Natë poetike në Korçë/ Flet ideatori Koroveshi dhe aktorja Zamira Kita: Çfarë do prisni nga “Rubairat” e Omar Khajamit

0
353

 

Magjia e “Rubairave” nën interpretimin aktorial dhe operistik. Marrin pjesë aktorët Ndriçim Xhepa, Roza Anagnosti, Zamira Kita, Dhimitër Orgockën dhe soprano Enkelejda Kamani

 

Irini Meçe

 

Omar Khajami është ndër të parët kolosë të letërsisë botërore që zuri vend në bibliotekën shqiptare me një vepër të plotë: “Rubairat”.  Është ndër më të pëlqyerat, ku shqipërimin e parë të Rubairave e bëri Fan Noli, ku si fjalë Rubairat vjen nga persishtja dhe do të thotë “Strofë”. Botimi i tyre shqip përbën një ngjarje të rëndësishme, sa kulturore, aq edhe sociale për botën shqiptare të viteve `20. Tek kjo vepër ne ndeshemi me botën individuale të personalitetit, me botëkuptimet, prirjet, karakteret, marrëdhëniet, interesat, me realen dhe irealen. Pikërisht, magjia e “Rubairave” të Khajamit, si një nga veprat poetike më të bukura të botë mbërrin në një natë poetikë në Korçë. Në datën 9 qershor, ditën e premte në qytetin e Korçës do të mblidhen aktorë dhe soprano për t’i bërë jehonë “Rubairave” të Khajamit. Këtë natë poetike e ka ideuar aktori Kristian Koroveshi, i cili ka bërë bashkë aktorët më të rëndësishëm të skënën shqiptare si: Ndriçim Xhepa, Roza Anagnosti, Zamira Kita, Dhimitër Orgockën dhe sopranon Enkelejda Kamani. Nga 331 rubaira, ideatori i shfaqjes Koroveshi ka përzgjedhur rreth 105 prej tyre, që do të interpretohen nga aktorët, sopranoja, por edhe nga ai vetë. Rreth 105 Rubaira, të cilat përcjellin mesazhe universale që vijnë nëpërmjet ndërthurjes së poezië dhe muzikës.

 

