Kur Nano ishte shofer e Rama pasagjer dhe një prapaskenë mbi takimin e dy (ar)miqve

0
426

 Nga Gezim Saliu

“Duam të vetëm timonin e makinës”. Kjo është kryebatuta e përdorur nga kryeministri Rama në këtë fushatë zgjedhore e cila në thelb të saj ka kërkesën e kreut socialist për gjithëpushtet. Me synimin e një qeverie pa aleatë, të cilët sipas Ramës tanimë nuk janë më partner strategjik bashkëqeverisës si katër vjet më parë, po “kancere” që shkatërrojnë administratën, kryesocialisti po kërkon me ngulm 71 vota për PS-në. Duke përdorur batutën e “makinës me 1 timon”, e cila sipas Ramës nuk do ishte e rehatshme të kishte dy timona apo një “person” (nënkupto aleat në koalicion) në prehër të shoferit, kreu i qeverisë ka nisur një betejë të hapur kundër të gjithë partive të tjera jashtë bipolarizimit PD-PS. E në fakt në këtë vorbull ku gjendet, Rama mendoi të thërriste në ndihmë ish-kryeministrin Nano, ndonëse që nga 2005 e deri para pak muajsh nuk ja kishin kursyer njëri-tjetrit sa herë që i jepej rasti akuzat pa teklif e të sharat pa ndrojtje. Një pasdite në vilën qeveritare në Durrës riktheu suprizueshëm Nanon në skenën politike dhe njëkohësisht shërbeu si një “reunion” mes Ramës e Nanos, dyshe e cila për hir të së vërtetës bashkëpunimin e ka pas gjithmonë të shkurtër. Si për të vërtetuar se temë e diskutimit në sarajet qeveritare në Durrës kishte qenë pikërisht dëshira e Ramës për timonin e vetëm , Nano nuk u krusye për të thënë vetëm dy fjalë: “nuk bëhet fjalë për çështje timoni, por destinacioni”. “Nuk keni parë gjë akoma”- shtoi ai. Në fakt kjo e fundit është sërish një frazë e përdorur nga Rama, i cili në ditën e parë që shkeli në Parlament në shtatorin e 2013-ës, kur opozita i kërkoi përkujdesje me fjalorin që po përdorte, tha pikërisht këtë frazë, e cila më pas ju kthye si boomerang kryesocialistit.

Ndërkohë që një ditë pas takimit me Nanon, si për të dhënë kundra-mesazhin e pasdites buzë detit me (ar)mikun e partisë,  Rama tha dje në një takim me sipërmarrës në Golem se ish-kryeministri pati shumë të drejtë me deklaratën për timonin e destinacioni. “Fatosi pati të drejtë mbrëmë kur tha se nuk është çeshtje timoni, por destinacioni. Ai është dhe shofer i sprovuar, i ka të gjithë ingredientët  e nevojshëm të ekspriencës dhe teknikës së dhënies së makinës, për të kuptuar se ky nuk është qëllim në vetvete”, u shpreh Rama. Për të qenë të sinqertë, ish-kryeministri Nano me të vërtetë është dalluar si një njeri që e merrte shpeshherë vetë timonin e automjetit, por sërish ai nuk mund të përfshihet në rangun e shoferëve të zotë. Kështu në kohën që Rama ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, Nano ka bërë një aksident të rëndë pas të cilit humbi, edhe një nga gishtat e dorës. Në atë kohë Rama i bëri një vizitë në spital në Greqi Nanos, ku madje i dërgoi edhe një tufë të madhe me lule.

 

 

Kur Nano ishte shofer e Rama pasagjerë

Kjo batuta e kryeministrit për “makinën me 1 timon” dhe “shoferin pa asnjë njeri në prehër” duket disi e habitshme si përzgjedhje fushate, kur mendon se vetë Rama nuk ka as patentën për drejtimin e automjetit. E kundërta mund të thuhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili  drejtimin e automjetit e ka pasur gjithnjë pjesë të hobeve të tij. Madje nëse kthehemi pas në kohë, kur njëri mbante rolin e kryebashkiakut të Tiranës dhe tjetri atë të kryeministrit të vendit, do të rikujtonim pamjet e famshme të kohës kur Nano drejtonte autobuzin e linjës së Unnazës dhe Rama ishte vendosur në vendin e parë të pasagjerit. Në atë kohë Rama as nuk e kishte menduar se do ishte një ditë kryeminisitri i vendit dhe se pas 4 vitesh pushtet do të kërkonte gjithëpushtet, duke synuar eleminimin e partive të vogla. Por në atë kohë, mund të thuhet pa më të voglin  dyshim, se Rama ja kishte vënë syrin “timonit” të Nanos në PS dhe si gjithnjë në pabesi, e sulmoi gjatë këtë të fundit, duke marrë më pas drejtimin e partisë pas humbjes së PS-së në 2005-ën. Ashtu si atëherë, edhe sot, Rama, sërisht në pabesi, po sulmon çdo aleat bashkëqeverisës ( të cilët në 2013-në i luste për bashkëpinim e bashkim) duke i cilësuar si “kancer” të administratës dhe pengues të reformave të mëdha, për të arritur synimin e tij të gjithëpushtetit. Dhe më ironikja është fakti se për të marrë mbështetje për “makinën me 1 timon”,  Rama zgjodhi Fatos Nanon, njeriut ndaj të cilit bëri cdo gjë për t’i prishurr rrrugën e për ta rrëzuar nga “makina e partisë”. Ndoshta ndihma e vetme që mund t’i japë Nano, Ramës është ajo në kuadër të “mësimeve” ( nënkupto metoda qeverisjeje) për drejtimin e “makinës” ( nënkupto Shqipërinë), ndonëse 12 vjet më parë këto “mësime”,kryeministri aktual i quante kundrapedal dhe të rrezikshme për drejtimin e duhur të automjetit. Mbetet për tu parë se cili do jetë kapitulli i rradhës mes Ramës e Nanos dhe se cila do jetë e ardhmja e kësaj (ar)miqësie të II, e cila me siguri do të varet kryekëput nga rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit.  Megjithëse mbetet e faktuar deri më tani se kur historia ripsërsëritet me të njejtët aktorë, shanset janë që të kthehet në komedi!

P.S: Sot PS ka festën e përvjetorit të krijimit të saj. Thuhet se “timonieri” Nano do jetë pjesë e festimeve në “automjetin” e Ramës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here