Post lista/ Flet kreu i FRPD-së Belind Këlliçi: Çfarë më tha Basha në takim. Ju rrëfej jetën përtej politikës

0
438

 

Nga Ambrozia Meta

Të premten e 26 majit, në atë ditë të ngjeshur negociatash, Lulzim Basha e kishte thirrur Belind Këlliçin në zyrë për te diskutuar mbi hartimin e listave të kandidateve për deputetë dhe nga rradhët e FRPD. Në një bisedë miqësore, Basha i kishte shpjeguar bashkëpunëtorit të tij prej shumë vitesh, se përfshirja e PR-së, PAA-te dhe LZHK në listat e Tiranës, e kishte ndërlikuar situatën. Kreu i Forumit Rinor të PD – së sjell edhe njëherë në kujtesë atë bisedë.  “Pata një komunikim me kryetarin dhe për shkak të formulës së përfshirjes së aleatëve në listat e Tiranës ndodhi një komplikim i situatës, dhe sot që flasim, unë nuk jam kandidat në listat e PD – së. Për mua ky fakt nuk përbën shqetësim, sepse kur i kam hyrë karrierës politike, të cilën e kam nisur në 2009, hyra me idealin për të dhënë kontribut në PD, sepse besoja dhe vijoj te besoj fort tek kjo force politike. Besoj ke ideologjia e djathtë, besoj ke Partia Demokratike. Unë nuk jam në PD për një karrige,” – rrëfen me theksin tirans. Nuk ka mëri në zërin dhe shikimin e tij. Pasi doli nga zyra e Bashës, bëri disa telefonata për të mbledhur një pjesë të ekipit drejtues, sepse e dinte mirë, që ai lajm do shkaktonte shume habi tek të rinjtë. “Mund të ketë qenë e papritur, por unë jam sot në terren. Çdo ditë kemi aktivitete të ndryshme të organizuara nga degët e Forumit Rinor në gjithë vendin, pasi të 60-ta degët vijojnë aktivitetin normal,”  tregon 30 – vjeçari.

Mospërfshirja e tij në lista ishte surprizë edhe për të dy prindërit e tij, të cilët janë anëtarë të PD që në 1991. “E kanë kaluar atë surprizën e fillimit. Janë prindër dhe nuk diskutohet që kanë pasur pritshmëritë e tyre, por kur shohin që unë besoj me po të njëjtin ideal, në ato vlera për të cilat kam lënë Amerikën, edhe ata janë shume të qetë,’’ rrëfen Belindi. Kishte dhe një barrë tjetër, për të lehtësuar zhgënjimin e  atyre të rinjve që e gjetën veten në fund të listave. “Ky është një promovim për çdo te ri, për çdo kandidat. Janë pjesë e ekipit, po takohen me qytetarë, po mësojnë, po marrin eksperiencë. Le të japin kontributin e tyre gjatë këtyre viteve, të bëhen të dobishëm e të kualifikuar, të fitojnë eksperiencë në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të jenë në krye të listave,” shprehet i qetë.

 Fillimet

 Lindi në vitin 1987, në “Myslym Shyr”, në një nga lagjet më të bukura të kryeqytetit. “Jam autoktonas 100 – vjeçar tirons, “ – thotë duke qeshur. Ashtu siç trashëgohen genet, në mënyrë të natyrshme ai mori nga familja ideologjinë e djathtë. U largua nga Tirana në 2005, për të ndjekur studimet për Shkenca ekonomike dhe menaxhimi në një nga universitetet e Maryland në Amerikë. Që ditën që hipi në avion, mendonte vetëm kthimin në Shqipëri. “Kam pasur fatin të fitojë nje bursë nga notat e larta, por, edhe sepse kam qenë kampion tenisi për moshat deri në 18 – vjeç në Shqipëri. Jam diplomuar në vitin 2009, me 40 A dhe 1 B në degën ku studioja dhe jam shpallur studenti me mesataren me te larte ne universitet. Kam dhënë provimin e fundit ditë të enjte dhe të premten, kam prerë biletën, për t’u kthyer në Shqipëri,“ – shprehet, ndërsa më tregon  diplomën dhe kupat e tenisit, të vendosura në një nga raftet e zyrës së tij.

Dashuria për tenisin nisi që në moshën 5- vjeçare, kur mori raketën e parë në dorë. Për 21 vite e  praktikoi rregullisht. Ashtu si politikën edhe këtë sport, jo tepër të zakonshëm për shqiptarët, e trashëgoi nga familja. “Në kohën e lirë më pëlqen të  bëj ecje, sepse më duhet të kthjellohem, të qetësohem, më ndihmon të shkarkoj gjithë stresin e akumuluar të ditës,” – më tregon.

Eksperienca në Amerikë e ndryshoi shumë. “Më ka bërë më praktik, më ka dhënë një kod etike tjetër. Është një vend që të ndihmon të thyesh komplekset dhe barrierat.”

