Mos Edi Rama, të paktën çunat e kombëtares të na i kishe kursyer!

0

 

Nga: Gëzim Saliu

Ditën e sotme janë vënë re me jo pak habi dy mesazhe të ardhura si rrufe në qiell të hapur në fushatën elektorale. Dy prej futbollistëve të kombëtares shqiptare, golashënuesi Armando Sadiku dhe mbrojtësi që luan me Napolin Elsaid Hysaj shprehën mbështetjen për Partinë Socialiste dhe kryeministrin. Në rrjetet sociale u shpërndanë në mënyrë masive dy video mesazhe: Një i shpërndarë nga vetë Rama në FB, ku Sadiku lëvdon kryeminsitrin si trajner që vjen një herë në 50 vjet dhe një tjetër videomesazh nga Ditmir Busahti me personazh Elsaid Hysajn , i cili thekson se do votojë PS-në.

Përfshirja e personazheve të njohur në fushatë nuk është dicka e panjohur, madje e përdorur gjërësisht edhe në evropë e botë. Por tek ne, një vend i vogël që ka varfëri, ngecje në ekonomi dhe boom me trafikimin e drogës, Kombëtarja e futbollit, aq më tepër me rezultatet e arritura në këto vite, ka shërbyer gati gati si simbol i unitetit kombëtar. Çdo shqiptar, pa dallim nëse është socialist, demokrat apo lësëist, gjen tek Kombëtarja, frymëzimin për të thënë me zë të lartë : Unë jam shqiptar! Përmes kombëtares ne kemi paraqitur një histori suksesi në botë dhe cdo shqiptar krenohet me arritjet e çunave kuq e zi.

Në këtë kontekst, përdorimi i dy prej djemve më të spikatur të Kombëtares në fushatë në favor të një partie, në këtë rast të PS-së, përbën më së paku një lojë të pisët. Nuk mundesh ti copëzosh djemtë e kombëtares duke u thënë se : “ këta janë socialista”. Kryeministri nuk mund ti përdorë në këtë formë çunat që krenojnë gjithë Shqipërinë. Loja dhe strategjia politike është një gjë, por përdorimi politik i atyre që më shumë se se lojtarë futbolli, janë ambasadorë të Shqipërisë, është më së paku malinjitet në raport me shqiptarët.

Nga ana tjetër, edhe ndaj dy lojtarëve të kombëtares nuk mungon një frymë kritike në këtë rast, duke marrë parasysh pikërisht faktin se përdorimi i tyre politik në favor të një partie i largon instiktivisht nga ajo fryma e “unitetit kombëtar”. Nuke dimë se pse dy djemtë e Kombëtaeres pranuan të përfshihen politikisht si mbështetës të PS-së, por ajo që është e sigurt është se tanimë Sadiku e Hysaj s’janë më vetëm lojtarë kuq e zi, atyre ju shtua edhe ngjyra e purpurt./standard.al

Lini nje pergjigje