Rama sulmon partitë e vogla: Kalbëzojnë sistemin. Akuza e rëndë për LSI: U kthye në ndërmarrje!

0
230

Takimi i kësaj të hëne me “Top Story” është zhvendosur në Berat, për shkak të fushatës dhe angazhimeve të kryeministrit Edi Rama. Në intervistën për gazetarin Sokol Balla, Rama ka folur për pritshmëritë e PS për zgjedhjet e 25 qershorit, paktin me PD dhe marrëdhënien me ish-partnerin e tij të koalicionit, Ilir Meta.

Sokol Balla: Zoti kryeministër mirëmbrëma.

Edi Rama: Mirëmbrëma.

Sokol Balla: Këtu në Berat duket një fushatë totalisht e qetë… Vihet re dhe një prani e theksuar e turistëve.

Edi Rama: Ka një rritje të vazhdueshme të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj. E ka këtë fuqi Rilindja Urbane. Tani, sfida është të zgjerojmë hartën dhe të krijojmë mundësi që turistët të shfrytëzojnë të gjithë atë, nga hyrja e Beratit, tek kanionet e Skraprarit.

Sokol Blla: Do të kemi mundësi të flasim për këtë tek pjesa e programit. Paradoksalisht, krahas toneve të qeta me PD janë ashpërsuar ato mes PS dhe LSI, meqenëse jemi edhe në Berat, që është fortesa e LSI. Përse?

Edi Rama: Është një garë reale dhe unë parashikoj që do të shkojë duke u intensifikuar dhe do të bëhet një garë intensive, mbase edhe pak e tensionuar pasi jemi të gjithë në kërkim të një mandati, dikush për të dalë forcë e parë. Për ne forca e parë është jashtë dsikutimit. Qëllimi për ne është një mandat i plotë që të kemi timonin nën kontroll dhe të mos lejojmë lëvizjen e timonit herë pas here nga ata që janë bashkudhëtarët tanë të deritanishëm.

Sokol Balla: Çfarë ndodhi? Në katër vjet LSI ishte partneri strategjik dhe raporti juaj me Metën u duke se përjetoi kulmin kur e propozuat dhe zgjodhët president atë?

Edi Rama: Kemi patur një koalicion shumë të dobishëm për vendin, në një fazë kur duheshin reforma që kërkonin fuqi dhe vendomsëri e që nuk duheshin përdorur nga lodrat e numrave. Kam qenë i bindur që duhej ndërtuar një partneritet strategjik afatgjatë. Të gjitha përpjekjet e mia për të mbyllur formulën e koalicionit në kohë nuk ishin të suksesshme. LSI pati një qasje taktike dhe jo strategjike ndaj koalicionit, duke pritur momentin e fundit. Në momentin  e fundit gjërat erdhën ashtu si erdhën dhe jemi këtu për të matur forcat. Unë u them shqiptarëve që të më ndihmojnë me një mandat të plotë për të bërë shumëfishin e asaj që kemi bërë deri më tani. Faza e dytë kërkon disa qasje radikale, sidomos në raport me përmbajtjen e administratës shtetërore, që është e molepsur nga interesat e partive që e kanë penguar që të jetë korrekte, dinjitoze dhe që u shërben qytetarëve.

Sokol Balla: I referoheni LSI-së këtu?

Edi Rama: Ky është sistemi që është ndërtuar dhe që unë mendoj që duhet ta shkallmojmë dhe për këtë arsye shqiptarët duhet të kuptojnë se vota më 25 qershor ka shumë rëndësi. Kjo është një histori e përsëritur.

Sokol Balla: Kjo nuk jep garanci që PS nuk do të bëjë të njëjtën gjë

Edi Rama: PS ka qenë garante e shumë gjërave që kanë ndodhur, është garante e ligjit të shërbimit civil. Ne kemi administratën publike që mbrohen me ligj dhe aty është shumë herë më e vështirë që të penetrojnë partitë, por kemi edhe zyra që kanë të bëjnë me shërbime të drejtëpërdretja me qytetarët, ku shumë punonjësve u duhet të pajisen me tesera partie, ose të largohen nga puna për shkak se nuk pranojnë të ndërrojnë parti, si në Berat për shembull, ku ka ndodhur në më shumë se një herë. Ne duhet të shtrihemni në gjithë sistemin, me një reformë që të ndajë shtetin nga partitë.