Prej 5 vitesh, shkëputja  e tij më e ëmbël nga politika, është Anna. “Ne jemi së pari dy miq shumë të mirë. Ajo është e fokusuar në një profil tjetër, punon në një shtëpi botuese, merret me redaktime dhe botime librash. Kam përshtypjen, se fakti që jemi dy profile të ndryshme, ka bërë që kjo marrëdhënie të funksionojë kaq mirë. E kam si një shpëtim sa herë e takoj, sepse shkëputem nga angazhimi i përditshëm,”- rrëfen ai.

FRPD

Hyri në PD si një anëtar i thjeshtë seksioni në lagjen e tij, në degën nr.10 në Tirane dhe në fund te vitit 2015 u zgjodh kreu i FRPD, sipas parimit një anëtar, një votë. “ Ka qenë një garë shumë e fortë, u zhvilluan 20 debate kombëtare, ne te cilat votuan mbi 10.000 te rinj. Axhenda ka qenë sfilitëse, por ishte një provë që e kaluam me sukses. Nga ajo ditë, me të njëjtin model janë zhvilluar zgjedhjet për 53 kryetar degësh, me parimin, një anëtar një votë në gjithë Shqipërinë,” – shprehet Belindi .

Prej gati një vit e gjysmë, forumi i është kthyer në mënyrë jetese. Një nga faqet e murit të zyrës së tij, është e mbushur me fotografi. Në foto, duken të rinjtë e forumit në aktivitet sociale e politike. Në një tjetër foto, kryedemokrati Basha i qeshur, duke shtrënguar duart me një kongresmen. “Kemi një plan javor, çdo ditë jam në degë të ndryshme, në aktivitete masive. Pasi mbarojnë aktivitetet diskutojmë më njeri – tjetrin, me strukturat dhe qytetarët, për t’u njohur me kritikat, sugjerimet apo problemet që ata kanë,”- flet me një entuziazëm rinor.

Që prej 2004 nuk e ka ndryshuar numrin e telefonit, pasi për të është një urë lidhëse me të rinjtë, qytetarët e strukturat. “Janë pafund të rinj që më dërgojnë kërkesa dhe sugjerime. Jam i mendimit që duhet të marri fund hendeku që krijohet mes politikanëve dhe qytetarëve, të cilët kanë vështirësi për ti takuar drejtuesit politikë apo deputetët.

”Çadra që u ngrit për 90 ditë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe që u bë një nga arsyet kryesore të marrëveshjes Rama- Basha, ishte edhe një shtysë, e Forumit të drejtuar prej tij.

“Forumi rinor ka qenë promotor kryesor i idesë që kësaj radhe duhet të kishim një protestë ndryshme. Nuk e ka menduar njëri që do të zgjaste 90 ditë dhe ka qenë një protestë shumë intensive. Ka qenë meritë e çdo demokrati dhe demokrateje, që ka kaluar në çadër qoftë edhe njëherë,” – tregon entuziast, ndërsa për asnjë ditë nuk mungoi në çadrën e lirisë. Një nga krenaritë më të mëdha është protesta e 8 dhjetorit, ku të rinjtë e FRPD protestuan para 4 ministrive për t’u grumbulluar më pas në një tubim para kryeministrisë. “Ne ja dolëm që më 8 dhjetor të godisnin përmes simbolikave problemet që të rinjtë kanë si pasojë e kësaj keq qeverisje, “ – thotë 30-vjeçari.

Meraku më i madh është që në përfundim të mandatit si kreu i FRPD – së të ketë një bilanc, për t’i lehtësuar punën, pasardhësit të tij. “Dua që të realizoj sloganin e Partisë Demokratike të vitit 2015: “ Punë, jo fjalë”. Përmes punës dua të jap një shembull konkret sesi mund të ecet në politikë dhe të bëhet ndryshimi. Zgjidhjet nuk mund të na vinë dhuratë, ndryshimi vjen vetëm nëpërmjet angazhimit. E kam një bilanc timin dhe dua të lë një model të suksesit për këdo, që do të jetë pasuesi im, që të çojë punën edhe më përpara,” rrëfen ai.

Disa ditë më parë, 11 forume rinore nënshkruan një kontratë jashtë bindjeve politike, për të konkretizuar ndihmën ndaj rinisë. Belindi uron që kolegët e tij, kryetarja e LRI –së dhe kreu i FRESSH-it të jenë në parlamentin e ardhshëm, për të lobuar sa më shumë për këto kauza. “Sa më shumë avokatë të ketë kjo kontratë aq më shumë punë mund të bëhet, aq më shumë mund të arrihet,” – shprehet kryetari i të rinjve demokrat.

Ndryshe nga 26 maji, korridoret e selisë blu kanë rënë në qetësi. Thuajse të gjithë janë në fushatë. “Nesër do jem në Lezhë, pasnesër në Vaun e Dejës, ditën tjetër në Elbasan, pastaj në Shkodër. E rëndësishme është që më 26 qershor Shqipëria të zgjohet me Lulzim Bashën kryeministër,”  shprehet Belindi. Ai sapo ka marrë një korsi tjetër, larg të qenurit një politikan inatçi e i rëndomtë, larg qasjeve pragmatiste dhe sfida e tij është të mbajë drejt timonin, për të mos devijuar rrugën./ standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here