Në Greqi u trajtua si hero, organizimi për legjendën Lekbello në Shqipëri përfundon me një… kalçeto

0
138

Ka një diferencë të madhe për mënyrën se si është trajtuar Artur Lekbello në vendin fqinj, Greqi, për të cilën shpeshherë ne edhe revoltohemi për sjelljen që kanë ndaj shqiptarëve. Megjithatë, në thelb, ky ishte rasti kur kemi marrë një leksion për mënyrën se si trajtohen njerëzit që kanë një kontribut të veçantë në një profil të caktuar

Në rastin konkret, në futboll, për Lekbellon. Është për të ardhur keq që në Shqipëri, me gjithë dashamirësinë dhe vullnetin e mirë për ta ndihmuar dhe për t’iu bërë krah nga disa miq të tij, ka shumë gjëra që nuk shkojnë: Së pari, ka një organizim shumë të dobët për t’u ndihmuar sa duhet Lekbello dhe familja e tij në mënyrë që të përballojë kostot e mëdha të trajtimit dhe kurimit të tij.

Së dyti, ka edhe një organizim që nuk u shkon fare për shtat atyre që duhet të jenë në kësi rastesh. Janë mbledhur disa figura të shquara të futbollit me dëshirën e madhe për të bërë mirë dhe deri në këtë pikë është gjithçka shumë në rregull. Gjithsesi, ka gjëra që duheshin bërë.

ORGANIZIMI NË GREQI

Ai aktivitet përfundoi në një kalçeto private. Duke bërë krahasimin me grekët, është për të ardhur keq që ndodhi kështu. Atje u ngrit “qyteti në këmbë” dhe bashkë me klubin u organizuan ish-kampionët e Europës dhe me ftesë kundrejt disa biznesmenëve të caktuar bënë çfarë mundën për të mbledhur të ardhura të konsiderueshme. Në të vërtetë, ishte diçka serioze dhe efikase për sa mund të jetë.

VENDI KU U ZHVILLUA NDESHJA

Duke lënë mënjanë kritikat për stadiumin, sepse na rezulton që Tirana është treguar e gatshme që të lërë në dispozicion stadiumin “Selman Stërmasi” që pas të dielës të mund të luhej ndeshja në cilëndo ditë të mundshme, kjo për kohën e nevojshme për rikuperimin e terrenit të mbjellë.

Megjithëse gazeta bëri një inspektim nga jashtë të fushës së stadiumit dhe nuk figuronte që po kryheshin punime, gjithsesi gatishmëria për të lënë impiantin në dispozicion pas disa ditësh e justifikon plotësisht klubin. Megjithëkëtë, klubi ka faj të madh që nuk bëhet palë organizative.

Është domosdoshmëri përfshirja e Tiranës, si klubi nënë i një legjende si Lekbello, për të qenë pjesë e organizimit dhe për të ofruar zgjidhje mbi këtë organizim. Mbase duke suportuar zhvillimin në një tjetër impianti, në një tjetër stadium…

INDIFERENCA

Fatmirësisht, figurat e shquara si Millan Baçi, Mirel Josa, Agustin Kola etj, etj, ishin të pranishëm, por Federata Shqiptare e Futbollit jo. Përkundrazi, është krejt indiferente edhe pse bëhet fjalë për një ish-figurë të shquar të Kombëtares shqiptare të futbollit. Është një nga ata që numërojnë dhjetëra ndeshje me fanellën e Kombëtares, ekzaktësisht 30, në një kohë kur aktivitetet me përfaqësuesen ishin fare minimale (2-4 ndeshje në vit), jo si sot kur ekipi kuqezi mund të luajë edhe 10-15 takime në vit.

Prandaj, kontributi i Lekbellos me atë fanellë është thuajse i krahasueshëm me një futbollist të kohës së sotme që do të përllogaritej në mbi 160 ndeshje përafërsisht. Jo vetëm kaq, por federata angazhohet maksimalisht për një ndeshje kualifikuese të ekipit Shpresa për të dërguar sa më shumë njerëz dhe punonjës të saj në stadium, në “Elbasan Arena”, këtë herë është fare indiferente dhe nuk përfshihet.

KRAHASIMI

Mbase edhe të nxitur nga fakti që organizimi i bërë në Greqi, në një vend të huaj për një figurë të shquar të futbollit shqiptar, duhet të na shërbente si shtysë për ta bërë edhe më mirë ndihmën për Lekbellon, njeriun që ka bërë shumë për futbollin dhe sportin në Shqipëri. Madje, kjo ndeshje u luajt një ditë përpara sesa ishte përcaktuar dhe njoftuar në vetë biletat e prodhuara për këtë aktivitet, të cilat janë shitur me çmim simbolik prej 100 lekësh të rinj.

MESAZHI

Për fat të keq, mesazhi i të gjithë kësaj që ka ndodhur është që në Greqi Lekbello u trajtua shumë më mirë sesa bëmë ne shqiptarët që e katandisëm një organizim për të në një fushë private fare të padenjë për emrin dhe gjurmën që ai ka lënë në historinë e futbollit shqiptar dhe në memorien e sportdashësve të periudhës që e kanë shijuar karrierën e tij futbollistike, edhe si trajner.Nuk mund të lihet një organizim i tillë vetëm në dashamirësinë e disa njerëzve që kanë vetëm dëshirën dhe vullnetin e mirë, por nuk dinë shumë që të bëjnë organizimin e duhur siç mund ta bëjë klubi Tirana apo Federata Shqiptare e Futbollit, nisur nga njoftimi i të gjitha mediave në vend dhe më tej me hapat e nevojshëm për organizimin e një eventi./O.T/panoramasport

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here