuk kishte mundur të punonte për ekonominë, e cila kishte kaluar në recesion. Kështu që, siç treguan faktet e mëvonshme amerikanët kishin bërë zgjedhjen e duhur, pasi në vitet e Presidentit Clinton; ekonomia, financat dhe mirëqënia e tyre patën zhvillime dhe arritje historike.

 

Po si mund të pretendojë për një mandat të dytë qeverisës një forcë politike që për katër vjet në pushtet, përveç problemeve sociale pa fund, nuk arriti që ta rrisë mirëqënien qytetare as një lekë të vjetër. Stastistikat më të fundit tregojnë se të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30 për qind e mesatares së BE-së, njësoj sa ç’kanë qënë në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë. Rritjen më të madhe e kanë shënuar Maqedonia dhe Turqia, duke u zgjeruar përkatësisht me 4 për qind dhe 11 për qind të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me vendet e Bashkimit Europian. Prej vitit 2012, procesi i konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë të Shqipërisë në raport me shtetet europiane, në mënyrë që t’i afrohemi gradualisht mesatares së BE-së, jo vetëm ka ngecur, por është përkeqësuar. Që prej vitit 2016, në renditjen totale të vendeve të BE-së dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e hartës së përbashkët europiane, Shqipëria është e fundit. Edhe Bosnjë Hercegovina, që ishte e fundit në këtë renditje e ka lënë pas Shqipërinë në 2016-n. Shqipëria ka ndërkohë dhe pagën minimale më të ulët në Europë, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe të matur sipas fuqisë blerëse.

 

Kjo statistikë konverguese dhe dëshëpruese mbi stanjacionin e mirëqënies së shqiptarëve, të lë pa fjalë. Nuk e kuptoj ku i gjejnë fjalët dhe moralin qeveritarët e majtë që t’i drejtohen popullit për një mandat të dytë, të cilët katër vite më parë mbronin tezën e rritjes së të ardhurave, taksimit “të ndershëm” apo qindra e miliona eurove, që do të linin në xhepat e shqiptarëve?! Por siç shihet, ju lanë atyre varfërinë, duke i detyruar të marrin rrugët e botës, ndërkohë që për të njëjtat arsye, sipas “Gallup”-it, edhe 56 për qind të tjerë, janë gati të lënë Shqipërinë. Tani është momenti, që shqiptarët, të cilët kanë mbetur këtu, nga që s’kanë mundësi ku të shkojnë, të mos dëgjojnë “përralla me tepsi e me timon”, por të ndërgjegjsohen mirë, se për kë do votojnë. Duhet të çlirohet nga kompleksi i besnikërisë partiake, për të shkuar verbërisht pas atyre politikanëve që i mashtrojnë me fjalë e premtime të bukura, siç kanë bërë deri tani qeveritarët socialistë për 12-13 vite në pushtet gjatë tranzicionit, duke ju bashkuar atyre që më shumë se për zgjedhjet e ardhshme, mendojnë për brezin e ardhshëm. Sepse siç thotë Taciti: “Janë qesharake përpjekjet e atyre, të cilët dëshirojnë t’ua mbyllin gojën madje dhe brezave të ardhshëm”.

 

Situata është pak a shumë si në mesin e vitit 2005, kur demokratët u rikthyen në pushtet, dhe përgjatë 8 viteve në qeverisje, shënuan arritje historike për interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Një ndër ministrat më të suksesshëm të asaj periudhe, ardhur nga radhët e KOP-it, z. Lulzim Basha, puna e të cilit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe shumë akseve të tjera rrugore në Shqipëri, në krijimin e kushteve dhe standardeve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, anëtarësimin në NATO dhe proceset e tjera integruese, garon sot për të qënë kryeministri i ardhshëm, në ndërtimin e një “Republike të Re”. Po përtej fjalëve, slloganeve, madje dhe përtej arritjeve mbreslënëse si ministër i qeverisë “Berisha” apo kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha ka një program qeverisës, i cili ka marrë vulën e Presidentit Trump dhe Kancelares Merkel për fuqizimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqënies së përgjithshme të qytetarëve shqiptarë, me të njëjtën filozofi si në SHBA dhe Gjermani. Mos po e ekzagjerojmë? Ju e dëgjuat vetë, nëpërmjet ekranit të televizorëve, të dërguarin e Kancelares Merkel, i cili tha: “Ky është një program që do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike”! Çështja Hamletiane e këtyre zgjedhjeve është: -Do ta votojmë, apo ende do vazhdojmë, që të ndikohemi politikisht nga shkrimi i dikurshëm i Enver Hoxhës në Ditarin e tij për Çështjet Ndërkombëtare, me titull: “Gjermanëve t’u jepet përgjigjia që meritojnë”!…

 

Lini nje pergjigje