“ ‘Muzg Pers’ kam dashur ta quaj që në fillesë këtë ide timen. Jo vetëm dhe thjesht natë poetike të “Rubairave” të Omar Khajamit.  Kam perpunuar për një kohë të gjatë dhe studiuar mbi këto Rubaira. Kam tentuar të strukturoj thuajse 105 rubaira nga 331 të tilla, të shqipërurara në pavdekësi prej Fan Nolit. Jam përpjekur të fus në rrjetën e Rubaive gjithë ato pjesë që mbartin mesazhe të dashurisë, paqes, mëshirës, gëzimit, njeriut etj. Këtë e bëj për të njohur dhe për të shijuar universalitetin e pakrahasueshëm të veprës, për të ndikuar sadopak në katarsisin emocional të gjithësekujt që e ndjek këtë mbrëmje. Përveç Rubaive siç më lart e përmenda, dua të shpjegoj ndërthurjen që dëshiroja të bëja mes poezisë dhe muzikës. Muzikaliteti dhe rima që të fal kjo lloj poezie, në leximet e shpeshta më vinte si e kënduar, si e kënduar prej shpirtit e prej gjakut dhe është bërë e mundur që disa Rubaira të këndohen në mënyrë operistike. Të kompozohet enkas për to dhe mbi to dhe më pas të luhet ajo muzikë dhe të këndohen. Kam fatin e madh dhe kënaqësinë deri në perulje ndaj një zonje të madhe dhe të rrallë të artit skenik e filmik shqiptar, madje dhe një zonjë të rrallë për nga këndi i shikimit njerëzor. E kam fjalën për Roza Anagnostin, me të cilën kam kënaqesinë e veçantë të bashkëpunoj për të dytën herë në një aktivitet të ideuar prej meje. Më duhet të shpalos mirënjohjen dhe falenderimin njëkohshëm edhe për aktorin legjendar të kinemase dhe filmit shqiptar, i cili rrallë shfaqet në aktivitete të këtij lloji, përulje Ndriçim Xhepës. Njeriut që më ndihmoi të hyj në vorbullën dashuruese të artit skenik, i dedikohem dhe nuk ia shlyej dot falenderimin duke interpretuar me të, Dhimitër Orgockën. Zamira Kitën veçse dua ta falenderoj, dua ta duartrokas për impenjimin dhe për angazhimin dhe mungesën e refuzimit jo vetëm si aktore, por edhe si ndihmëse duke qënë njëkohësisht edhe drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë. Falë saj, shumë gjëra janë më të lehta për muzgun e Rubairave. Sopranos Enkeledja Kamani dua t’i shpreh sinqerisht mirënjohjen për të veçantën që do i japë mbrëmjes duke kënduar në këtë mbrëmje, për të parën herë të kompozuara Rubairat e Khajamit. Jo pa qëllim lashë për në fund Fondacionin Kulturor Iranian “Saadi Shirazi” i cili hapi dyert dhe vazhdon t’i mbajë hapur për këtë aktivitet duke premtuar vazhdimësinë e bashkëpunimit. Pa këtë fondacion dhe humanizmin e drejtuesve të tij do te ishte thuajse i pamundur. Dua të falenderoj edhe Bashkinë e Korccës, e cila në kuadër të nismës “Korcca qendër ballkanike e artit dhe e kulturës” e pranoi këtë ide timen në aktivitetet e saj. Nuk i bëj falenderimet si një qoke qe duhet bërë për të mbajtur mirë marrëdhëniet, por e bëj në emër të sinqeritetit dhe ndjesisë së artistit të ri që aspiron dhe gjen mbështetjen dhe një mbështjetje më shumë se të konsiderueshme nga këta personalitete të artit. Çka tregon dhe rrëfen faktin që arti ka një traditë dhe rishtari në këtë fushë ndjek gjurmët e eksperiencës dhe përgjëron të mësojë prej tyre. Premtoj se do të jetë një natë e mbushur me emocion, dashuri e frymëzim duke bashkuar e ndërlidhur kulturat pasi në botëkuptimin tim kultura është gjaku që lëviz në damarët e kufijve që përbëjnë botën dhe ndërton urat e familjaritetit artistik e njerëzor. Kush dhe çfare tjetër veç artit do të ishte udhëheqëse e zhvillimit dhe së bukurës si koncept estetik” tha Kristian Koroveshi, për gazetën “Standard”.

Rubairat janë krijime poetike krejt origjinale, fryt i gjenisë artistike të popullit persian, me vlera universale e panjerëzore për të gjithë vendet dhe kohërat, të cilat arritën kulmin në pendën e Omar  Khajamit. Rubairat ndryshe mund të konsiderohen si një shkollë poetike, që theu çdo skemë të poezisë orientale, në brendinë dhe formën e saj. Të gjitha gjendjet shpirtërore njerëzore do ta gjejnë pasqyrimin e tyre në “Rubairat” e tij, shqipëruar nga Fan Noli, por të interpretuar nga Ndriçim Xhepa, Roza Anagnosti, Zamira Kita, Dhimitër Orgocka dhe sopranoja Enkelejda Kamani. “Mbrëmja poetike me Rubairat do të jetë një aktivitet shumë i bukur, elegant dhe me shumë emocion. Ajo do të vijë në vazhdën e shumë aktiviteteve kulturore dhe artistike që Korça organizon në çdo vit në sezonin turistik. Është e rëndësishme të thuhet që aktivitetet tona janë të shumta dhe ndiqen nga një masë e madhe shikuesish artdashës. Organizimi i kësaj mbrëmje erdhi si propozim i bukur nga një aktor korçar i sapo diplomuar Kristian Koroveshi, i cili bashkë me idenë dha dhe platformën e realizimit të kësaj mbrëmje. Ky aktivitet vjen mbas përfundimit me sukses të Netëve Korçare të Poezisë, ku autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia morën pjesë me poezitë e tyre në këtë konkurim dhe aktorët profesionistë recituan poezitë e tyre. Kështu edhe në datën 9 qershor aktorë të zgjedhur do përcjellin Rubairat e famshme. Është kënaqësi që do interpretoj edhe unë dhe e falenderoj Kristianin këtë djalë të ri të talentuar që më bëri edhe mua pjesë të këtij emocioni. Publiku i Korçës e do poezinë dhe është i vetmi vend ku për të dëgjuar poezi prihen bileta, pra paguhet. Kështu që në shpresojmë që publiku do na ndjekë”,u shpreh aktorja Zamira Kita.