Sokol Balla: Ju thatë që afatet kaluan, por me marrëveshjen që bëtë me PD i dhatë mundësi asaj që të gjejë një formulë bashkëpunimi me aleatët e saj, por nuk ja dhatë këtë aleatit tuaj, LSI dhe aleatëve të tjerë të vegjël, që ju kanë qëndruar besnik

Edi Rama: PD bëri një zgjedhje tjetër. Përfitoi edhe nga një qëndrim krejtësisht karrigofag i aleatëve të saj, si Dule që barktisi karrigen e vetë për t’u futur në Parlament. Sa na takon neve, ne jemi në kushtet e paracaktuara nga mënyra si erdhi situata.

Sokol Balla: Nuk kishte asgjë të qëllimshme?

Edi Rama: Nuk pati asgjë të qëllimshme. Është koha për të luftuar së bashku një sëmundje të rënduar në vite për shkak të partive të vogla që shfaqen si forca për lulëzimin e demokracisë dhe në fakt janë forca që kalbëzojnë sistemin, duke kërpudhëzuar sistemin në bahçen e shtetit.

Sokol Balla: Të flasim për numrin 71. Në fletën e votimit LSI është e para, çfarë do të ndodhë nëse do të keni nevojë për aleatë?

Edi Rama: Këtë e vendosin njerëzit. Do të lexojmë votën dhe do të shikojmë nëse do të na japin përgjegjësi të plotë, apo do të na thonë se do ta shpërndajnë përgjegjësinë. Atëherë do të shikojmë dhe bëjmë të gjithë strategjinë tonë. Sot kërkojmë nga njerëzit jo më shumë sesa pushtet për vete, se të ishte kështu ne sot do të ishim pa kundërshtarë dhe do të merrnim 100 mandate më 18 qershor.

Sokol Balla: Kur bëtë ndryshimet e 4 ministrave ju pyeta sa i sigurt jeni për aleancën me LSI, më keni thënë 10

Edi Rama: Unë kam ngritur duart dhe nuk e kam thënë 10-n. Unë kam qenë deri në fund për koalicionin. LSI ka qenë e ngurtë në këtë, pastaj krijoi një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën.

Sokol Balla: Pra, po thoni që pas çadrës ka qenë edhe LSI?

Edi Rama: Jo, nuk e them këtë. LSI është përpjekur që të dalë e treta e vërteta. Ne kemi të gjithë sot të drejtën që të kërkojmë nga njerëzit atë që mendojmë që na takon. LSI thotë që do të dalë forcë e parë, PD do të bëjë Republikën e re, ne e themi shumë thjeshtë: na gjykoni për gjithçka që kemi bërë, që është prova që jemi të vetmit që mund të bëjmë shtet dhe të çojmë përpara këtë punë.

Sokol Balla: Ju e keni quajtur për vite me radhë partner strategjik LSI-në, por LSI është kundër reformës në arsim, nuk e ka pranuar kurrë shëndetësinë falas, taksën progresive, ka patur një sjellje skrupuloze për reformën në drejtësi dhe për dështimet ju ka bërë përgjegjës juve. Të gjitha gjërat që thoni në këtë fushatë tregojnë se ka përfunduar partneriteti mes PS dhe LSI?

Edi Rama: Mund ta themi ndryshe, pavarësisht se këto janë të vërteta. E vërteta është që koalicioni ynë ka arritur sukses për disa reforma, që përndryshe nuk do të bësheshin. Jemi në një fazë që ka kaluar. Jemi në momentin kur ballafaqohemi me njerëzit dhe tani duhet të ndërtohet shteti europian i shqiptarëve. Kemi një mundësi historike edhe falë marrëveshjes së bërë me PD politika do të hyjë në një fazë të re dhe të bëhemi një shtet serioz e dinjotoz. Ne jemi gati të marrim këtë përgjegjësi, por duhet të na e besojnë njerëzit. Shqiptarët kanë një mundësi të jashtëzakonshme.

Sokol Balla: Po Spartak Braho ku llogaritet kësaj radhe?

Edi Rama: Spartak Braho është një urë mes PS dhe LSI sepse është një socialist që ka hyrë gjithmonë me PS në Parlament dhe asnjëherë me LSI-në.

Sokol Balla: Ilir Meta ju sulmoi juve dhe zotin Basha dhe tha se nuk u tremb nga Berisha, jo më nga “Tomi dhe Xherri”. Keni një koment për këtë?

Edi Rama: Nuk e di sa i shkon një presidenti të zgjedhur kjo, por unë e mirëkuptoj dhe pajtohem me këtë. Nuk mendoj që i shkon të merret me filma të animuar, por e mirëkuptoj.

Sokol Balla: I shkon një presidenti nga pikëpamja etike që të marrë pjesë në fushatë?

Edi Rama: Ai nuk është akoma president i ngarkuar për të mbrojtur unitetin kombëtar. Është president i zgjedhur. Unë nuk do ta bëja, por është zgjedhja e tij.

Vazhdon

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here