Një nga ngjarjet më interesante e kësaj nate është edhe pjesëmarrja e sopranos së suksesshme Enkelejda Komani, që është në mesin e aktorëve të përzgjedhur. Ndryshe nga aktorët, ajo Rubairat do i sjellë nëpërmjet muzikës dhe zërit të saj të padiskutueshëm. “Është eksperiencë unike për mua sepse është hera e parë që këndoj përkrah artistëve të një dimensioni kaq të veçantë, si Zonja Roza Anagnosti, Zoti Ndriçim Xhepa etj.,të cilët përbëjnë historinë e artit skenik teatral në vendin tonë. Gjithashtu materialet që do kendoj jane krijimtari e re ne ekskluzivitet nën vargjet e Omar Khajam dhe ndjehem e previligjuar! I uroj suksese të përzemërta tërë artistëve, e falenderoj autorin Kristian Koroveshi që më bëri pjesë”, pohoi sopranoja Kamani.

Por përse përzgjodhi Kristian Koroveshi pikërisht këta personazhe për të vënë në gojën e tyre vargjet magjike të Omar Khajamit?  “S’të gjej dot pse për Roza Anagnostin. Është një dashuri e madhe dhe për dashuritë s’pyet dot pse e dashuron. (Qesh) Është aktore me një thellësi psikologjike dhe aktoriale që e mishëron vargun e Khajamit. Çim Xhepën se është Çim Xhepa. Ndaj. Nga më të mirët e të mirëve. I bëra vetes një dhuratë ta kem pranë. Orgockës i dedikohem që sot jam në fillesat artistike, përveç potencës së tij të veçantë interpretative që për mua i shkojnë vargjet e Khajamit. Zamira, aktore shumë e mirë. Ka një vibrim emocionesh kur reciton poezi. Sharmante dhe elegante në interpretim. Enkelejden, kam degjuar shumë për sukseset e saj. E kam parë në opera. Mendoj se i duhet feminiliteti i saj emocionit Khajamian.”, tha Koroveshi.

Nata poetike do të realizohet në ambjentet e Pazarit të Vjetër në Korçë në orën 20:00 dhe jo në sheshin e xhamisë së “Iliaz Bej Mirahorit”, siç ishte vendosur në fillim. “Më duhet të bëj nje sqarim, e publikuam ditët më të hershme zhvillimin e aktivitetit në sheshin e xhamisë së “Iliaz Bej Mirahorit” në Korçë, lidhur dhe me një simbolikë që në qendër ka njeriun, por mbase një paqartësi prej të dy palëve, për shkak të muajit të Ramazanit dhe traditave dhe riteve të fesë myslimane lidhur me orarin e aktivitetit, të obliguar të lëvizim vendin dhe ta orientojmë skenën e improvizuar në një mjedis pranë Pazarit të Vjetër të Korçës. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, për të mos i cënuar shenjterinë festës dhe në dialogim mes palëve u përpoqëm për të mirëkuptuar”,ka shpjeguar  ideatori Koroveshi.

Disa nga vargjet që do interpretohen:

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,

Dhe adhuroje si Altar prej Feje:

Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;

Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

///

Njeri, Margaritari i Krijesës,

Q’u shove nga tortyrat e Jetesës,

Pi Kupën e harrimit e të prehjes,

Çkulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

//

Njeriu qënka thelb’ i Gjithësisë

Dhe drit’ e syrit t’madh të Perëndisë:

Qarku i Qënies qënka si Unazë

Me vulë xhevair’ e Njerëzisë!

//

Natyra është e mbetet një cudi

Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri

///

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here